Zyrtarë të Kremlinit kanë thënë të hënën se kanë pasur kontakte me Shtetet e Bashkuara në lidhje me një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve që përfshin gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov citoi komentet e presidentit, Vladimir Putin në fillim të këtij muaji në një takim me redaktorët e lartë të agjencive ndërkombëtare të lajmeve. Putini pati thënë atëherë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ishin në kontakt për këtë çështje, raporton Reuters.
"Dua t'ju kujtoj përsëri bisedën e presidentit me krerët e agjencive të informacionit në Shën Petersburg - ai konfirmoi se ka kontakte të tilla”, ka thënë Peskov.
“Ato vazhdojnë por duhet të vazhdojnë të zhvillohen në heshtje të plotë... Prandaj nuk mund të jepen njoftime, deklarata apo informacione për këtë çështje”, ka shtuar ai.
Kur u pyet se pse gjyqi për spiunazhin e Gershkovichit do të mbahet me dyer të mbyllura, Peskovi ka thënë se ai nuk ishte në gjendje të komentonte për çështje të tilla pasi ishte një vendim i marrë nga gjykata.
"Ky është një vendim gjykate. Ne nuk mund ta komentojmë atë”, është shprehur Peskovi.
Gershkovich, 32 vjeç, u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) më 29 mars 2023, në një shtëpi në qytetin Urals të Yekaterinburgut, 1,400 km në lindje të Moskës, me akuzën e spiunazhit që mbart deri në 20 vite burgim.
Gazetari i parë amerikan që u arrestua me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë më shumë se tri dekada më parë, Gershkovichi i ka mohuar vazhdimisht akuzat.