Ukraina ka bërë të ditur se objektet e saj energjetike u goditën nga një sulm masiv nga Rusia gjatë natës, në sulmin e fundit që synon rrjetin elektrik të vendit.
Është hera e tetë që Rusia ka nisur një sulm ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike në tre muajt e fundit, njofton ministria e energjisë e Ukrainës.
Sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 12 nga 16 raketat dhe të 13 dronët e lëshuar nga Rusia në disa rajone gjatë natës, raportuan forcat ajrore ukrainase.
Dy punëtorë të energjisë u plagosën dhe u dërguan në spital në rajonin e Zaporizhzhias, dhe pajisjet e energjisë u dëmtuan në qytetin perëndimor të Lvivit, shtuan zyrtarët, raporton BBC.
Në rajonin jugperëndimor të Ivano-Frankivsk, autoritetet raportuan gjithashtu dëme në shtëpi dhe një kopsht fëmijësh.
Rusia ka forcuar fushatën e saj të sulmeve ndaj objektivave të energjisë ukrainase gjatë pranverës dhe fillimit të verës, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta në të gjithë vendin.
Presidenti Volodymyr Zelensky kohët e fundit tha se Moska kishte shkatërruar gjysmën e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike të vendit të tij që kur filloi të godasë objektet e saj energjetike në fund të marsit.