Botë

Rusia kërkon garanci “të hekurta'” në traktatin e paqes me Ukrainën

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Rusia do të kërkojë garanci "të hekurta" në çdo marrëveshje paqeje për Ukrainën se vendet e NATO-s do të përjashtojnë Kievin nga anëtarësimi dhe se Ukraina do të mbetet neutrale, ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko në një intervistë për median ruse “Izvestia”, të botuar të hënën.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po përpiqet të sigurojë pajtimin e Vladimir Putinit për një propozim 30-ditor të armëpushimit që Ukraina e pranoi javën e kaluar dhe për të cilin presidenti rus thotë se duhet të plotësojë kushtet vendimtare për të qenë i pranueshëm, raporton Reuters.

Trumpi pritet të flasë me Putinin të martën për mënyrat për t'i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë.

Grushko ka thënë se çdo traktat paqeje afatgjatë për Ukrainën duhet të përmbushë kërkesat e Moskës.

"Ne do të kërkojmë që garancitë e hekurta të sigurisë të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje”, ka cituar “Izvestia” të ketë thënë Grushko.

"Pjesë e këtyre garancive duhet të jetë statusi neutral i Ukrainës, refuzimi i vendeve të NATO-s për ta pranuar atë në aleancë”, ka shtuar ai.

Moska është kategorikisht kundër vendosjes së vëzhguesve të NATO-s në Ukrainë, ka përsëritur Grushko qëndrimin e Kremlinit.

Britania dhe Franca kanë thënë të dyja se janë të gatshme të dërgojnë forca paqeruajtëse për të monitoruar çdo armëpushim në Ukrainë. Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se vendi i tij është gjithashtu i hapur ndaj kërkesave.

"Nuk ka rëndësi se me çfarë etikete do të vendoseshin kontigjentet e NATO-s në territorin ukrainas: qoftë si Bashkim Evropian, NATO, apo në një kapacitet kombëtar”, ka shtuar Grushko.

“Nëse paraqiten aty, do të thotë se janë dislokuar në zonën e konfliktit me të gjitha pasojat për këto kontingjente si palë në konflikt”.

Grushko ka thënë po ashtu se aleatët evropianë të Kievit duhet të kuptojnë se vetëm përjashtimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe eliminimi i mundësisë së vendosjes së kontigjenteve të huaja ushtarake në territorin e saj do të funksionojë për rajonin.

LEXO EDHE: