Të enjten në një gjykatë në qytetin lindor të Rusisë, Vladivostok, ka filluar gjykimi ndaj një ushtari amerikan i cili ishte arrestuar në fillim të këtij viti nën dyshim për vjedhje.
Gordon Black, 34 vjeç, udhëtoi për në Vladivostok, për të takuar të dashurën e tij dhe u arrestua pasi ajo e akuzoi atë për vjedhje prej saj.
“Ishte një mosmarrëveshje e thjeshtë familjare, gjatë së cilës Black u bë agresiv dhe më sulmoi. Ai më pas vodhi para nga portofoli im dhe unë nuk i dhashë leje për ta bërë atë”, u ka thënë gazetarëve e dashura e Black, Alexandra Vashchuk, pas seancës gjyqësore.
Nëse shpallet fajtor ai rrezikon deri në pesë vjet burgim, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Arrestimi i Black komplikon më tej marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë, të cilat janë tensionuar gjithnjë e më shumë ndërkohë që luftimet në Ukrainë vazhdojnë.
Rusia po mban një numër amerikanësh në burgjet e saj, duke përfshirë gazetarin e “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka këshilluar në mënyrë të vazhdueshme qytetarët amerikanë që të mos shkojnë në Rusi.
Sipas politikës së Pentagonit, anëtarët e shërbimit duhet të marrin leje për çdo udhëtim ndërkombëtar.
Ushtria amerikanë bëri të ditur muajin e kaluar se Black nuk kishte kërkuar leje për udhëtimin dhe nuk ishte i autorizuar nga Departamenti i Mbrojtjes.