Botë

Rusia kryen sulme masive me dronë në 15 rajone të Ukrainës

Ukraine

Foto: Associated Press

Forcat ruse kanë kryer një sulm masiv me dronë gjatë natës të së mërkurës në 15 rajone të Ukrainës, duke shkaktuar dëme në ndërtesat komerciale dhe ato të banimit.

Autoritetet lokale nuk kanë bërë të ditur për pasoja në njerëz, raporton Reuters.

Forca ajrore ukrainase ka bërë të ditur se ka rrëzuar 78 nga 105 dronë rusë gjatë sulmit. 

Autoritetet në kryeqytetin ukrainas Kiev kanë thënë se forcat ajrore kishin rrëzuar rreth 15 dronë mbi qytet dhe rrethinat e tij, gjatë një alarmi ajror që ka zgjatur më shumë se pesë orë.

Sulmi gjatë natës shkaktoi zjarre në tri rrethe të tjera të rajonit të Kievit, të cilat që atëherë janë shuar, kanë thënë autoritetet rajonale.

Një sulm në rajonin jugor të Odesës dëmtoi linjat e energjisë elektrike, sipas guvernatorit rajonal Oleh Kiper. Punëtorët rikthyen energjinë për më shumë se 3,000 konsumatorë, megjithëse 2,000 njerëz të tjerë mbetën pa energji në një nga rrethet, ka bërë të ditur ai.

Dhjetëra dronë rusë shënjestruan gjithashtu rajonin qendror të Ukrainës Poltava, duke dëmtuar gjashtë ndërtesa tregtare dhe duke thyer xhamat në një ndërtesë banimi dhe një kopsht fëmijësh, ka njoftuar guvernatori Filip Pronin në Telegram.