Botë

Rusia “gati” për bisedime, por kërkon njohjen e territoreve të pushtuara

Sergei Lavrov

Foto: Associated Press

Rusia pretendon se është e gatshme të zhvillojë bisedime me Ukrainën “pa asnjë parakusht”, ka raportuar agjencia franceze e lajmeve AFP të ketë njoftuar media shtetërore ruse, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vuri në dyshim gatishmërinë e liderit rus, Vladimir Putin, për të ndalur ofensivën trevjeçare.

Por më pas në komente të tjera, të raportuara pothuajse njëkohësisht nga AFP, diplomati më i lartë i vendit ka thënë se pretendimet e tij mbi pesë rajone të Ukrainës, përfshirë Krimenë, ishin "të domosdoshme" për bisedimet që synonin zgjidhjen e konfliktit.

“Njohja ndërkombëtare e pronësisë nga Rusia të Krimesë, Sevastopolit, Republikës Popullore të Donetskut, Republikës Popullore të Luhanskut, rajoneve Kherson dhe Zaporizhzhia është e domosdoshme”, ka thënë ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov për gazetën braziliane “O Globo”, duke përdorur emrat e Kremlinit për rajonet e Ukrainës.

Në intervistën, e publikuar në internet, Lavrov ka thënë gjithashtu se topi "nuk ishte në fushën tonë" pasi ai u përpoq të ushtronte presion mbi Kiev për të bërë lëshime në mënyrë që të përparonin bisedimet.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të dielën për gazetarët se mendonte që Zelensky ishte i gatshëm t’ia dorëzonte Krimenë Rusisë.

Deklarata e tij vjen një ditë pas takimit që ai ka zhvilluar në Romë me Zelenskyn, pak minuta para funeralit të Papa Françeskut.