Kremlini ka thënë të hënën se Rusia është e gatshme të bëj gjithçka që mundet për të ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rreth programit bërthamor të Teheranit.
Uashingtoni kërkon që Teherani të bëjë një marrëveshje bërthamore me të ose do të bombardohet.
Moska ka ofruar në mënyrë të përsëritur të ndërmjetësojë mes dy palëve pasi paralajmërimet për veprime ushtarake kundër Iranit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë tronditur rajonin, raporton Reuters.
"Ne jemi në konsultime të vazhdueshme me partnerët tanë iranianë, duke përfshirë temën e marrëveshjes bërthamore”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
"Ky proces do të vazhdojë, duke përfshirë në të ardhmen e afërt. Dhe, natyrisht, Rusia është e gatshme të bëjë çdo përpjekje, të bëjë gjithçka që është e mundur për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi me mjete politike dhe diplomatike”, ka shtuar ai.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi ka tërhequr SHBA-në nga një marrëveshje e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, që vendoste kufizime të rrepta për aktivitetet e diskutueshme bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Irani thotë se ka nevojë për energji bërthamore për qëllime paqësore dhe mohon se po kërkon të ketë armë bërthamore.
Teherani është është shprehur kundër kërkesave të Trumpit për bisedime të drejtpërdrejta.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë javën e kaluar se komentet e Trumpit për bombardimin e Iranit shërbyen vetëm për të "ndërlikuar situatën" dhe ka paralajmëruar se sulmet mund të jenë "katastrofike" për rajonin më të gjerë.
Rusia gjatë gjithë kohës është përmbajtur nga kritikat e tilla ndaj Trumpit.
Presidenti Vladimir Putin është angazhuar që të përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-në që kur Trumpi e ka marrë detyrën, një afrim që është parë me shqetësim nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë.
Moska gjithashtu ka thelluar lidhjet me Teheranin që nga fillimi i konfliktit në shkallë të plotë në Ukrainë teksa kanë nënshkruar edhe një traktat të partneritetit strategjik në janar.