Botë

Rusia bllokon dhjetëra media evropiane

lavrov

Rusia ka thënë se ka bllokuar 81 media evropiane në shenjë hakmarrjeje për vendimin e ngjashëm të Bashkimit Evropian për disa media ruse.

Revistat, transmetuesit publikë dhe gazetat në 25 nga 27 shtetet anëtare të BE-së do të bëhen të paqasshme brenda Rusisë.

Qeveria ruse ka thënë se po impononte “kundërmasa proporcionale” ndaj vendimit të BE-së për të bllokuar mediat ruse Zëri i Evropës, RIA Novosti, Izvestia dhe Rossiyskaya Gazeta më 17 maj. Në atë kohë, Brukseli akuzoi mediat për “përhapje dhe mbështetje të propagandës ruse dhe luftës së agresionit kundër Ukrainës”.

Lista e mediave në listën e zezë ruse përfshin Politicon dhe EU Observer, transmetuesi publik i Irlandës RTE, gazeta franceze Le Monde dhe revista gjermane Der Spiegel.

Disa media italiane, si transmetuesi publik Rai dhe gazeta La Repubblica, do t’u kufizohet qasja. Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë e dënoi vendimin, duke thënë se “nuk do të fshijë efektet e një lufte të dhunshme, shkatërruese dhe të paligjshme”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se qeveria ruse ka “frikë që njerëzit e tyre të dëgjonin të vërtetën".

Moska ka thënë se do ta konsideronte anulimin e ndalimit nëse hiqen kufizimet ndaj mediave ruse.

Kanalit të lajmeve të mbështetur nga shteti rus RT iu hoq licenca për të transmetuar në BE menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.