Më 24 shkurt, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, një fotografi nisi të shfaqej në rrjetet sociale – bëhej fjalë për fotografinë e poetit rus Pushkin, numrin 7 dhe një rresht emotikonesh me “një njeri duke ecur”.
Për ata që s’e dinë, kuptimi ishte i qartë – lokacioni (sheshi Pushkin, në Moskë), koha dhe thirrja për të protestuar kundër veprimeve të shtetit rus.
Emotikonet iu referuan një kodi që përdoret ndër vite në Rusi për protesta. Ato janë të njohura mirë për autoritetet.
Përse me kode?
Protestat e paautorizuara janë të ndaluara në Rusi që nga viti 2014 dhe shkelja e ligjit mund të çojë deri në 15 ditë mbajtje si masë e parë. Recidivistët mund të burgosen deri në pesë vjet.
Që nga ajo kohë, ka qenë e zakonshme që aktivistët të përdorin kode për t’u organizuar online.
“Është sikur ‘hajde të dalim të ecim në qendër’, ose ‘moti është i mirë për ecje’”, ka thënë Maria. Në këtë mënyrë ajo ju drejtohet shoqeve për t’ju treguar planet për protestë.
Ajo që nisi si mënyrë për të shmangur censurën nga Qeveria, u kthye në shaka të brendshme, ka shtuar Maria.
Megjithatë, pasojat e mospërdorimit të një gjuhe të tillë mund të jenë serioze.
Cilat janë pasojat potenciale?
Alexander mori pjesë në një protestë në Moskë dhe postoi fotografi në rrjete sociale.
Në mëngjesin e nesërm, policët me rroba civile e morën pranë banesës të së dashurës dhe e çuan në stacionin policor. U mbajt për disa ditë dhe u detyrua të nënshkruante një dokument në të cilën listoheshin gjërat që thoshin autoritetet se i kishte bërë.
S’ka dëshmi që ai ishte arrestuar për shkak të fotografisë, megjithatë ai u kap edhe një herë tjetër, në metro, në një ditë kur s’kishte të bënte me protestën. BBC ka mësuar se shumë arrestime varen nga aktivitetet në rrjete sociale, e madje një herë një grua është arrestuar vetëm për postim në Twitter.
Më 24 shkurt, ajo postoi: “S’kam ecur qe një kohë të gjatë në qendër” dhe citoi një tjetër postim që përmbante thirrje më eksplicite”.
Pesë ditë më vonë, ajo u arrestua derisa po hipte në tren.
Ajo beson se u ndal për shkak të sistemit të metrosë në Moskë që i detekton fytyrat. Në dëgjimin në gjykatë, iu prezantua një dokument ku shihej postimi i saj në Twitter. Aty shihej se fotografia ishte bërë menjëherë pas postimit.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë monitoruar se si njerëzit janë ndaluar nga autoritetet për shkak të protestimit dhe se si po trajtohen.
Në një rast tjetër, Niki, bloger, ka treguar se si një vëlla i shokut ishte ndaluar dy herë për shkak të pjesëmarrjes në protestë dhe për shkak të shpërndarjes së detajeve në Facebook.
Rreth 14 mijë njerëz janë ndaluar nga Rusia për protesta që kur ka nisur lufta dy javë më herët.
Deri tash, shumica janë mbajtur për disa orë ose ditë.
A po ndryshon situata?
Një ligj u prezantua në Rusi më 4 mars, në të cilin dënoheshin “lajmet e rreme” për ushtrinë, por pritet që të përdoret edhe më shumë për të kundërshtuar protestat anti-luftë – përfshirën burgosjen deri në 15 vjet.
Për të rinjtë si Maria, kjo “tashmë ka ndërruar, sepse jam e frikësuar të protestoj dhe të postoj për ‘operimin special’ (siç i referohet Rusia pushtimit të Ukrainës)”.
Ka indikacione të qarta se arrestimet janë rritur që kur ka hyrë në fuqi ligji i ri.
Çka po postojnë rusët tash?
Mbyllja e mediave të pavarura, bllokimet në Facebook dhe pengesat në TikTok kanë bërë që të ketë shumë probleme në qasjen në informacione dhe njerëzit do të vetëcensurohen nga frika, ka thënë Leonid Drabkin nga organizata për të drejtat e njeriut në Rusi, OVD-Info.
“Tani nëse hyni në Instagram, janë 10-fish më pak postime”, ka thënë ai.
Shumë nga kontaktet e tij kanë fshirë llogaritë e tyre.
Bashkë me ndëshkimet e ashpra, ka ndikuar dukshëm te njerëzit “e guximshëm për të protestuar”.