Botë

Rusia “plotësisht e gatshme” për luftën me NATO-n në Arktik

Arktiku është pika më veriore në Tokë dhe përfshin territore që i përkasin tetë shteteve

Arktiku është pika më veriore në Tokë dhe përfshin territore që i përkasin tetë shteteve

Rusia është “plotësisht e gatshme” për luftën me NATO-n në Arktik, ka paralajmëruar të premten ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

“Ne shohim NATO-n duke shtuar stërvitjet në lidhje me krizat e mundshme në Arktik. Vendi ynë është plotësisht i gatshëm të mbrojë interesat e tij ushtarakisht, politikisht dhe nga pikëpamja e teknologjive të mbrojtjes”, ka thënë Lavrov, sipas mediave shtetërore ruse, transmeton Politico.

Komentet e ministrit rus janë të fundit që vijnë nga Kremlini, i cili në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar me luftë bërthamore kundër NATO-s dhe aleatëve të saj në vitet e fundit.

Arktiku është pika më veriore në Tokë dhe përfshin territore që i përkasin tetë shteteve: Norvegjisë, Suedisë, Finlandës, Danimarkës, Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Islandës dhe Rusisë. Të gjithë përveç Rusisë janë anëtarë të NATO-s.

Finlanda iu bashkua NATO-s në prill të vitit të kaluar në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe Suedia ndoqi rrugën e njëjtë në mars të këtij viti, duke u bërë përkatësisht anëtarët e 31-të dhe 32-të të aleancës.

Megjithatë, Lavrovi paralajmëroi se “Arktiku nuk është territor i NATO-s”, duke shtuar se vende të tjera jo-arktike, si Kina dhe India, kanë interesa atje.

Një nga diplomatët më të lartë të Moskës ka thënë vitin e kaluar se Finlanda do të ishte “e para që do të vuante” nëse do të shpërthente lufta midis NATO-s dhe Rusisë.

Në shkurt, Rusia pezulloi pagesat vjetore për Këshillin e Arktikut, një forum ndërqeveritar i kombeve të Arktikut, pasi anëtarët e tjerë bojkotuan pjesëmarrjen e Moskës pas pushtimit në Ukrainë, megjithëse njëfarë bashkëpunimi ka rifilluar që atëherë.