Përfaqësuesit nga Kina, Rusia, dhe Irani kanë bërë thirrje të premten për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe rifillim të bisedimeve shumëpalëshe mbi çështjen e programit bërthamor të Iranit, shkruan AP.
Deklarata e përbashkët e takimit ka theksuar “nevojën për heqjen e të gjitha sanksioneve të paligjshme unilaterale”, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kinës, Ma Zhaoxum, që e lexonte atë krah për krah me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Ryabkov Sergey Alexeevich, dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Kazem Gharibabadi.
“Të tri vendet kanë përsëritur se angazhimi politik e diplomatik, si dhe dialogu i bazuar në parimin e respektit të ndërsjellë vazhdon të mbetet zgjidhja më e qëndrueshme dhe praktike sa i përket kësaj çështje”, ka lexuar Ma.
Kina dhe Rusia janë të dyja anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, së bashku me Francën dhe Britaninë, që morën pjesë në marrëveshjen bërthamore me Iranin të arritur në vitin 2015, përkrah Gjermanisë dhe BE-së.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi Amerikën nga kjo marrëveshje gjatë mandatit të tij të parë, duke prodhuar tensione të reja në raportet e brishta me Iranin.
Irani insiston se programi i tij bërthamor është paqësor. Megjithatë, zyrtarët e lartë iranianë kanë shfaqur indikacione se avancimi i programit bërthamor ka për qëllim prodhimin e kokave bërthamore.
Kina në anën tjetër, ka synuar një rol më aktiv në çështjet e Lindjes së Mesme dhe vitin e kaluar ka ndërmjetësuar bisedimet që dërguan në normalizimin e raporteve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Iranit.
