Botë

Rruga e vendeve baltike drejt pavarësisë energjetike

Rruga e vendeve baltike drejt pavarësisë energjetike

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, dhe personalitete të tjera pritet të jenë pjesë e një ceremonie të dielën, derisa një orë e krijuar posaçërisht për këtë ceremoni, 9 metra e gjatë, në qendër të qytetit të Vilniusit, do të numërojë mbrapsht sekondat e fundit të lidhjes së rrjetit elektrik të shteteve baltike me Rusinë

Gati tri dekada e gjysmë pas pavarësimit nga Bashkimi Sovjetik, shtetet baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania këtë fundjavë do t’u japin fund lidhjeve në rrjetin energjetik me Rusinë dhe Bjellorusinë fqinje dhe do t’u drejtohen për këtë çështje aleatëve të tyre të Bashkimit Evropian.

Ndërprerja e lidhjeve të rrjetit energjetik me Rusinë, e pasur me naftë dhe gaz, ka rëndësi gjeopolitike dhe simbolike. Marrja e këtij vendimi u përshpejtua pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi trupat e tij që ta pushtonin Ukrainën tre vjet më parë, duke dëmtuar marrëdhëniet e Moskës me Bashkimin Evropian.

“Kjo është shkëputje fizike nga elementi i fundit i mbetur i varësisë sonë në sistemin energjetik rus dhe bjellorus”, tha presidenti lituan, Gitanas Nauseda, për Associated Press në një intervistë të fundi.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe personalitete të tjera pritet të jenë pjesë e një ceremonie të dielën, derisa një orë e krijuar posaçërisht për këtë ceremoni, 9 metra e gjatë në qendër të qytetit të Vilniusit, do të numërojë mbrapsht sekondat e fundit të lidhjes së rrjetit energjetik të shteteve baltike me Rusinë.  

Raportet e ftohta që nga rënia e Bashkimit Sovjetik

Vendet baltike, të cilat janë të gjitha anëtare të NATO-s, kanë pasur raporte të ftohta me Rusinë që nga shpallja e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1990 dhe marrëdhëniet u përkeqësuan edhe më tej pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Gjashtëmbëdhjetë linja energjetike që lidhnin tri shtetet baltike me Rusinë dhe Bjellorusinë u shkëputën gjatë viteve pasi u ndërtua një rrjet i ri që i lidh ato me pjesën tjetër të BE-së, përfshirë këtu edhe kabllot nënujore në Detin Baltik.

Të shtunën, të gjitha linjat e mbetura të sistemit të transmisionit midis tyre dhe Rusisë, Bjellorusisë dhe Kaliningradit të Rusisë do të fiken një nga një.

Më pas, për 24 orë, Sistemi i Energjisë Baltike do të funksionojë i vetëm në një “modalitet funksionimi në ishull”. Të nesërmen sistemi energjetik do të bashkohet me rrjetet evropiane kontinentale dhe nordike përmes disa lidhjeve me Finlandën, Suedinë dhe Poloninë.

Rajoni i Kaliningradit, i cili nuk ka lidhje tokësore me Rusinë kontinentale, tashmë mbështetet në prodhimin e vet të energjisë, sipas Litgrid, operatori i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike të Lituanisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se ishin njoftuar paraprakisht nga vendet baltike për planin e shkyçjes dhe se sektori energjetik rus kishte ndërmarrë hapa përgatitorë për të siguruar funksionimin e qetë nga ana e tij.

“Këto plane u shpallën shumë kohë më parë dhe ato kërkonin veprime të caktuara nga kompanitë tona dhe ato të rrjetit elektrik”, u tha Peskov gazetarëve. “Ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin e besueshëm dhe të pandërprerë të sistemit tonë të unifikuar të energjisë”.

Rreziqet për telashe

Tri vendet baltike, të cilat së bashku ndajnë një kufi të gjatë prej 1.633 kilometrash me Rusinë dhe Bjellorusinë, informuan zyrtarisht Moskën dhe Minskun për planin e shkyçjes në muajin korrik. Operatorët e tyre kombëtarë të sistemit të transmetimit mblodhën 1.2 miliardë euro nga BE-ja dhe përkrahje të tjera për të ndihmuar vendet që të sinkronizohen me Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale.

“Lituania ka bërë shumë në 30 vjetët e fundit për t’u shkëputur, për t’u bërë e pavarur”, tha Nauseda. “Tre vjet më parë ne ndaluam blerjen e çfarëdo lloj burimi energjetik nga Rusia. Ishte përgjigjja jonë ndaj luftës në Ukrainë”.

Pavarësisht njoftimit paraprak, vendet baltike presin kundërpërgjigje të mundshme nga ish-partnerët e tyre sovjetikë.

“Rreziku i sulmeve kibernetike mbetet thelbësor”, thanë nga Litgrid javën e kaluar, duke shtuar se vigjilenca e vazhdueshme, bashkëpunimi, hapat mbrojtës dhe masat “e fuqishme” të sigurisë kibernetike janë të nevojshme për të zbutur në mënyrë efektive kërcënimet e mundshme.

Kryeministrja letone, Evika Siliņa, paralajmëroi të mërkurën për provokime të mundshme, por tha se Letonia është e përgatitur mirë dhe autoritetet, duke përfshirë forcat e armatosura dhe gardën kombëtare, po rrisin vigjilencën dhe masat e tyre të sigurisë.

“Është e qartë se ka rrezik, ne e kuptojmë shumë mirë. Por rreziqet janë identifikuar dhe ka një plan emergjence në rast se këto rreziqe materializohen”, tha Siliņa.

Pas shpalljes së planeve të shkëputjes, fushata propagandistike u shfaqën në mediat sociale si dhe përmes fletushkave në rrugët e qyteteve ku përmes lajmeve të rreme flitej për ndërprerje të energjisë, si dhe fatura të larta për konsumatorët.

“Ne i dëgjuam ato thashetheme, por tashmë jemi mësuar me gjëra të tilla”, tha Jolanta Karavaitienė, një ish-mësuese tash pensioniste e cila jeton në Vilnius. “Sigurisht që ne duhet të shkëputemi prej tyre. Duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, nuk shoh asnjë arsye që ne të jemi pjesë e rrjetit rus”.

Megjithatë, disa vende në rajon kanë marrë masa paraprake.

Transmetuesi publik i Estonisë, ERR, ka raportuar rritje të shitjeve të gjeneratorëve. Zinxhiri i pajisjeve shtëpiake “Bauhof” shiti dhjetëra gjeneratorë më shumë muajin e kaluar në krahasim me janarin e një viti më parë dhe rivalit “Ehituse ABC” iu desh t’i kufizonte blerjet e tyre, sipas raportit.

Shkëputja nga Rusia

Vendet baltike kanë bërë hapa drejt pavarësisë energjetike për shumë dekada.

Në vitin 2003, përpara se të anëtarësohej në BE, Lituania vendosi të mbyllte centralin bërthamor Ignalina, të ndërtuar nga sovjetikët, në përgjigje të shqetësimeve në Bruksel për sigurinë e tij. Ai u mbyll në vitin 2009.

Lituania ndërtoi një terminal nafte në det të hapur në Detin Baltik në vitin 1999. Shtatë vjet më vonë ajo u bë pika e vetme e importit të naftës bruto të vendit pas lëvizjes së befasishme të Rusisë për t’i ndalur furnizimet me naftë në Lituani përmes rrjetit të gjerë të tubacionit rus Druzhba.

Rokas Masiulis, drejtor ekzekutiv i Litgridit, tha se Lituania ka “vuajtur shumë” për shkak të veprimeve ruse në të kaluarën, të tilla si ndërprerja e furnizimeve me naftë dhe rritja e çmimeve të gazit nga të cilat dikur varej vendi i tij.

Ai tha se Lituania sot ka “shumë më shumë sesa na nevojitet” për sa i përket kapacitetit të energjisë elektrike, si nga lëndët djegëse fosile, por edhe nga dielli dhe nga era. “Pra, ne jemi të sigurt”, tha ai.

Shkëputja me Rusinë “nuk është e keqe as për ta, as për ne”, tha Masiulis.

“Ne ishim disi të ndërlidhur dhe të ndërvarur nga njëri-tjetri. Tani thjesht do të ndajmë rrugët tona”, tha ai.

Tri vendet baltike kanë rindërtuar linjat e energjisë dhe kanë nisur implementimin e një plani të madh ndërtimi për të shkëputur rrjetet e tyre nga Rusia dhe drejtuar ato nga Perëndimi, shtoi drejtori ekzekutiv i Litgridit, duke e quajtur atë një arritje teknologjike.

“Veprimet e Rusisë, duke qenë agresive dhe duke i larguar fqinjët e saj, na kanë ndihmuar vërtet”, tha Masiulis. “Ndoshta kemi vuajtur pak me çmimin e naftës, me çmimin e gazit, por u detyruam të vepronim. Kështu ne ndërtuam rrugë alternative”.

“Tani jemi në gjendje shumë më të mirë sesa më parë”, shtoi ai. “Pra, ndoshta ata na e donin të keqen, por në fund gjithçka funksionoi shumë mirë për ne”.