Botë

Rusia “mërdhin” rezervistët e thirrur për luftë

Tani është e qartë se në një vend ku pothuajse të gjithë burrat nën 65 vjeç janë të regjistruar si pjesë e rezervës, procesi i mobilizimit nuk u krye me kujdes. Ka pasur një vërshim raportesh për thirrje që u janë dërguar atyre që nuk kanë përvojë ushtarake. Policia grumbulloi burra në rrugët e Moskës dhe qyteteve të tjera, ose bastisi bujtina për të kapur mysafirë në moshë luftarake

Rezervistët e mobilizuar që presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi javën e kaluar në një poligon në juglindje të Moskës dukeshin të përsosur.

Videoja e Kremlinit e të rinjve të drejtuar për në luftën në Ukrainë i tregoi ata me uniforma në gjendje të mirë, të pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme për luftim: helmeta, jelek antiplumb dhe çanta gjumi. Kur Putini pyeti nëse kishin ndonjë problem, ata tundën kokën.

Kjo është në kontrast të plotë me ankesat që qarkullojnë gjerësisht në mediat ruse të lajmeve dhe mediat sociale për mungesat e pajisjeve, kushtet e këqija të jetesës dhe trajnimin e paktë për rekrutët e rinj.

Qëkur Putini shpalli mobilizimin më 21 shtator, mediat e pavarura dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kanë paraqitur një pamje të zymtë të një përpjekjeje të rastësishme, kaotike dhe të njëanshme etnike për të mbledhur sa më shumë burra dhe për t'i shtyrë ata shpejt në frontet e para pavarësisht nga aftësitë, trajnimet dhe pajisjet.

Videot në rrjetet sociale ruse treguan burra të rekrutuar që ankoheshin për akomodime të ngushta, të ndyra, tualete të mbushura me plehra dhe mungesë ushqimi dhe ilaçesh. Disa treguan burra që shfaqnin armë të ndryshkura.

Në një video, një grup rekrutësh pozicionohen në një fushë, duke pretenduar se ata kishin mbetur atje pa ushqim apo strehë. Klipe të tjera përshkruanin burra të detyruar të flinin në stola të zhveshur ose të ngjeshur fort në dysheme.

Dekreti i Putinit për mobilizimin e pjesshëm nuk përshkruan kriteret për rekrutët ose nuk tha se sa do të thirreshin. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se do të prekë vetëm rreth 300 mijë rezervistë me përvojë përkatëse luftarake ose shërbimi.

Protestat e rusëve

Image

Protestat e rekrutimit janë shtypur ashpër dhe dhjetëra mijëra burra u larguan nga Rusia në vendet fqinje për të shmangur shërbimin.

Një javë pas dekretit një i ri hapi zjarr ndaj një oficeri rekrutimi në qytetin siberian të Ust-Ilimskut, duke e plagosur rëndë atë. Më 15 tetor, një shkëmbim zjarri në një kamp trajnimi në rajonin jugor të Belgorod vrau 11 persona dhe plagosi 15 të tjerë. Zyrat e regjistrimit dhe ndërtesat e tjera administrative janë djegur gjithashtu.

Tani është e qartë se në një vend ku pothuajse të gjithë burrat nën 65 vjeç janë të regjistruar si pjesë e rezervës, procesi i mobilizimit nuk u krye me kujdes. Ka pasur një vërshim raportesh për thirrje që u janë dërguar atyre që nuk kanë përvojë ushtarake. Policia grumbulloi burra në rrugët e Moskës dhe qyteteve të tjera, ose bastisi bujtina për të kapur mysafirë në moshë luftarake. Zyrat e regjistrimit shpesh anashkalonin kontrollet e kërkuara shëndetësore.

Thirrja e nxituar vështirë se do të arrijë ndonjë gjë tjetër përveç "ngadalësimit të përparimeve" të trupave ukrainase në luftën 8-mujore, tha në një intervistë analisti ushtarak Pavel Luzin.

Moska thjesht po "zgjat agoninë" në Ukrainë, tha Luzin, një studiues vizitor në Shkollën Fletcher në Universitetin Tufts.

Aktivistët thonë gjithashtu se pakicat etnike në disa rajone u rekrutuan në numër joproporcional. Qarkulluan video të protestave në rajonin me shumicë myslimane të Dagestanit, me të afërmit që ankoheshin se zona po siguronte më shumë rekrutë se kudo tjetër.

Sipas Yekaterina Morland, një vullnetare në Fondacionin Aziatik të Rusisë, Buryatia ka parë norma mobilizimi deri në gjashtë herë më të larta se rajonet evropiane të Rusisë.

Në dy javët e para të thirrjes autoritetet në disa rajone raportuan se dërguan në shtëpi qindra burra që u rekrutuan pavarësisht se nuk përmbushnin kriteret.

"Detyra e një zyre të regjistrimit ushtarak është të rekrutojë - të rekrutojë këdo që mund të rrëmbejë", thotë Elena Popova, koordinatorja e Lëvizjes së Kundërshtuesve të Ndërgjegjes.

Vetë Putini pranoi publikisht "gabimet" në proces dhe kërkoi përmirësimin e tij.

Por edhe kur thirrjet u shkonin atyre që kishin shërbyer në ushtri, kjo nuk do të thoshte domosdo se ata kishin aftësi në fushën e betejës. Disa ish-rekrutë shpesh nuk marrin trajnimin e duhur ushtarak kur shërbejnë dhe në vend të kësaj janë të angazhuar në punë të rëndomta.

Pa përvojë

Image

Një grua që foli për Associated Press në kushte anonimiteti, sepse kishte frikë nga hakmarrja, tha se burri i saj 31-vjeçar bëri shërbimin e tij të detyrueshëm gjashtë vjet më parë dhe nuk kishte "asnjë stërvitje në poligon ose ndonjë stërvitje luftarake në terren" por autoritetet u përpoqën ta rekrutonin gjithsesi.

Në fakt, ai kishte mbajtur një armë vetëm një herë, kur u mësuan se si të zhvisheshin dhe të montonin një pushkë automatike, tha ajo.

Të afërmit e rekrutëve raportuan se duhej të shpenzonin paratë e tyre për pajisjet dhe nevojat themelore. U krijuan grupe online për të mbledhur fonde për pajisje.

Një fushatë u drejtua nga ligjvënësi i mbështetur nga Kremlini dhe prezantuesi i televizionit shtetëror Yevgeny Popov, i cili tha se rezervistët në divizionin e artilerisë Taman morën këpucë dhe rroba, por kishin "një mungesë akute të dronëve, radiove, telefonave inteligjentë me harta (për gjuajtësit), dylbi dhe drita dore”, tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pranoi të mërkurën problemet e vazhdueshme me pajisjet për të rekrutuarit, por "masat e fuqishme të marra për të korrigjuar situatën po japin tashmë rezultatet e para pozitive".

Ai tha se autoritetet rajonale janë të përfshira në sigurimin e "pajisjeve që mungojnë" dhe tani zëvendëskryeministri Denis Manturov "është personalisht përgjegjës për këtë" në një këshill koordinues që ka krijuar Putini.

Mediat ruse raportuan vdekje të shumta të rezervistëve në Ukrainë, me të afërmit e tyre që u thanë mediave se ata kishin marrë shumë pak trajnim.

Kur u pyet nga një gazetar se pse disa rezervistë kishin vdekur në Ukrainë vetëm tri javë pasi u thirrën, Putini konfirmoi se trajnimi mund të zgjaste nga 10 deri në 25 ditë.

Luzini, analist ushtarak, tha se Rusia nuk është në gjendje të trajnojë qindra mijëra burra. “Ushtria nuk ishte gati për mobilizim. Nuk u përgatit kurrë për të”, tha ai.

Putini ka premtuar se do të përfundojë lëvizjen e mobilizimit deri në nëntor, kur është planifikuar rekrutimi i rregullt i vjeshtës. Ekspertët ushtarakë dhe grupet e të drejtave thonë se zyrat e regjistrimit dhe kampet e trajnimit nuk mund t'i përpunojnë të dyja në të njëjtën kohë, duke paralajmëruar se thirrja mund të rifillojë muaj më vonë.

Që nga mesi i tetorit, 222 mijë rezervistë janë rekrutuar, tha Putini. Është e paqartë nëse do të jetë e mundur të regjistrohen edhe 80 mijë të tjerë në dy javët e mbetura.

Në përpjekje për të zgjeruar grupin, parlamenti rus hoqi të mërkurën një ndalim për mobilizimin e burrave që janë dënuar për një vepër të rëndë penale dhe që janë liruar nga burgu.

Mediat e pavarura dhe me prirje opozitare kanë publikuar udhëzime se si të shmanget thirrja në mënyrë ligjore. Grupet e të drejtave këshillojnë burrat që të mos nënshkruajnë thirrjen – gjë që kërkohet që ajo të konsiderohet e kryer ligjërisht – dhe të mos shkojnë pranë zyrave të regjistrimit.

Disa burra po kërkojnë shërbimin civil alternativ, një e drejtë që avokatët thonë se garantohet nga kushtetuta.

Kirill Berezin, 27 vjeç, iu përgjigj një njoftimi thirrjeje të futur nën derën e banesës së tij në Shën Petersburg duke shkuar në një zyrë regjistrimi për të aplikuar për shërbimin civil alternativ, por ai u dërgua gjithsesi në një njësi ushtarake, sipas mikes së tij, Marina Tsyganova.

Berezini, i cili që atëherë është dërguar në një strukturë stërvitore në Rusinë jugore, ua dorëzoi komandantëve të tij një dokument që thoshte se "nuk mund të shërbejë me armë, nuk mund të vrasë njerëz dhe të ndihmojë njerëzit që e bëjnë këtë", sepse ishte "në kundërshtim me ndërgjegjen time”.

Tsyganova i tha AP-së se ajo e përfaqësonte atë në një gjykatë në Shën Petersburg, e cila javën e kaluar hodhi poshtë padinë e Berezinit, duke thënë se vetëm rekrutët e rregullt nën 27 vjeç kanë të drejtë për shërbimin civil alternativ. Ekipi i tij mbrojtës ka në plan të apelojë, tha ajo, dhe së paku, ajo shpreson se ai nuk do të dërgohet në Ukrainë ndërkohë që beteja ligjore vazhdon.

Përktheu: Forca Jashari