Rusia ka nisur një sulm ajror në Ukrainë të martën, duke goditur kryeqytetin dhe rajone të tjera me raketa dhe dronë të shumtë.
Forcat ajrore të Ukrainës raportuan një kërcënim me raketa balistike në orën 3:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale, teksa të paktën dy shpërthime janë dëgjuar në Kiev minuta më vonë.
Një tjetër alarm për raketa është lëshuar në orën 8:00 të mëngjesit, i ndjekur nga të paktën një shpërthim në qytet. Mbetjet e raketave ranë në lagjen Darnytskyi të kryeqytetit pa raportime për viktima apo dëme, sipas administratës lokale, raporton AP.
Autoritetet në rajonin verilindor Sumy raportuan sulme pranë qytetit të Shostka, ku kryetari i bashkisë, Mykola Noha, ka thënë se janë dëmtuar 12 ndërtesa banimi dhe dy objekte arsimore. Ai ka njoftuar se disa “objekte të infrastrukturës sociale” janë shkatërruar, por pa dhënë detaje.
Rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar gjatë luftës dhe ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike janë të zakonshme.
Aleatët perëndimorë të Kievit kanë ofruar sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë infrastrukturën kritike, por Rusia po përpiqet vazhdimisht që të mposht mbrojtjen e saj ajrore me sulme të kombinuara që përfshijnë një numër të madh raketash dhe dronësh.