Botë

Rusia kundër NATO-s: Zgjerimi në Ukrainë “vijë e kuqe” për Putinin

“Është fjala për veprime që e garantojnë sigurinë e të dyja shteteve tona. Presidenti Putin ka përmendur vazhdimisht çështjen e zgjerimit potencial të infrastrukturës së NATO-s në territorin e Ukrainës dhe (ai) ka thënë se kjo gjë do të shkelte vijat e kuqe, të cilat i ka përmendur më herët”, ka njoftuar Kremlini, kur është pyetur nga “Reutersi” lidhur me pretendimet e presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, rreth veprimeve të përbashkëta me Moskën për ta kundërshtuar aktivitetin në rritje të NATO-s

Kremlini ka paralajmëruar të hënën se çdo lloj ekspansioni i infrastrukturës ushtarake të NATO-s në Ukrainë do të përbënte shkeljen e “vijave të kuqe” të presidentit Vladimir Putin, përderisa Bjellorusia ka bërë të ditur se është pajtuar të ndërmarrë veprime me Moskën për ta kundërshtuar aktivitetin në rritje të Aleancës Veriatlantike.

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, një aleat i afërt i Moskës, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për krijimin e qendrave të trajnimit në Ukrainë, për të cilat ai tha se konsistojnë me baza ushtarake. Ai ka thënë se e ka diskutuar çështjen me Putinin, ka raportuar “Reuters”.
“Është e qartë se duhet të reagojmë karshi kësaj... (Ne) jemi dakorduar se duhet të ndërmarrim disa masa në kundërpërgjigje”, ka thënë Lukashenko i cituar nga agjencia ruse e lajmeve RIA.

Ukraina ka nisur trajnimet ushtarake me SHBA-në dhe trupat e vendeve të tjera anëtare të NATO-s gjatë javës së shkuar, derisa Rusia dhe Bjellorusia kanë zhvilluar manovra të përmasave të gjera që kishin alarmuar Perëndimin.

Ukraina, e cila nuk është anëtare e NATO-s, prej kohësh ka kërkuar marrëdhënie më të afërta me Perëndimin dhe ushtritë e saj. Vendi ka pasur marrëdhënie të trazuara me Rusinë, qëkur Moska e ka aneksuar gadishullin e Krimesë më 2014 dhe ka mbështetur luftimet separatiste në lindje të Ukrainës.

Rusia e ka kundërshtuar fuqimisht idenë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Ka alarmuar Ukrainën dhe Perëndimin më herët gjatë vitit, duke grumbulluar forcat e saja ushtarake afër kufirit me vendin.

I pyetur nga “Reutersi” se cilave veprime të përbashkëta po u referohej Lukashenko, Kremlini ka specifikuar: “Fjala është për veprime që e garantojnë sigurinë e të dyja shteteve tona”.

“Presidenti Putin ka përmendur vazhdimisht çështjen e zgjerimit potencial të infrastrukturës së NATO-s në territorin e Ukrainës dhe (ai) ka thënë se kjo gjë do të shkelte vijat e kuqe, të cilat i ka përmendur më herët”, ka njoftuar Kremlini, raporton agjencia.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka kundërshtuar nocionin e “vijave të kuqe” ruse jashtë kufijve të vetë Rusisë dhe ka thënë se Kievi duhet të mendojë për vetë sigurinë e tij.

“’Vijat e kuqe’ të Putinit janë të limituara përbrenda kufijve të Rusisë”, ka shkruar ai në “Twitter”. “Në anën tonë të kufirit ukrainaso-rus ne mund të kujdesemi vetë se çfarë të bëjmë në interesin e popullit ukrainas, si dhe për sigurinë e Ukrainës dhe të Evropës”, ka cituar “Reuters” pretendimet e ministrit Kuleba.