Botë

Rrjetet sociale të mbushura me dezinformata për Izraelin

Ndërkohë që rrjeti social i Muskut është i mbushur me kaos, rivalët si TikTok, YouTube dhe Facebook po përballen gjithashtu me vërshim thashethemesh të pavërtetuara dhe të rreme rreth konfliktit, duke luajtur lojën e zakonshme që shfaqet sa herë që një ngjarje lajmesh pushton vëmendjen e botës

Rrjeti social Twitter është përballur gjithmonë me luftimin e dezinformatave në lidhje me zhvillimet kryesore, mirëpo ende është vendi i preferuar për të zbuluar se çfarë po ndodh në botë. Lufta Izrael – Hamas ka dëshmuar se si platforma që tashmë ka marrë emrin “X” është bërë jo vetëm e pabesueshme, por promovon në mënyrë aktive gënjeshtrat.

Ekspertët kanë treguar se nën udhëheqjen e Elon Muskut, platforma është përkeqësuar deri në atë pikë saqë jo vetëm që po dështon të shtypë dezinformatat, por po favorizon postimet e llogarive që paguajnë shërbimin e abonimit me kontroll blu, pavarësisht se kush i drejton ato.

Nëse postimet e tilla bëhen virale, krijuesit e tyre të kontrolluar blu mund të kualifikohen për pagesa nga “X”, duke krijuar nxitje financiare për të postuar çdo gjë që merr më shumë reagim – përfshirë dezinformimin.

Ian Bremmer, ekspert i shquar i politikës së jashtme, postoi në “X” se niveli i dezinformatave mbi luftën Izrael-Hamas “duke u promovuar në mënyrë algoritmike” në platformë “nuk ngjan me asgjë që unë kam qenë i ekspozuar ndonjëherë në karrierën time si shkencëtar politik”.

Dhe zbatuesi digjital i Bashkimit Evropian i shkroi Muskut për dezinformatat dhe “përmbajtjet potencialisht të paligjshme” në “X”, në atë që po formohet të jetë një nga testet e para kryesore për rregullat e reja digjitale të bllokut 27 vendesh që synojnë pastrimin e platformave të mediave sociale. Ai më vonë i dërgoi një version të ngjashëm, megjithëse të zbutur, shefit ekzekutiv, Mark Zuckerberg i Metas, i cili zotëron Facebookun dhe Instagramin.

Image
Rrjetet sociale X, Facebook dhe Tik-Tok kanë dështuar të fshijnë përmbajtjen e rreme nëpër faqet e tyre

“Vërshim thashethemesh”

Ndërkohë që rrjeti social i Muskut është i mbushur me kaos, rivalët si TikTok, YouTube dhe Facebook po përballen gjithashtu me vërshim thashethemesh të pavërtetuara dhe të rreme rreth konfliktit, duke luajtur lojën e zakonshme që shfaqet sa herë që një ngjarje lajmesh pushton vëmendjen e botës.

“Njerëzit janë të dëshpëruar për informacion dhe konteksti i mediave sociale mund të ndërhyjë në mënyrë aktive në aftësinë e njerëzve për ta dalluar faktin nga trillimi”, ka theksuar Gordon Pennycook, profesor i asociuar i psikologjisë në Universitetin Cornell që studion dezinformimin.

Për shembull, në vend që të pyesin nëse diçka është e vërtetë, njerëzit mund të përqendrohen nëse diçka është befasuese, interesante apo madje ka të ngjarë t’i zemërojë njerëzit - llojet e postimeve më shumë gjasa që shkaktojnë reagime të forta dhe bëhen virale.

Grupi liberal “Media Matters” ka zbuluar se që nga e shtuna, abonentët e shërbimit premium të “X-it” ndanë të paktën gjashtë video mashtruese rreth luftës. Kjo përfshinte video jashtë kontekstit dhe të vjetra që pretendohej se ishin të konfliktit që ka nisur më 7 tetor - që fituan miliona shikime.

Ndërkohë, TikTok është “pothuajse po aq keq” sa “X”, ka thënë Kolina Koltai, studiuese në grupin hulumtues “Bellingcat”. Ajo ka punuar më parë në Twitter në Community Notes, shërbimi i kontrollit të fakteve me burim nga turma.

Por ndryshe nga X, TikTok nuk është njohur kurrë si burimi numër një për informacion në kohë reale rreth ngjarjeve aktuale.

Ndërkohë, platformat në zhvillim ende po gjejnë bazën e tyre në ekosistemin global të informacionit, kështu që megjithëse mund të mos jenë ende objektiva për fushata dezinformimi në shkallë të gjerë, ato gjithashtu nuk kanë ndikimin e rivalëve më të mëdhenj dhe më të vendosur.

“Threads” nga Meta, për shembull, po fitojnë tërheqje midis përdoruesve që ikin nga “X”, por kompania deri më tani është përpjekur të heqë theksin nga lajmet dhe politikën në favor të temave më “miqësore”.

“Një nga arsyet pse nuk po dëgjoni shumë për Facebookun është sepse ata kanë diçka që quhet ulje”, ka theksuar Alexis Crews, anëtar rezident në Institutin e Integritetit që punoi në Meta deri këtë pranverë. Nëse diçka është etiketuar si dezinformatë, sistemi do ta largojë atë dhe do t’ia dërgojë për vlerësim kontrolluesve të pavarur të fakteve. Ekuipazhet paralajmëruan se nëse Meta - e cila i ka ulur kostot dhe ka pushuar nga puna mijëra punëtorë - heq programin e saj të kontrollit të fakteve, dezinformatat mund të vërshojnë përsëri platformat e saj. “Associated Press” është pjesë e programit të kontrollit të fakteve të Metës.

Meta dhe “X” nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të AP-së për koment. TikTok ka thënë në një deklaratë se ka burime të veçanta për të ndihmuar në parandalimin e përmbajtjeve të dhunshme, të urrejtjes ose mashtruese, “duke përfshirë burime të shtuara të moderimit në hebraisht dhe arabisht”. Kompania ka njoftuar se gjithashtu punon me kontrollues të pavarur faktesh për të ndihmuar në vlerësimin e saktësisë së materialit të postuar në platformën e saj.

Image
Rrjeti social X me anë të postimeve me pagesë ka lejuar shpërndarjen e shumë informacioneve të rreme për konfliktin Izrael-Hamas

Rezistenca ndaj dezinformimeve

Një postim vonë të hënën nga ekipi i sigurisë i “X-it”, thotë: “Në dy ditët e fundit ne kemi parë një rritje të përdoruesve aktivë të përditshëm në @X në zonën e konfliktit, plus ka pasur më shumë se 50 milionë postime globalisht të fokusuara në fundjavë tek sulmi terrorist ndaj Izraelit nga Hamasi. Gjersa ngjarjet vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësi, një grup drejtues ndër-kompani e ka vlerësuar këtë moment si krizë që kërkon nivelin më të lartë të reagimit”.

Ndërsa janë shfaqur shumë imazhe reale dhe rrëfime të masakrës, ato janë përzier me përdoruesit e mediave sociale duke nxitur pretendime të rreme dhe duke keqinterpretuar video nga ngjarje të tjera.

Ndër trillimet janë edhe pretendimet e rreme se një komandant i lartë izraelit u rrëmbye, një memo e korrigjuar e Shtëpisë së Bardhë që pretendon të tregojë presidentin e SHBA-së, Joe Biden, duke njoftuar për ndihmë Izraelin, dhe video të vjetra pa lidhje të presidentit rus, Vladimir Putin, me mbishkrime të pasakta në anglisht. Madje edhe një klip nga një videolojë u transmetua si pamje nga konflikti.

“Sa herë që ka ndonjë ngjarje të madhe dhe informacioni është në nivel të lartë, ne shohim keqinformim të përhapur si zjarr”, ka thënë Pennycook. “Tani ekziston një model shumë i qëndrueshëm, por sa herë që ndodh, ka një rritje të papritur të shqetësimit për keqinformimin që tenton të zbehet sapo të kalojë momenti”.

“Ne kemi nevojë për mjete që ndihmojnë në ndërtimin e rezistencës ndaj dezinformatave përpara ngjarjeve të tilla”, ka thënë ai.

Tani për tani, ata që kërkojnë një qendër kryesore për të gjetur informacion të besueshëm në kohë reale në internet mund të mos kenë fat. I papërsosur siç ishte Twitter, nuk ka asnjë zëvendësim të qartë për të. Kjo do të thotë se kushdo që kërkon informacion të saktë në internet duhet të tregojë vigjilencë.

Në kohë lajmesh të mëdha, siç është konflikti aktual, Koltai rekomandoi, “të informoheni në mediave të lajmeve si AP-ja, Reuters, të cilët po bëjnë gjëra të tilla si kontrolli i fakteve” dhe raportime aktive në terren.

Masat e ndërmarra

Ndërkohë, në Evropë platformat kryesore të mediave sociale po përballen me një kontroll më të rreptë mbi luftën.

Sekretarja e Teknologjisë e Britanisë, Michelle Donelan, thirri drejtuesit e Britanisë së Madhe të X, TikTok, Snapchat Google dhe Meta për një takim për të diskutuar “përhapjen e antisemitizmit dhe përmbajtjes jashtëzakonisht të dhunshme” pas sulmit të Hamasit.

Ajo kërkoi që ata të përshkruanin veprimet që po ndërmarrin për të hequr me shpejtësi përmbajtjen që shkel ligjin e sigurisë në internet të Mbretërisë së Bashkuar ose termat dhe kushtet e tyre.

Komisioneri evropian, Thierry Breton, paralajmëroi në letrën e tij drejtuar Muskut për dënimet në mospërputhjen me Aktin e ri të Shërbimeve Digjitale të BE-së, i cili i vë platformat më të mëdha në internet si X, nën një kontroll shtesë dhe u kërkon atyre që ta bëjnë më të lehtë për përdoruesit që të raportojnë përmbajtje të paligjshme dhe të marrin hapa për të reduktuar dezinformimin - ose do të përballeni me gjoba deri në 6% të të ardhurave vjetore globale.

Musk u përgjigj duke reklamuar qasjen e platformës duke përdorur etiketat e kontrollit të fakteve të mbledhura nga turma, një referencë e dukshme për Shënimet e Komunitetit.

“Politika jonë është që gjithçka të jetë me burim të hapur dhe transparente, një qasje që unë e di që BE-ja e mbështet”, ka shkruar Musk në X. “Ju lutemi, renditni shkeljet për të cilat aludoni në X, në mënyrë që publiku t’i shohë ato”.

Breton u përgjigj se Musk është “i vetëdijshëm” për raportet mbi “përmbajtjen e rreme dhe glorifikimin e dhunës”.

Përktheu: Blerta Haxhiu