Botë

Rusia mohon ndërhyrjen në zgjedhjet në Rumani

Rumani

Moska zyrtare ka mohuar çdo akuzë se kishte ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Rumanisë, duke i quajtur të pabaza akuzat. 

“Ne nuk e kemi zakon të ndërhyjmë në zgjedhjet në vende të tjera, as në Rumani, dhe as nuk kemi ndërmend ta bëjmë këtë tani”,  u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Gjykata e lartë e Rumanisë urdhëroi të enjten një rinumërim të votave në raundin e parë të zgjedhjeve dhe organi më i lartë i sigurisë i vendit paralajmëroi se Rumania ishte një objektiv kryesor për veprimet armiqësore nga Rusia pas një rezultati tronditës në fletëvotim, raporton Reuters. 

Fitues ka dalë politikani i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, i cili ka qenë kritik ndaj NATO-s dhe ka theksuar se Rumania nuk duhet ta sfidojë Rusinë. Ai do të përballet me kandidaten e qendrës Elena Lasconi në balotazhin e 8 dhjetorit.

Peskov u tha gazetarëve se akuzat kundër Moskës ishin pjesë e një tendence në Perëndim ku “nëse ndodh diçka, para së gjithash Rusia duhet të fajësohet”.