Perëndimi ka qenë gjithmonë i vendosur për të mbështetur në mënyrë solide Ukrainën, që kur Rusia nisi sulmin ndaj saj në shkurt të vitit 2022. Nga mbështetja financiare dhe ushtarake deri te mbështetja e hapur për anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe NATO, shumë zyrtarë evropianë kanë shprehur habinë për faktin se Evropa jo vetëm që ka qenë e fokusuar, por as nuk është zmbrapsur
Ambiciet e Ukrainës në rrugën drejt Bashkimit Evropian u forcuan dukshëm të mërkurën, kur ekzekutivi i bllokut evropian deklaroi se negociatat e detajuara për anëtarësim duhet të fillojnë në vitin tjetër.
Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë më në fund, 18 muaj pasi blloku pranoi Ukrainën si shtet kandidat. I njëjti raport rekomandoi se procesi i anëtarësimit duhet të fillojë edhe me Moldavinë.
“Sot është një ditë historike, sepse Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë”, u shpreh të mërkurën kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen u deklarua në të njëjtën ditë kur Komisioni publikoi raportin që u sugjeronte vendeve anëtare të BE-së se negociatat e anëtarësimit të Ukrainës duhet të fillojnë, gati 18 muaj pas pranimit të saj si shtet kandidat. I njëjti raport po ashtu sugjeron që edhe Moldiavia duhet të fillojë procesin e anëtarësimit.
Anëtarësimi drejt BE-së ka qenë një ndër ambiciet e Ukrainës për më shumë se një dekadë. Në fund të vitit 2013, vendimi i presidentit të atëhershëm ukrainas, Viktor Janukovich, për heqjen e marrëveshjes tregtare me Bashkim Evropian dhe kthimin drejt Rusisë shkaktoi protesta që rezultuan në shkarkimin e tij, të pasuar nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në mars të vitit 2014. Synimi për t'iu bashkuar bllokut – së bashku me NATO-n – ka qenë zyrtarisht pjesë e Kushtetutës së Ukrainës që nga viti 2019.
Vendimin e së mërkurës e mirëpriti presidenti ukrainas, Volodymir Zelenskyy, i cili edhe aplikoi për anëtarësim në BE në shkurt të vitit 2022, pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën.
Ai u shpreh se me rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, Evropa ka ndërmarrë hapin e duhur. “Ukrainasit kanë qenë dhe mbeten gjithmonë pjesë e familjes së përbashkët evropiane. Ne e meritojmë të jemi pjesë e BE-së si për mbrojtjen e vlerave evropiane, ashtu edhe për faktin se edhe në kohë lufte ne e mbajmë fjalën dhe i zhvillojmë institucionet tona shtetërore”, u shpreh Zelenski, duke shtuar se “të gjitha vendimet e nevojshme janë duke u miratuar”.
Proces i gjatë
Megjithëse vendimi për hapjen e negociatave me Ukrainën është një hap i rëndësishëm në rrugën e Zelenskyt drejt anëtarësimit në BE, bisedimet nuk do të fillojnë derisa të plotësohen një sërë kushtesh, të cilat ende nuk dihet nëse ka gjasa të përmbushen së shpejti pasi që Ukraina aktualisht ndodhet ende në luftë.
Ndonëse Ukraina ka mirëpritur rekomandimin e Brukselit, i cili është në pritje të 27 vendeve anëtare të BE-së që të pranojnë apo të deklarojnë qëndrimin e tyre rreth hapjes së negociatave për anëtarësimin e Ukrainës, rekomandimi vjen me disa paralajmërime vështirë të kapërdirë për Kievin, veçanërisht rreth çështjes së luftës kundër korrupsionit.
Komisioni Evropian deklaroi se “Parlamenti dhe Qeveria ukrainase kanë treguar vendosmëri në arritjen e progresit thelbësor në përmbushjen e 7 hapave të kërkuar për hapjen e negociatave”.
Një diplomat i lartë i BE-së u shpreh se ndonëse vendet anëtare kanë marrë "një vendim politik për të hapur negociatat, negociatat aktuale do të fillojnë vetëm pasi të plotësohen plotësisht kushtet" - që në këtë pikë mund të zgjasin ende me vite.
Është e rëndësishme të theksohet se zyrtarët ukrainas së fundmi kanë qenë të shqetësuar se vëmendja është zhvendosur nga Ukraina në Lindjen e Mesme që nga sulmet e 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit dhe reagimi ushtarak i qeverisë izraelite në Gaza.
”Sulmet terroriste në Izrael janë vetëm një luftë tjetër, pra një krizë që po e devijon vëmendjen publike në SHBA dhe deri në njëfarë mase në Evropë. Çdo krizë tjetër ndërkombëtare do të thotë që burimet tërhiqen nga ne, që rrjedhimisht është në interesin e boshtit të Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut” deklaroi për CNN një këshilltar i lartë i Zelenskyt.
Perëndimi ka qenë gjithmonë i vendosur për të mbështetur në mënyrë solide Ukrainën që kur Rusia nisi sulmin ndaj saj në shkurt të vitit 2022. Nga mbështetja financiare dhe ushtarake deri tek mbështetja e hapur për anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe NATO, shumë zyrtarë evropianë kanë shprehur habinë për faktin se Evropa jo vetëm që ka qenë e fokusuar, por as nuk është zmbrapsur.
Opinione të përziera
Ka anëtarë të aleancës perëndimore të cilët tradicionalisht janë më pak të ashpër se të tjerët kur bëhet fjalë për Rusinë. Kjo përzierje opinionesh bëhet më e ndërlikuar në çdo forum ku mbivendosen NATO-ja dhe BE-ja.
Historia e NATO-s mund të jetë e formësuar nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore dhe ndarjet pasuese të luftës së ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit, por ka edhe anëtarë, kryesisht nga Hungaria e Turqia, që kanë pikëpamje më pozitive për Rusinë moderne.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian jo vetëm që ka pikëpamje të tjera dhe marrëdhënie diplomatike me Rusinë, por gjithashtu një numër vendesh të Bashkimit Evropian janë ushtarakisht neutrale. Bilanci ka ndryshuar me anëtarësimin e Finlandës në NATO, ku shumë shpejtë pritet edhe anëtarësimi i Suedisë, ndërkohë që Irlanda dhe Austria vazhdojnë ta ruajnë pozicionin e tyre zyrtarë të neutralitetit edhe në vitin 2023.
Pavarësisht gjithë kësaj, Ukraina ka pasur atë që diplomati evropian e përshkroi si “vëmendjen tonë të plotë”.
Në Bruksel janë shprehur të shqetësuar, madje edhe pak të zemëruar kur dëgjojnë deklaratat e zyrtarëve të Kievit për të ashtuquajturën lodhje te Ukrainës. “Unë thjesht nuk mendoj se fokusi ynë po zhvendoset nga Ukraina-përkundrazi, ne kemi propozuar 50 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës në vitet në vijim”, deklaroi një zyrtar i komisionit.
Nga ana tjetër, disa zyrtarë evropianë janë të befasuar për shpërfilljen që po i bëhet Ukrainës nga instancat e larta të institucioneve evropiane. “Është deri diku e vërtetë që fokusi është zhvendosur nga Ukraina . Të gjitha mediat janë të përqendruara vetëm tek Izraeli”, u shpreh një diplomat i NATO-s.
Shumë shtete të Evropës Lindore ndajnë pikëpamjen e Ukrainës se zhvendosja e fokusit vetëm në Lindjen e Mesme është në dobi të Rusisë.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, i cili po planifikon ta vizitojë Uashingtonin për t’ia kujtuar SHBA-së se sa i rëndësishëm është ky moment, u shpreh në rrjetin social X: “Ne jemi jashtëzakonisht afër të humbasim mundësinë për t’i dhënë fund agresionit ushtarak shekullor të Kremlinit dhe për të siguruar të ardhmen e shumë kontinenteve. Fëmijët tanë do të na mallkojnë në llogoret që po i hapim për ta”.
Sinjali i BE-së se ajo është politikisht e gatshme që negociatat e anëtarësimit të fillojnë zyrtarisht është një moment historik shumë i rëndësishëm për Ukrainën. Megjithatë, Ukraina është vetëm një ndër shumë vendet e Evropës në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit në BE. Ky proces mund të zgjatë deri në një dekadë dhe askush nuk është i sigurt se ku do të jetë politikisht Ukraina apo pjesa tjetër e Evropës deri atëherë.
Përktheu: Kaona Sejdiu