Botë

Rusia akuzon Kievin për rrëzimin e aeroplanit me të burgosur ukrainas

74 persona, përfshirë 65 të burgosur ukrainas, kanë vdekur pas rrëzimit të aeroplanit në qytetin rus në kufi me Ukrainën. Moska ka akuzuar Ukrainën për rrëzimin e aeroplanit me të cilin po transportoheshin të burgosurit ukrainas që do të shkëmbeheshin me ata rusë

Ministria ruse e Mbrojtjes ka akuzuar forcat ukrainase për rrëzimin e aeroplanit ushtarak me të cilin po transportoheshin 65 të burgosur ukrainas që pritej të shkëmbeheshin me ata rusë. 74 personat në bord, përfshirë 65 të burgosurit ukrainas, kanë vdekur.

Zyrtarët e Ukrainës nuk kanë komentuar në lidhje me incidentin në rajonin e Belgorodit në kufi me Ukrainën.

Mediat perëndimore nuk kanë mundur të konfirmonin deri të mërkurën nëse në aeroplan ndodheshin të burgosurit ukrainas apo edhe shkaqet e këtij incidenti.

Zyrtarët në Kiev kanë bërë thirrje për më shumë kujdes ndaj informacioneve të paverifikuara.

Sipas deklaratës së Ministrisë ruse, radari ka regjistruar dy raketa ukrainase që janë lansuar nga rajoni i qytetit të Kharkivit në Ukrainë. Ministria ruse e Mbrojtjes këtë sulm e ka cilësuar si akt terrorist.

Ministria ruse ka deklaruar se të burgosurit ukrainas po transportoheshin në Belgorod për shkëmbimin e të burgosurve.

Aeroplani ishte nisur nga Moska dhe të burgosurit pritej të shkëmbeheshin në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ukraina javë më parë ka konfirmuar se ka nisur të prodhojë dronët shpërthyes që mund të veprojnë në distanca më të largëta.

Në javët e fundit forcat ukrainase kanë bombarduar qytetin rus të Belgorodit duke përdorur këta dronë.

Zyrtarët e lartë të Ukrainës kanë deklaruar se do të bombardojnë qytetet ruse për të vështirësuar gjendjen para zgjedhjeve presidenciale në muajit mars në Rusi, në të cilat ka kandiduar edhe presidenti Vladimir Putin.

Informacionet e inteligjencës

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka konfirmuar të mërkurën se do të realizohej shkëmbimi i të burgosurve, por ka shtuar se nuk kishte informacione se kush ishte në bordin e aeroplanit të rrëzuar. Moska nuk kishte kërkuar që hapësira ajrore të jetë e sigurt për kohë të caktuar, ashtu siç ka ndodhur në shkëmbimet e mëparshme të të burgosurve, thuhej në komunikatën e Ukrainës.

Zyrtarët rusë dhe deputetët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre dhe kanë pyetur nëse duhet të ketë shkëmbime të tjera të të burgosurve. Në marrëveshjen e fundit të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, 230 ukrainas u kthyen në shtëpi dhe 248 rusë u liruan. Ishte hera e parë në pesë muajt e fundit të shkëmbimit të të burgosurve.

Rusia ka siguruar kryesisht dominimin e saj ajror gjatë luftës kundër forcave ajrore të Ukrainës. Por në muajt e fundit janë rrëzuar disa aeroplanë në territorin rus dhe disa ekspertë kanë fajësuar numrin e madh të fluturimeve në kohën e luftës me Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, Kievi është mburrur se ka rrëzuar dy aeroplanë rusë të komandës dhe kontrollit, gjë që do të ishte arritje e madhe për Ukrainën nëse është e vërtetë. Sulmet ndërkufitare në rajonin e Belgorodit të Rusisë gjithashtu janë rritur, me sulmin më vdekjeprurës që la të vdekur 25 persona në muajin dhjetor.

Pak para rrëzimit të aeroplanit, guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, kishte lëshuar alarmin për sulme të mundshme raketore.

Shtabi Koordinues i Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës ka deklaruar se po hetonte rrëzimin e aeroplanit, por nuk ka ofruar informacione të tjera

“Ne theksojmë se armiku po kryen në mënyrë aktive operacione speciale informative kundër Ukrainës që synojnë destabilizimin e shoqërisë ukrainase”, thuhet në një deklaratë në Telegram.

Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, ka deklaruar të mërkurën se nuk mund të komentonte mbi rrëzimin e aeroplanit sepse nuk kishte informacione të mjaftueshme për të.

Vija e frontit prej 1500 kilometrash ka qenë kryesisht statike në mes të dimrit të dytë luftimesh. Ndërsa të dyja palët kërkojnë të plotësojnë rezervat e tyre të armëve, lufta kohët e fundit është fokusuar në sulme me rreze të gjatë.

Sulmet ruse

Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kishte deklaruar se një sulm i madh raketor rus të martën kishte vrarë 18 persona dhe plagosi 130 të tjerë.

Breshëria, duke përdorur më shumë se 40 raketa balistike, goditi 130 ndërtesa banimi në tre qytete të Ukrainës, “të gjitha shtëpi të zakonshme”, ka shkruar Zelenskyy në rrjetin social “Twitter”.

Sulmi i Rusisë, i cili përfshinte objektiva në Kiev dhe qytetin e dytë më të madh të Kharkiv, ishte më i madhi në javët e fundit dhe i dha peshë thirrjeve të Zelenskyy për aleatët perëndimorë për të ofruar më shumë ndihmë ushtarake.

“Këtë vit, prioriteti kryesor është forcimi i mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qytetet dhe qytezat tona, si dhe për të mbrojtur pozicionet e vijës së parë”, ka thënë Zelenskyy të martën.

Analistët thonë se Rusia ka grumbulluar raketa që gjatë dimrit të sulmonte, ndërsa Ukraina ka nisur të sulmojë territorin e Rusisë me disa lloje të dronëve.

Rusia mund të ketë përdorur raketa mashtruese në sulmin e së martës në përpjekje për të hapur mbrojtjen ajrore të Ukrainës, ka deklaruar institut amerikan. Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Uashington ka thënë se Moska po përpiqet të marrë më shumë raketa balistike nga vendet e huaja, duke përfshirë Iranin dhe Korenë e Veriut, sepse ato mund të jenë më efektive në disa rrethana.

Një breshëri e mëtejshme e raketave ruse S-300 goditi lagjet e banuara të Kharkivit, duke plagosur nëntë persona dhe duke dëmtuar ndërtesa banimi, ka thënë guvernatori rajonal Oleh Syniehubov.

Rusia mohon që forcat e saj po bombardojnë zonat civile, megjithëse ka prova të konsiderueshme për të kundërtën.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar të mërkurën se mbrojtja ajrore e saj rrëzoi katër dronë ukrainas në rajonin Oryol të Rusisë perëndimore. Kryebashkiaku i Oryol Yuri Parakhin ka thënë se disa dronë u rrëzuan në qendër të qytetit.

Aleatët e Ukrainës kanë premtuar më shumë ndihmë ushtarake edhe pse burimet e tyre janë pakuar. Ndihma nga Shtetet e Bashkuara, deri tani ofruesi i vetëm më i madh i Ukrainës, ka hasur në disa pengesa politike.

Ministria gjermane e Mbrojtjes ka deklaruar të mërkurën se planifikon të dërgojë gjashtë helikopterë “Sea King Mk41” në Ukrainë.