Botë

Rundi i ri i bisedimeve SHBA-Iran do të mbahet në Romë

SHBA-Iran

Rundi i ri i bisedimeve midis Iranit dhe SHBA-së mbi programin bërthamor të Teheranit që përparon me shpejtës pritet të zhvillohet në Itali.

"Rundi tjetër i bisedimeve ndoshta do të mbahet diku tjetër përveç Omanit”, u ka thënë gazetarëve të hënën në Teheran zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Një burim në qeverinë italiane ka konfirmar se rundi tjetër do të zhvillohet të shtunën në Romë, raporton AP.

Pavarësisht ndërrimit të lokacionit ku do të zhvillohen bisedimet, pritet që Omani, në të cilin është mbajtur rundi i parë i bisedimeve të shtunën, do të vazhdojë të ndërmjetësojë mes dy palëve.

Teksa SHBA-ja mund të ofrojë lehtësim sanksionesh për ekonominë e bllokuar të Iranit, mbetet e paqartë se sa do të jetë i gatshëm të pranojë Irani nga kërkesat e SHBA-së.

Duke gjykuar nga negociatat që nga viti 2018, Irani ka të ngjarë të kërkojë të vazhdojë pasurimin e uraniumit deri në të paktën 20%.

Megjithatë, asnjëra palë nuk ka ofruar ndonjë deklaratë publike për atë që po kërkon konkretisht në bisedime.

"Duhet të ketë patjetër garanci në lidhje me përmbushjen e angazhimeve”, ka thënë Baghaei të hënën.

"Çështja e garancive është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh historinë e premtimeve të thyera në të kaluarën. Me dëshirën e Zotit, ekipi negociator do të vazhdojë punën e tij duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë dhe pika”, ka shtuar ai.