Botë

Rumunët votojnë për Parlament të ri

Rumani

Qytetarët e Rumanisë do të kthehet sot në qendrat e votimit për ta zgjedhur Parlamentin e ri të vendit, në një kohë mosmarrëveshjes për zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar, në të cilat një kandidat prorus i ekstremit të djathtë e fitoi rundin e parë befasisht.

Kandidatët e ekstremit të djathtë, të cilët patën paraqitje shumë të mirë edhe në zgjedhjet presidenciale, pritet të shënojnë rritje në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Më shumë se 10.000 kandidatë po garojnë për të zënë ulëse në parlamentin dydhomësh: 329 vende në Dhomën e Deputetëve dhe 136 në Senat.

Një sondazh para zgjedhjeve tregoi se Aleanca për Unitetin e Rumunëve (AUR), një parti e ekstremit të djathtë dhe ultranacionaliste, kryesonte me 22.4 për qind, duke lënë mbrapa Partinë Social-Demokrate në pushtet, që kishte 21.4 për qind.

Demonstruesit protestuan në Bukuresht për disa ditë kundër Georgescut. Shumë njerëz e akuzuan presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Rumanisë.

AUR ka marrë qëndrime anti-perëndimore, duke vënë në pikëpyetje anëtarësimin e Rumanisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe ka promovuar retorikë ksenofobike dhe konspirative. mNën udhëheqjen e presidentit në largim, Klaus Iohannis, Rumania ka qenë mbështetëse e fuqishme e NATO-s dhe e fqinjit të vet, Ukrainës, në luftën kundër pushtimit rus.

Fitorja e AUR mund ta rrezikojë mbështetjen e Rumanisë për Ukrainën, thonë analistët.

Ndërkohë, Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë, një parti e qendrës së djathtë, ka një mbështetje prej rreth 17.5 për qind, sipas sondazheve. Kandidatja e saj për presidente, Elena Lasconi, do të përballet me kandidatin prorus dhe të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, në rundin e dytë të zgjedhjeve, më 8 dhjetor.

Partia Liberale – një partner i vogël në koalicionin qeverisës – ishte renditur me 13.4 për qind. Nëse asnjë parti nuk fiton shumicën e vendeve, do të pasojnë bisedime për koalicion. Partia që fiton shumicën e votave ka të ngjarë ta propozojë kandidatin për kryeministër.

Gjykata Kushtetuese pritet ta miratojë rezultatin e rundit të parë më 2 dhjetor pasi të përfundojnë zgjedhjet parlamentare, kanë thënë burimet për Shërbimit rumun të Radios Evropa e Lirë./REL