Rusia është e hapur për negociata për përfundimin e luftës në Ukrainë nëse ato inicohen nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, u ka thënë të enjten gazetarëve, ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Gennady Gatilov.
Trump ka kritikuar vazhdimisht shkallën e ndihmës perëndimore për Kievin dhe ka premtuar t'i japë fund konfliktit shumë shpejt, pa shpjeguar se si, raporton Reuters.
Fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit ka nxitur shqetësime në Kiev dhe kryeqytete të tjera evropiane për nivelin e angazhimit të ardhshëm të SHBA-së për të ndihmuar Ukrainën.
"Trumpi premtoi të zgjidhte krizën ukrainase brenda natës. Në rregull, le të bëhemi realistë, sigurisht ne e kuptojmë se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Por nëse ai fillon apo sugjeron diçka për të nisur procesin politik, është e mirëseardhur”, ka thënë
Ai ka shtuar se çdo negociatë e tillë duhej të bazohej në atë që ai i quajti "realitetet në terren".
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë në mënyrë të përsëritur se paqja nuk mund të vendoset derisa të gjitha forcat ruse të dëbohen dhe i gjithë territori i pushtuar nga Moska, përfshirë Krimenë, të rikthehet.
Zelensky u ka thënë liderëve evropianë në Budapest javën e kaluar se lëshimet ndaj Rusisë do të ishin "të papranueshme për Ukrainën dhe vetëvrasëse për të gjithë Evropën".