Botë

Rubio dhe Witkoff vizitojnë Parisin për bisedime të përgjithshme

Marco Rubio e Steve Witkoff

Foto: Politico

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të udhëtojnë drejt Francës  për të mbajtur bisedime për shumë çështje, ka konfirmuar zëdhënësja e Qeverisë franceze, Sophie Primas.

Departamenti amerikan i shtetit ka bërë të ditur se Rubio e Witkoff do të mbërrijnë në Francë sot e do të largohen të premten. 

Mediumet si “Politico” dhe “Le Monde” patën raportuar më herët se dyshja do të udhëtonin në Paris gjatë kësaj jave me qëllimin për të mbajtur bisedime të nivelit të lartë rreth Ukrainës, Gazës, Iranit dhe tregtisë.

“Politico” ka treguar se presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pasur rol qendror në themelimin e të ashtuquajturit “koalicioni i të vullnetshmëve” për t’i dalë në ndihmë Ukrainës, përfshirë një forcë garantuese që mund të stacionohet në rast se arrihet ndonjë marrëveshje e paqes që i jep fund luftës.

Gjatë samitit që u mbajt në Bruksel javën e kaluar, ku morën pjesë rreth 50 vende, u arrit pajtim për ndihmë ushtarake në vlerë prej 21 miliardë eurove për Ukrainën.