Botë

Rumania miraton projektligjin për t’i dhënë Ukrainës sistemin e mbrojtjes “Patriot”

Ukraina dhe Polonia

Qeveria e koalicionit të Rumanisë e ka miratuar projektligjin që lejon dhurimin e një sistemi të mbrojtjes ajrore “Patriot” për Ukrainën të hënën dhe e ka dërguar atë në parlament për votën finale, raporton Reuters.

Rumania, anëtare e NATO-s që nga viti 2004, ndan 650 kilometra kufi me Ukrainën, prej nga edhe i kanë rënë mbeturinat të dronëve të rrëzuar rus në territor, teksa Moska sulmon portet ukrainase në lumin Danub.

Bukureshti zyrtar ka thënë në qershor se do t’i dhuronte dy sisteme “Patriot” Ukrainës, me kusht që aleatët do e zëvendësonin atë me sistem të ngjashëm të mbrojtjes ajrore.

Kjo është pjesë e një dërgese të pesë sistemeve të tilla dhe njësive të tjera strategjike të mbrojtjes ajrore të premtuara nga shtetet e NATO-s për në Kiev, ndërsa qyteti lufton kundër pushtimit rus.

“Pasi parlamenti ta miratojë ligjin, qeveria do të jetë në gjendje ta nxjerrë vendimin që e bën funksional dhurimin”, ka thënë zëdhënësi qeveritar, Mihai Constantin.

Në projektligj thuhet gjithashtu se Rumania do t’i dërgojë SHBA-së letra oferte dhe pranimi për zëvendësimin e baterisë së dhuruar dhe pret të paguajë rreth 60 milionë dollarë taksa dhe tarifa.

Rumania nënshkroi një marrëveshje 4 miliardë dollarëshe për të blerë “Patriotë” në vitin 2017.

Dërgesa e parë u dorëzua në vitin 2020. Rumania ka marrë katër sisteme deri më tani, dy prej tyre funksionale.