Botë

SHBA-ja e Britania shpalosin sanksionet, Franca kërkon tërheqjen e Rusisë, Ukraina numëron mbi 50 viktima

Rusia ka nisur në orët e hershme të ditës së enjte ofensivën ndaj Ukrainës

22:50 - Mbi 1,700 të arrestuar në protestat e rusëve kundër luftës

Më shumë se 1,700 njerëz janë arrestuar gjatë protestave kundër luftës në dhjetëra qytete në Rusi, raporton një mbikëqyrës i pavarur.

Më shumë se 900 u arrestuan në Moskë dhe mbi 400 në Shën Petersburg, sipas OVD-Info, e cila gjurmon arrestimet në mitingjet e opozitës.

Mijëra u mblodhën pranë sheshit Pushkin në qendër të Moskës, ndërsa deri në 1,000 njerëz u mblodhën në ish-kryeqytetin perandorak Shën Petersburg.

22:19 - Macroni bisedon me Putinin, i kërkon ndërprerjen e sulmeve në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka folur përmes telefonit me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe i ka dhënë atij një shpjegim “shterrues” të arsyeve të veprimeve të Rusisë në Ukrainë, thotë Kremlini.

Ishte Macroni ai që kishte kërkuar këtë bisedë telefonike, ndërkohë që palët janë pajtuar që të mbesin në kontakt.

Macroni ka thënë se kërkuar që Putini të ndërpresë operacionet ushtarake në Ukrainë.

Presidenti francez është përpjekur të shmangë një pushtim rus në javët e fundit, duke përfshirë edhe mbajtjen e bisedimeve me Putinin në Kremlim.

22:06 - Policët rusë ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve në Moskë

Protestat e rusëve kundër pushtimit të Ukrainës po vazhdojnë në shumë qytete, ndërkohë në rrjetet sociale po qarkullojnë video të sjelljeve çnjerëzore të policëve.

Në një video, shihet se si policët rusë e tërheqin zvarrë një protestuese në Moskë.

Në protesta është bërë thirre për ndalje të luftës, që sot e ka nisur Rusia ndaj Ukrainës.

Protestuesit kanë bërë thirrje kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

21:56 - Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike kërkon të mbrohet Chernobyli

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka bërë thirrje për "përmbajtje maksimale" për të mbrojtur objektet bërthamore në Ukrainë, pas lajmeve të luftimeve rreth Chernobylit- vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë.

Organizata globale, e cila promovon përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, thotë se po e ndjek situatën në Ukrainë me "shqetësim të madh".

IAEA thotë se është informuar nga homologu i saj ukrainas se ndërkohë që forcat ruse kanë marrë kontrollin e ish-objektit bërthamor, nuk janë raportuar viktima apo shkatërrime.

Drejtori i përgjithshëm Mariano Grossi ka thënë se është me "rëndësi jetike" që operacionet e objekteve bërthamore në zonën e përjashtimit të Chernobylit "të mos preken ose të ndërpriten në asnjë mënyrë".

Chernobyli, i vendosur në veri të Kievit pranë kufirit me Bjellorusinë, ishte vendi i shpërthimit bërthamor më shkatërrues në histori në vitin 1986, kur një nga katër reaktorët e tij shpërtheu.

Reaktori i dëmtuar tani është varrosur nga një "strukturë mbyllëse" prej çeliku, dhe një sipërfaqe prej më shumë se 4,000 kilometra katrorë rreth objektit është braktisur.

21:24 - Më shumë se 100 mijë njerëz në Ukrainë janë zhvendosur për të ikur nga dhuna

Më shumë se 100,000 njerëz kanë lëvizur brenda Ukrainës, "duke ikur nga dhuna për siguri", ka thënë në një deklaratë të enjten, agjencia e refugjatëve e Kombeve të Bashkuara.

“Ka pasur zhvendosje të konsiderueshme brenda vendit, duket se më shumë se 100,000 njerëz kanë lëvizur brenda kufijve duke ikur nga dhuna për siguri. Dhe ka pasur lëvizje drejt dhe përtej kufijve ndërkombëtarë. Por situata është ende kaotike dhe evoluon me shpejtësi”, ka thënë Mattheë Saltmarsh, një zëdhënës në agjenci.

Organizatat e zhvendosjes së refugjatëve po mobilizojnë burime për të ndihmuar ukrainasit e zhvendosur, kanë thënë për CNN, avokatë të refugjatëve. Shkalla dhe shtrirja e zhvendosjes së refugjatëve ka të ngjarë të vihet në fokus në ditët dhe javët në vijim.

"Ne po punojmë për të mobilizuar shpejt burimet dhe për t'u lidhur me partnerët për të krijuar një përgjigje që do të sigurojë mbështetje për shpëtimin e jetës për civilët e detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre”, ka thënë në një deklaratë Lani Fortier, drejtor i lartë i emergjencave në Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield paralajmëroi të mërkurën në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se deri në pesë milionë njerëz mund të zhvendosen "nga lufta e zgjedhur e Rusisë".

Disa kontekste: Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur mijëra ukrainas në vitet e fundit. Procesi, megjithatë, mund të jetë i gjatë dhe i rëndë, që do të thotë se një fluks refugjatësh në SHBA nuk pritet menjëherë.

“Për shkak se zhvendosja nuk është përgjigja e parë në një situatë konflikti, ne nuk po parashikojmë një numër të madh refugjatësh ukrainas përmes programit të zhvendosjes së SHBA-së në mënyrë specifike,” tha Jenny Yang, nënkryetare e lartë e avokimit dhe politikës në Ëorld Relief, një tjetër agjenci risiste

21:21 - 57 ukrainas të vrarë e 169 të plagosur

Ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Lyashko, ka deklaruar se 57 ukrainas janë vrarë nga sulmet ruse ndërsa 169 janë plagosur.

Ai tha se sistemi shëndetësor aktualisht është i qëndrueshëm, derisa porositi që pacientët e tjerë që s’janë në gjende të rëndë, t’i lirojnë shtretërit spitalorë “për ata që mund të kenë më tepër nevojë”.

21:20 - Një avion transporti ushtarak rus është rrëzuar afër Ukrainës

Një avion transporti ushtarak rus është rrëzuar afër Ukrainës, ka raportuar agjencia shtetërore ruse e lajmeve.

Aeroplani ushtarak rus Antonov-26 u rrëzua në rajonin Voronezh, afër Ukrainës, ndërsa po transportonte pajisje, ka bërë të ditur në një deklaratë të enjten Qarku Ushtarak Perëndimor Rus, sipas RIA-s.

“Ekuipazhi vdiq”, thuhej në deklaratë, pa sqaruar se sa ishin në bord dhe duke thënë se shkaku i përplasjes ishte “dështimi i pajisjeve”.

20:05 -  Bideni prezanton masat “që do të dobësojnë Rusinë”

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka paraqitur të enjten mbrëma sanksionet e reja ndaj Rusisë, si pasojë e pushtimit të Ukrainës.

Bideni në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë, ka thënë se SHBA-ja do ta ndalojë aftësinë e Rusisë për të financiuar dhe rritur ushtrinë e saj.

19:50 - Dalin pamjet e Chernobylit nën kontrollin e ushtrisë ruse

Ushtria ruse ka marrë nën kontroll centralin bërthamor të Chernobylit. Nga pamjet që janë postuar në rrjete sociale, shihen tanke ruse teksa kontrollojnë centralin. Po sipas postimeve në rrjete sociale, disa punëtorë të centralit janë marrë peng.

Marrjen nën kontroll nga Rusia e ka konfirmuar edhe Presidenca e Ukrainës. Më herët u raportua për luftime të ashpra në këtë vend.

Centrali i Chernobylit është bërë i njohur pas shpërthimit të madh që ndodhi në të më 1986.

Centrali, me fonde të BE-së është konservuar vite më parë për të ruajtur shëndetin e njerëzve dhe mjedisit nga radioaktiviteti i madh.

 

 

19:26 - Britania ndalon aeroplanët rusë në hapësirën e saj ajrore

Mbretëria e Bashkuar po ndalon avionët civilë rusë nga hapësira e saj ajrore.

Linja ajrore ruse Aeroflot aktualisht operon fluturime direkte midis Moskës dhe Londrës, sipas faqes së saj të internetit.

19:23 - Rusia sulmon një nga portet më të mëdha të Ukrainës 

Qyteti port i Ukrainës, Mariupol, është duke u sulmuar fuqishëm, me raportime për qindra shpërthime, ka thënë një burim diplomatik për agjencinë e lajmeve Reuters.

Mariupol është një nga portet më të mëdha të Ukrainës në Detin Azov dhe ndodhet pranë vijës së frontit të mbajtur nga separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Donetskut - të cilin Vladimir Putin e ka njohur si një shtet të pavarur.

Marrja e Mariupolit do ta ndihmonte Rusinë të siguronte një rrugë të drejtpërdrejtë tokësore për në Krime, gadishullin ukrainas të aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Image

19:14 - Evakuimi i fëmijëve në Ukrainë pritet të bëhet me trena

Trena vullnetarë do të bëjnë evakuimin e fëmijëve nga zonat e luftimeve në Ukrainë. Një zëdhënës i Administratës Rajonale të Shtetit deklaroi se evakuimi pritet të bëhet të premten, ku shumica e të evokuarve do të jenë fëmijë jetimë.

“Një tjetër tren është nisur nga rajoni Donetsk me 106 fëmijë dhe një i tretë po transporton 18 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta nga Lysychansk në rajonin e Luhansk”, ka deklaruar zëdhënësi, raporton CNN.

19:13 - Mbi 700 të arrestuar në protestat kundër pushtimit të Ukrainës në Rusi

Të paktën 735 persona janë arrestuar në protestat e zhvilluara në të gjithë Rusinë, kundër luftës për pushtimin e Ukrainës, e cila ka nisur mëngjesin e së enjtes, ka bërë të ditur një mbikëqyrës i pavarur.

Protestuesit u arrestuan në 40 qytete, sipas OVD-Info, e cila gjurmon arrestimet në mitingjet e opozitës.

Më shumë se 330 persona janë arrestuar në Moskë, thuhet në deklaratë.

Një imazh i marrë nga një fotograf në vendngjarje tregon oficerët që ndalojnë një burrë duke mbajtur një pankartë ku shkruhej: "Jo luftës me Ukrainën! Putin të japë dorëheqjen".

19:00 - Ministria ruse konfirmon zhvendosjen e trupave nga Krimea në Ukrainë

Ministria ruse e Mbrojtjes ka konfirmuar se forcat e saj tokësore janë zhvendosur në Ukrainë nga Krimea, konfirmimi i parë nga Moska se forcat e saj tokësore janë zhvendosur.

Rusia më parë ka thënë vetëm se kishte lëshuar sulme ajrore dhe raketore në bazat ajrore të Ukrainës, bateritë e mbrojtjes ajrore dhe objektet e tjera ushtarake. Kjo ministri ka thënë se ka shkatërruar 83 objekte ushtarake ukrainase.

Për herë të parë që nga fillimi i aksionit, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov konfirmoi se trupat tokësore ruse ishin futur në Ukrainë, duke thënë se ata përparuan drejt qytetit të Kherson, në veriperëndim të Krimesë.

Kherson qëndron në rezervuar duke siguruar pjesën më të madhe të ujit të freskët për Krimenë derisa Ukraina e ndërpreu atë me një digë në vitin 2017, në përgjigje të aneksimit të gadishullit të Krimesë të Ukrainës nga Moska, në vitin 2014.

Konashenkov tha se lëvizja e trupave ruse lejoi rifillimin e furnizimit me ujë në Krime.

 

18:46 - Rusia merr nën kontroll centralin bërthamor të Chernobylit 

Termocentrali bërthamor i Chernobylit është pushtuar nga forcat ruse, ka deklaruar këshilltari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Mykhailo Podolyak.

“Është e pamundur të thuhet se termocentrali bërthamor i Chernobylit është i sigurt pas një sulmi krejtësisht të kotë nga rusët”, ka thënë ai.

"Ky është një nga kërcënimet më serioze në Evropë sot”, ka shtuar Podolyak.

18:41 - Putini u thotë biznesmenëve rus se s’kishte zgjidhje tjetër për Ukrainën

Presidenti rus, Vladimir Putin, u ka thënë të enjten bizneseve ruse se ai nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të urdhëronte atë që ai e quajti një operacion special kundër Ukrainës.

Putini ka thënë se të gjitha përpjekjet e mëparshme të Moskës për të ndryshuar situatën e sigurisë nuk kanë çuar gjëkundi.

18:29 - Tregjet ruse e mbyllin ditën për 33% më dobët

Indeksi kryesor MOEX i Rusisë përfundoi seancën e së enjtes për 33% më dobët pas veprimit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

Kompanitë dhe bankat e mëdha ruse të energjisë u goditën më së shumti mes pritjeve që Perëndimi do të shpallte sanksione më të ashpra. Gazpromi ra për 38% dhe Rosneft ra për 40%, ndërsa bankat VTB dhe Sberbank gjithashtu ranë më shumë se 40%.

Rubla ruse mbetet në nivelet më të ulëta, duke rënë 7% kundrejt dollarit amerikan.

18:11 - Ngrihen aktivitetet e bankave kryesore ruse në Britani

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka folur për sanksionet e reja kundër Rusisë, duke thënë se ukrainasit po ofrojnë një "mbrojtje të ashpër" dhe duke e quajtur Vladimir Putin një "agresor me gjak".

Ai ka njoftuar se të gjitha bankat kryesore ruse do të përballen me një ngrirje të plotë të aktiviteteve në Mbretërinë e Bashkuar.

18:04 - Ministria e Brendshme ukrainase: Fitorja është e jona

Ministria e Punëve të Brendshme e Ukrainës ka raportuar 392 raste të bombardimeve nga forcat ruse në Ukrainë, ka thënë të enjten një zëdhënës i ministrisë.

17:55 - Pamje trishtuese nga Kievi: Predha, dëmtime e radhë të gjata të qytetarëve

Kryeqyteti Kievi dhe e gjithë Ukraina po përjetojnë ditët më të errëta. Ky vend është gdhirë sot me sulme nga të tri anët nga Rusia.

Ne videon e agjencisë AP, shihen predhat ruse që janë hedhur, objekte të dëmtuara, por edhe qytetarë të shumtë duke pritur në radhë për të tërhequr para nga banka, për t’u furnizuar me derivate apo për të braktisur qytetin.

17:44 - Zelensky flet për luftime të rënda në Chernobyl

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i është drejtuar sërish popullit të Ukrainës këtë pasdite, duke e ndërruar kostumin e tij të errët me një uniformë ushtarake.

Në fjalimin e tij të fundit ai i krahason luftimet me "tingullin e perdes së re të hekurt që po bie dhe po mbyll Rusinë nga bota e civilizuar", duke shtuar se "detyra jonë është që ajo perde të mos bjerë në territorin ukrainas".

Ai ka folur për një pauzë operacionale dhe pretendon se forcat ukrainase kanë mbrojtur me sukses rajonin lindor të Donbasit, si dhe kanë luftuar pranë Kharkiv.

Zelensky ka thënë se zona më problematike është në Kherson në jug të vendit, ku trupat ruse janë zhvendosur në veri nga Krimea e aneksuar.

Në veri, ai ka përshkruar luftime të rënda në Chernobyl. Ai ka folur gjithashtu për humbjet e trupave si dhe për ushtarët rusë të kapur.

Zelensky ka thënë se shumë aviacion dhe automjete ruse janë shkatërruar.

“Ne shohim se shumë rusë janë të shokuar me atë që po ndodh”, është shprehur Zelensky.

17:36 - Diplomati ukrainas: Ukraina nuk ka pajisje të mjaftueshme për të zmbrapsur Rusinë

Ukraina aktualisht nuk ka pajisje të mjaftueshme ushtarake për t'u mbrojtur, ka deklaruar të enjten ambasadori ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar, Vadym Prystaiko.

"Në këtë moment të veçantë, ne kemi mjaft njerëz, por nuk kemi pajisje të mjaftueshme”, ka thënë Prystaiko kur u pyet nëse forcat e Ukrainës në terren janë të afta të zmbrapsin sulmin rus.

Ndërsa foli me gazetarët në Ambasadën e Ukrainës në Londër, ai shtoi se Ukraina ka qenë e hapur për nevojën për pajisje ushtarake, plus mbështetje financiare dhe humanitare nga vendet e tjera.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të shpallin një paketë mbështetjeje humanitare për Ukrainën më vonë të enjten, si dhe sanksione kundër Rusisë.

“Por ne po bëjmë një luftë të vërtetë. Tanke, helikopterë, aeroplanë duke u rrëzuar. Ne po mbrojmë tokën tonë”, ka shtuar Prystaiko.

Disa zona janë të vështira për t'u mbrojtur, pranoi ai, me Rusinë që bllokon Detin e Zi dhe Detin Azov.

“Kjo po kufizon aftësitë e Ukrainës për të sjellë përforcime dhe furnizime”, ka thënë ai, duke shtuar se furnizimet humanitare do të nevojiten "shumë shpejt, në mënyrë kritike".

17:28 - Një brigadë e tërë ruse dorëzohet pranë Chernobylit

Ushtria e Ukrainës ka njoftuar para pak minutash se një brigadë e tërë ruse është dorëzuar tek ajo.

Sipas njoftimit të Ushtrisë ukrainase, që është shpërndarë edhe nga faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Ukrainës në Facebook, brigada 74 e Rusisë është dorëzuar, pasi më parë kishte nisur sulmin për marrjen nën kontroll të centralit bërthamor të Chernobylit.

Kjo brigadë ishte futur në Ukrainë nga Bjellorusia.

17:23 - G7: Putini e ka vënë veten në anën e gabuar të historisë

Në një deklaratë të përbashkët pas një takimi virtual të enjten, udhëheqësit e G7-s kanë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin ka "rifutur luftën në kontinentin evropian".

“Ai e ka vënë veten në anën e gabuar të historisë”, thanë udhëheqësit përmes kësaj deklarate.

17:12 - Ukraina zë peng ushtarë rusë

Ministria e Punëve të Brendshme e Ukrainës po vazhdon të prezantojë punën “që po e bën në terren” në luftë me Rusinë, e cila ka nisur sot.

Në faqen zyrtare në Facebook, kjo ministri ka treguar disa ushtarë rusë të zënë peng, pastaj një tank të sekuestruar dhe ushqime e veshmbathje të ushtarëve.

Image

17:11- Përfundon takimi i G7-s për Ukrainën, shumë shpejt priten qëndrime

Takimi i liderëve të G7-s ka përfunduar pas më shumë se një ore, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Pjesëmarrësit e takimit, sipas Shtëpisë së Bardhë, ishin: presidenti i SHBA Joe Biden, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë, Mario Draghi, kryeministrja e Japonisë, Kishida Fumio, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shumë shpejtë pritet që nga ky takim të dilet me konkluzione lidhur me situatën në Ukrainë.

17:00 - Ukraina zbulon videon e helikopterit të rrëzuar rus

Ushtria ukrainase ka rrëzuar një helikopter ushtarak rus të tipit K-52. Videon ku shihet helikopteri i rrëzuar, e ka publikuar Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës në faqen e saj në Facebook.

16:57 - Më shumë se 100 raketa janë lëshuar deri tani mbi Ukrainë

Sulmet fillestare ruse në Ukrainë që filluan në orët e para të së enjten kanë përfshirë "afërsisht më shumë se 100 raketa të llojeve të ndryshme të lëshuara nga Rusia, ka bërë të ditur të enjten një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

“Raketat përfshinin raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi si armë kryesore, por numri përfshinte gjithashtu raketa balistike me rreze të mesme, raketa lundrimi, raketa tokë-ajër dhe raketa të lëshuara nga Deti i Zi”, ka bërë të ditur ky zyrtar.

16:47 - Britaniku i izoluar në Kiev: Fluturimin e kisha javën e ardhshme

Murtaza Hameed, student britanik në Kiev, deklaroi se sulmet ruse e zgjuan nga gjumi, derisa shtoi se shpërthimet ishin të njëpasnjëshme. Ai i tha BBC-së se jeton rreth 40 minuta nga aeroporti Boryspil dhe kur u zgjua ishte i tmerruar.

Ai shtoi se shumica e njerëzve kanë ikur në strehimore por që vet s’ka pranuar të largohet.

“Natyra e papritur e sulmit është tronditje e madhe. Kam marrë disa furnizime që zgjasin për disa ditë, ujë, ushqime që nuk prishen e kështu me radhë”, deklaroi Hameed.

I pyetur pse nuk u largua nga Ukraina, studenti tha se fluturimin e kishte javën e ardhshme por që tashmë ky opsion nuk ekziston.

16:46 - Kufijtë perëndimor të Ukrainës mbeten stabil

Kufiri i Ukrainës perëndimore mbetet i qëndrueshëm, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës.

Në kufirin perëndimor të Ukrainës, situata në pikat e kontrollit mbetet e qëndrueshme, megjithëse ka një rritje të trafikut, sipas një deklarate të re nga Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës.

"Duhet theksuar se aktualisht nuk ka kufizime për largimin e shtetasve ukrainas jashtë vendit, përveç siç parashikohet me ligj. Operacionet e pranimit kryhen në mënyrë ritmike. Nuk u krijuan situata konflikti. Në disa vende, ka vonesa teknike në punën e kufirit. Në territorin e Ukrainës, të gjitha shërbimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës sigurojnë ligjin dhe rendin, ofrojnë ndihmë për të lënduarit, eliminojnë shkatërrimet dhe zjarret”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vendosur ligjin ushtarak pasi Rusia nisi një pushtim ushtarak në shkallë të gjerë në vend, në orët e para të së enjtes.

16:37 - SHBA-ja dërgon 5.500 trupa shtesë në Poloni

SHBA-ja po përgatit dërgimin e 5.500 trupave në Poloni, ka bërë të zëdhënësi i ushtrisë amerikane, përcjell “NewYork Times”.

Dërgimi i trupave, sipas gazetës prestigjioze amerikane, do të bëhet për të ndihmuar shtetasit amerikanë dhe të tjerët që duan të largohen nga Ukraina, ku sot ka nisur sulmi i Rusisë.

Trupat do të vendosen në kufirin Poloni – Ukrainë.

16:37 - Rusia nis të marrë nën kontroll centralin bërthamor të Chernobilit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka shkruar në Twitter se forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin e termocentralit bërthamor të Chernobilit.

“Forcat pushtuese ruse po përpiqen të kapin Chernobilin, Centralin Bërthamor. Mbrojtësit tanë po sakrifikojnë jetën e tyre që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet”, ka shkruar Zelensky në Twitter.

“Kjo është një deklaratë lufte kundër të gjithë Evropës”, ​​ka shtuar ai.

Ministria e Jashtme e Ukrainës i bëri jehonë paralajmërimit të Zelenskyt, duke postuar në Twitter se një sulm rus në Ukrainë mund të "shkaktojë një tjetër fatkeqësi ekologjike".

“Në vitin 1986, bota pa fatkeqësinë më të madhe teknologjike në Chernobil”, ka shkruar ministria në Twitter.

“Nëse Rusia vazhdon luftën, Chernobil mund të ndodhë sërish në vitin 2022”, ka shtuar kjo ministri.

16:30 - Hungaria dënon sulmin rus

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se dënon veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, ashtu sikurse BE-ja dhe aleatët e NATO-s.

Si anëtare e bllokut evropian dhe NATO-s, e cila gjendet në kufi me Ukrainën, Hungaria nën Orbanin ka krijuar lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Kjo gjë ka shqetësuar shumë partnerë të Perëndimit.

Orban, i cili me politikat e tij kundër migrimit ka sfiduar BE-në, ka thënë se një numër i refugjatëve ukrainas u janë afruar kufijve dhe se numri pritet të rritet.

Ai ka thënë se Hungaria është e “përgatitur për t’u kujdesur për ta dhe do ta përballojë këtë sfidë shpejt dhe në mënyrë efektive”./REL/

16:28 - Shtatë të vdekur nga një sulm me raketa afër Kievit

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se shtatë persona janë vrarë dhe 17 të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketa, në një zonë ushtarake, në veri të kryeqytetit Kiev. Kryetari i qytetit Brovary, Ihor Sapozhko, ka thënë se sulmi ka ndodhur rreth orës 2:30, sipas kohës lokale. 

16:18 - Bideni pritet të paraqesë sonte masa të reja ndaj Rusisë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do t’i drejtohet kombit lidhur me sulmin e Rusisë mbi Ukrainën, i cili ka nisur në orët e para të së enjtes.

Adresimi i Bidenit do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë.

16:16 - Pamje të helikopterëve rusë mbi aeroportin e Kievit

Forcat ruse tashmë kanë marrë kontrollin mbi aeroportin e Kievit, derisa mediumet ndërkombëtare publikuan pamje të helikopterëve rusë teksa sulmonin. Në pamje shihen helikopterë që hedhin raketa në afërsi të aeroportit.

Nuk është bërë e ditur nëse nga ky sulm ka persona të vrarë apo të lënduar.

16:09 - Lavrov: Rusia e gatshme për dialog pavarësisht se ka nisur sulmin

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Rusia do të jetë gjithmonë e gatshme për dialog, pavarësisht se forcat ruse kanë nisur një sulm të madh ushtarak në Ukrainë.

“Fatkeqësisht, miqtë tanë perëndimorë nuk e respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke u përpjekur ta shkatërrojnë atë dhe të promovojnë atë që ata e quajnë ‘rend të bazuar në rregulla’”, ka thënë Lavrov, raporton agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.

15:39 - Bideni po shqyrton dërgimin e më tepër trupavee amerikane në lindje të Evropës

Administrata Biden është duke shqyrtuar që të lëvizë më tepër trupa amerikane që gjenden në Evropë për në shtetet në lindje të Evropës, për shkak të sulmit rus kundër Ukrainës, raporton CNN.

NATO i ka dhënë Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë, gjeneralit amerikan Tod Wolters, autoritetin për ta aktivizuar pozicionin mbrojtës të NATO-s, në të cilin do të përfshihet edhe aftësia për të aktivizuar Forcën Reaguese të NATO-s.


15:30 - Paralajmërim për sulm ajror në Kiev, lëshohet alarmi

Një paralajmërim për sulm ajror është lëshuar nga qeveria e qytetit të Kievit.

Të gjithë banorëve u kërkohet të kërkojnë strehimore nëntokësore. Sirenat mund të dëgjohen në të gjithë Kievin.

Të njëjtat sirena janë lëshuar edhe në Lviv, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. 


15:17 - Forcat ruse kanë marrë kontrollin e aeroportit afër Kievit

Forcat ruse kanë marrë kontrollin e aeroportit Antonov pranë Kievit, kryeqytetit të Ukrainës, raporton CNN. Aeroporti është 25 milje larg Kievit.


15:12 - Zelensky: Po e krijojmë një koalicion anti-Putin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se janë duke e krijuar një koalicion anti-Putin.

Ai në Twitter ka shkruar se po pret për hapa vendimtar.

“Ne jemi duke krijuar një koalicion anti-Putin. Kam folur me von der Leyenin, Emmanuel Macronin, Karl Nehammerin dhe Recep Tayyip Erdoganin për sanksione konkrete dhe ndihmë për ushtrinë tonë. Ne jemi duke pritur veprimet vendimtare”, ka shkruar Zelensky.


15:05 - Ukraina njofton se 4 raketa balistike janë hedhur në drejtim të saj nga Bjellorusia

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka njoftuar se 4 raketa balistike janë lansuar nga Bjellorusia në drejtim të territorit të saj.

Në njoftimin në Twitter, Ministria ka thënë se raketat janë lansuar në drejtim të jugperëndimit.

Ndërkohë ka njoftuar se në forcat ruse kanë tentuar të thyejnë mbrojtjen ukrainase duke përdorur 16 tanke. Porse, janë ndalur dhe janë shkatërruar tri tanke ruse.

 

 


15:02 -  Ukraina thotë se janë vrarë katër persona nga predha që Rusia hodhi në spital

Ushtria e Ukrainës ka thënë se katër persona janë vrarë dhe dhjetë janë plagosur pasi një predhë goditi një spital në Vuhledar në rajonin Donetsk. Nga të lënduarit, gjashtë janë mjekë, raporton Guardian.


14:56 - Biden thërret takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të enjten në mëngjes për të diskutuar zhvillimet e fundit në Ukrainë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.


14:54 - Rusia thotë se ka shkatërruar 74 objekte ushtarake në Ukrainë

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka thënë se forcat e saj kanë shkatërruar 74 infrastruktura ushtarake mbitokësore në Ukrainë të enjten, përfshirë 11 aeroporte, raporton agjencia ruse e lajmeve RIA.

Rusia sot ka nisur një sulm të plotë kundër Ukrainës. Ka pasur bombardime në disa qytete përfshirë edhe në kryeqendër Kiev.


14:47 - Von der Leyen: Sanksionet tona do të degradojnë ekonominë e Rusisë në fusha të ndryshme

Bashkimi Evropian do t’ia bëjë sa më të vështirë që është e mundur për Krelminin që të vazhdojë me veprimet agresive në Ukrainë, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë të përbashkët me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Von der Leyen në konferencë në Bruksel ka thënë se “Rusia do të mbahet përgjegjëse për këtë shkelje mizore të sovranitetit të Ukrainës dhe integritetit territorial”.


14:00 - Kremlini mohon se po pushtohet Ukraina, thotë se po pastrohet nga nazistët

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, thotë se “demilitarizimi dhe denazifikimi” i Ukrainës është në mesin e objektivave sulmit ushtarak rus të sotëm në territorin e Ukrainës.

Ai e ka përshkruar këtë sulm si “operacion special”.

“Idealisht, Ukraina do të lirohet, pastrohet nga nazistët, nga njerëzit pro-nazistë dhe ideologjia”, ka thënë Peskov, ndonëse ka refuzuar të thotë se nëse kjo nënkupton ndryshimin e regjimit në Kiev.

Ky pretendim për “denazifikim” të Ukrainës është përmendur vazhdimisht nga Putini gjatë vjetëve dhe nuk ka pasur kurrë fakte për këtë.

Peskov ka thënë se operacioni do të përfundojë kur të arrihet objektivi.

“Operacioni ka synimet e veta, që duhet të arrihen. Presidenti ka thënë se gjitha vendimet janë marrë dhe gjitha synimet do të arrihen. E gjitha varet nga komandanti suprem (presidenti Putin)”, ka shtuar Peskov.


13:56 - Macron: Sulmi i Rusisë është pikë kthese në historinë evropiane, pasoja të thella për kontinentin

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se sulmi i Rusisë në Ukrainë është një “pikë kthese” në historinë evropiane, raporton BBC.


Scholz: Një ditë e errët për Evropën

Reagimet e komunitetit ndërkombëtar ndaj pushtimit rus të Ukrainës ka qenë i shpejt, ku disa liderë kanë premtuar valë të re më të ashpër të sanksioneve, ndaj Moskës në orët në vijim, raporton CNN.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka dënuar këtë sulm të Rusisë.

“Është një ditë e tmerrshme për Ukrainën dhe një ditë e errët për Evropën”, ka thënë Scholz. “Nuk ka justifikim për asnjë nga këto – kjo është luftë e bërë nga Putini”.


13:39 - Tre helikopterë rusë e një aeroplan luftarak ukrainas rrëzohen në rajonin e Kievit

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka njoftuar të enjten se tre helikopterë luftarakë rusë janë rrëzuar brenda rajonit të Kievit.

“Një helikopter rus K-52 është rrëzuar. Po ashtu edhe tre helikopterë tjerë rusë janë rrëzuar në afërsi Mezhyhirya në rajonin e Kievit”, thuhet nga Ministria e Brendshme e Ukrainës.

Më herët Forcat Ajrore Ukrainase njoftuan për rrëzimin e gjashtë aeroplanëve luftarakë rusë. Por kjo u mohua nga Ushtria e Rusisë.

Ndërkohë agjencia AFP raporton se një aeroplan ushtarak ukrainas me 14 persona në bord është rrëzuar pranë kryeqendrës Kievit, bazuar në informatat e Shërbimit të Emergjencës së Ukrainës.


13:14 - Automjetet ushtarake ruse kanë hyrë në rajonin e Kievit 

Automjetet ushtarake ruse kanë hyrë në veri të rajonit të kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, raporton AFP. 


13:13 - Numër i madh i forcave ruse duke hyrë në Ukrainë nëpërmjet Krimesë

Numër i madh i automjeteve ushtarake ruse në Krime në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Është raportuar se forca të armatosura ruse janë futur brenda territorit të Ukrainës nga Krimea, por edhe nga pika tjera kufitare.

Janë dëgjuar shpërthime në Kharkov, Odesa e po ashtu kryeqendër Kiev. Është raportuar për dhjetëra të vdekur.


12:46 - Stoltenberg: Ky është moment i rëndë për sigurinë e Evropës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka dëmtuar paqen në Evropë dhe është zotuar se aleanca do të mbrojë “secilin inç” të territorit të vendeve anëtare.

“Ne do të përgjigjemi me unitet edhe më të madh”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media, pas mbajtjes së një takimi urgjent me ambasadorët e NATO-s në Bruksel.

“Ajo çfarë ne bëjmë është mbrojtja”, ka thënë Stoltenberg, i cili ka konfirmuar se NATO-ja do të mbajë një samit virtual me 30 vendet anëtare më 25 shkurt.

Stoltenberg ka përsëritur përkushtimin e aleancës ndaj Artikullit 5, i cili parasheh që sulmi ndaj një vendi anëtar, nënkupton sulm ndaj të gjitha vendeve tjera anëtare.

Stoltenberg duke komentuar situatën në Ukrainë, ka thënë se ky është moment i rëndë për sigurinë në Evropë.

“Ne kemi një luftë në Evropë, të shkallës dhe llojit që kemi menduar se i përkiste historisë”.


12:36 - Sulmohet selia e Inteligjencës ukrainase

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se tymi i zi është parë që ngrihet mbi selinë e inteligjencës ukrainase të mbrojtjes në qendër të Kievit.

Ukraina thotë se disa nga qendrat e saj të komandës ushtarake janë goditur nga sulmet me raketa ruse këtë mëngjes pasi Moska filloi një operacion ushtarak kundër fqinjit të saj.


12:27 - Ukraina i kërkon Turqisë që t’ia bllokojë Rusisë hyrjen në Bosfor

Ukraina ka kërkuar që Turqia të mbyllë ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve për anijet luftarake ruse, të cilat përdorin kalimet për të hyrë në Detin e Zi.


12:25 - Monedha ruse në nivelin më të ulët ndonjëherë, tregjet pësojnë rënien më të madhe

Asetet ruse u ulën pasi sulmet ushtarake anembanë Ukrainës nxitën veprime urgjente të Bankës Qendrore.


11:52 - Ukraina: Ky nuk është pushtim rus i lindjes së Ukrainës, por sulm i shkallës së gjerë

Ministria e Jashtme e Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka treguar se forcat e armatosura ruse kanë bombarduar fushat ajrore në disa vende në Ukrainë.

Nga ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, është thënë se ky nuk është pushtim rus i lindjes së Ukrainës, por sulm i shkallës së gjerë. Dhe se Ukraina po vetëmbrohet në bazë të nenit 51 të Kartës së OKB-së.

“Jo, ky nuk është pushtim rus i vetëm pjesë lindore të Ukrainës, por sulm i shkallës së gjerë në të gjitha drejtimet. Jo, mbrojtja ukrainase nuk ka dështuar. Ushtria ukrainase po lufton. Ukraina qëndron me dy këmbë në tokë dhe vazhdon ta mbrojë veten”, ka shkruar Kuleba në Twitter.

Është thënë se trupat ruse po pësojnë humbje të konsiderueshme.

“Sot forcat e armatosura ruse kanë lansuar bombardime të vazhdueshme të njësiteve ukrainase në lindje, duke bombarduar fushat ajrore në Boryspil, Ozerne, Kulbakino, Chuhuiv, Kramatorks, Chornobaivka, infrastrukturën ushtarake të Forcave Ajrore të Ukrainës”, thuhet nga MPJ e Ukrainës. “Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës, duke përdorur të drejtën për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së, po kundërpërgjigjen me dinjitet ndaj tentimeve të armikut për të thyer kufinjtë shtetëror. Situata është nën kontroll, trupat ruse po pësojnë humbje”.


11:35- Ukraina nën sulmin rus

Sulmet dhe shpërthimet me raketa janë raportuar pranë qyteteve të mëdha në Ukrainë, derisa forcat ruse nisën një sulm të madh ushtarak.

Ka shumë raporte për momentin se ku po ndodhin sulmet.

Image

11:09 - 40 ushtarë ukrainas të vrarë deri më tash

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se deri më tash 40 ushtarë janë vrarë nga bombardimet ruse, përfshirë edhe 10 civilë, kanë konfirmuar nga Presidenca ukrainase. 

Rusia nisi sot në mëngjes ofensivën për pushtimin e Ukrainës, gjë që ka shkaktuar viktimat e para.


10:10 - Ukraina thotë se ka vrarë 50 ushtarë e ka rrëzuar gjashtë avionë rusë

Policia e Ukrainës ka thënë se ka vrarë 50 ushtarë dhe ka rrëzuar gjashtë avionë rusë, në mes të një ofanzive të Rusisë në orët e para të mëngjesit.

Deklarata vjen pasi fillimisht u njoftua për shtatë të vrarë ukrainas dhe 11 të zhdukur.

Zyra e Presidentit të Ukrainës ka njoftuar se “nuk pritet të ketë një luftë të shpejtë”.


8:49- Rusia po sulmon Ukrainën nga çdo anë

Ukraina ka thënë se automjetet e ushtrisë së Rusisë kanë hyrë në vend nga disa lokacione, duke përfshirë edhe nga veriu i Bjellorusisë dhe jugu i Krimesë.

Të tjerat hyrje janë bërë nga lindja, si regjioni i Kharkhivit dhe Luhansku. Sipas shërbimeve kufitare të Ukrainës, Rusia ka hapur zjarr me artileri.

Në një vlerësim të zyrtarëve të inteligjencës perëndimore 10 ditë më parë, u vlerësua se që Rusia të nisë një sulm të suksesshëm në Kiev (nga veriu), njësitë ushtarake më të afta të Ukrainës (në lindje, përballë Donbasit) do të duhej të rrethoheshin ose neutralizohet.

Provat e deritanishme sugjerojnë se sulmi vjen nga çdo drejtim.

Image

Njerëzit udhëzohen të marrin mbrojtje në Ukrainë

Banorët e Livivit në perëndim të Ukrainës janë udhëzuar të mos bëjnë panik nga autoritetet lokale, pas sulmit të Rusisë.

Autoritetet në qytet kanë thënë se banorët duhet të ndalin dritat dhe të marrin mbrojtje. Ata gjithashtu duhet të mbajnë dokumentet kryesore.

Disa diplomatë janë vendosur në Liviv më herët, i cili është 70 kilometra nga kufiri me Poloninë, disa javë më herët pas frikës së sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ndërkaq veteranët në Ukrainë do të pajisen me armë për t’iu përgjigjur aksionit të Rusisë.


8:37- Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës: Trupat ruse po përjetojnë humbje

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha të enjten se forcat e sa po kundërshtojnë ofensivën ruse “me dinjitet” dhe po u shkaktojnë humbje trupave të Moskës.

“Forcat e Mbrojtjes Kombëtare, duke përdorur të drejtën për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara , po kundërshtojnë me dinjitet përpjekjet e armikut për të thyer kufirin shtetëror”, tha Ministria në një deklaratë të shpërndarë në Whatsapp. “Situata është e kontrolluar. Trupat ruse po pësojnë humbje”.

Ministria tha gjithashtu se nuk kishte "asnjë humbje midis mbrojtësve të Ukrainës".

Në një deklaratë të mëparshme, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte neutralizuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.


8:33 - Shtatë të vdekur pas bombardimeve ruse në Ukrainë

Të paktën shtatë persona dihet se kanë vdekur nga bombardimet nga forcat ruse, thotë policia ukrainase, transmeton BBC.

Zyrtarët thonë se një sulm në një njësi ushtarake në Podilsk, jashtë Odessa, u vranë gjashtë persona dhe plagosi shtatë të tjerë.

11 persona janë gjithashtu të zhdukur.

Një person ka vdekur në qytetin e Mariupolit, shtuan ata.


Rusia ka nisur në orët e hershme të mëngjesit ofensivën ndaj Ukrainës. Në Donetzk janë dëgjuar shpërthime, ndërsa po ashtu shpërthime janë dëgjuar edhe në kryeqendër të Ukrainës, Kiev.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një adresim televiziv në orët e hershme të së enjtes ka njoftuar për operacion ushtarak në rajonin e Donbasit. Ai ka bërë adresimin në të njëjtën kohë kur po mbahej Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Putin u ka bërë thirrje ushtarëve ukrainas në Donbas që të dorëzohen, ndërsa ka thënë se për çdo gjakderdhje është faji i Ukrainës.

Putin ka thënë se drejtësia dhe e vërteta do të jenë në anën e Rusisë. Ndërsa ai ka paralajmërua nëse ndonjëri synon të përballet me Rusinë: “Reagimi do të jetë i menjëhershëm”.

Image

Sipas gazetarëve të BBC-së raportohet për gjashtë shpërthime në Kiev.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar për Reuters se Ukraina është sulmuar me raketa. Ai ka shpallur ligjin ushtarak, dhe pritet Këshilli i Sigurisë në Ukrainë të mbajë mbledhje urgjente.

Ndërkohë Rusia ka thënë se po shënjestron infrastrukturën ushtarake të Ukrainës.

Por, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se Putin ka nisur pushtimin e shkallës së plotë. Është raportuar se trupat ruse po lëvizin nga Bjellorusia.

“Putini vetëm sa ka lansuar një pushtim të shkallës së plotë. Qytetet paqësore ukrainase po sulmohen. Kjo është luftë e agresionit. Ukraina do ta mbrojë veten dhe do të fitojë”, ka shkruar Kuleba në Twitter.


8:18 - Karvanet ushtarake ruse kalojnë kufirin

Ushtria ruse ka kaluar në Ukrainë në rajonet veriore të Chernihivit dhe Sumyt dhe rajonet lindore të Luhanskut dhe Krharkivit, kanë thënë shërbimet e rojës kufitar të Ukrainës. Automjetet e ushtrisë së Rusisë kanë hyrë në Ukrainë edhe përmes Krimesë, duke u bazuar në një video të lëshuar nga Shërbimi i Rojave të Ukrainës.

Ky shërbim ka thënë se ofensivës ruse i parapriu zjarr artilerie.

Ka pasur lëndime në mesin e rojeve kufitare ukrainase, thotë DPSU.

Ai thotë se rojet kufitare të Ukrainës dhe forcat e armatosura “po marrin të gjitha masat për të ndaluar armikun”.


7:58 - Ukraina njofton se ka rrëzuar pesë aeroplanë rusë

Ushtria e Ukrainës ka njoftuar se ka rrëzuar pesë aeroplanë rusë dhe një helikopter.

“Mbani qetësinë dhe besoni në mbrojtësit e Ukrainës”, thuhet në një deklaratë të Ushtrisë së Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka mohuar se janë rrëzuar aeroplanë.

Image