Botë

Rusia dëbon gjashtë diplomatë britanikë, i akuzon për spiunazh

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Shërbimi rus i sigurisë FSB ka revokuar akreditimin e gjashtë diplomatëve britanikë në Moskë, me arsyetimin se veprimet e tyre treguan shenja të spiunazhit dhe sabotimit.

FSB-ja ka thënë të premten se posedonte dokumente që tregonin se një departament i ministrisë së Jashtme Britanike në Londër po koordinonte atë që e quajti "përshkallëzimin e situatës politike dhe ushtarake" dhe ishte e angazhuar për të siguruar humbjen strategjike të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, raporton The Guardian.

“Faktet e zbuluara japin bazë për të konsideruar aktivitetet e diplomatëve britanikë të dërguar në Moskë nga drejtoria, si kërcënuese për sigurinë e Federatës Ruse”, thuhet në një deklaratë të FSB-së.

“Në lidhje me këtë, në bazë të dokumenteve të ofruara nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë dhe si përgjigje ndaj hapave të shumtë armiqësorë të ndërmarrë nga Londra, ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, në bashkëpunim me agjencitë e interesuara, ka ndërprerë akreditimin e gjashtë anëtarëve të departamentit politik të ambasadës britanike në Moskë në veprimet e të cilëve u gjetën shenja spiunazhi dhe sabotimi”, thuhet më tej në deklaratë.

Gjashtë diplomatët u identifikuan në televizionin shtetëror rus, i cili gjithashtu tregoi fotografi të tyre.

Një punonjës i FSB-së ka thënë për Rossiya-24 se anglezët nuk i morën parasysh sugjerimet e tyre për nevojën për të ndaluar këtë praktikë, prandaj kishin vendosur t’i dëbojnë.