Botë

Rritja e numrit të ekzekutimeve nëpër botë, prin Kina

Ekzekutime

Foto: The Sun

The Sun -  Disa orë më parë një burrë u ekzekutua në Arabi Saudite, duke e vazhduar trendin në rritje të numrit të ekzekutimeve të kryera në mbarë botën. 

Vendi i Lindjes së Mesme është ndër kryesuesit kur vjen puna te ekzekutimet, qëndron pas Kinës, ku thuhet se “mijëra” janë vrarë për mospajtim dhe krime të tilla si trafikim të drogës e ryshfet. 

Në Iran është rritur numri i rasteve të ekzekutimeve, ku janë dhënë dënime me vdekje për drogë dhe kjo thuhet se ka ndikuar që viti 2023 të jetë viti me numrin më të madh të ekzekutimeve që nga viti 2015 – kur 1634 ekzekutime u kryen.

Vitin e kaluar u rrit intensiteti i ekzekutimeve edhe në SHBA e Somali, ndërsa në Kinë u ekzekutuan “mijëra”. 

Koreja e Veriut ndërkohë miratoi një ligj të ri duke e bërë të dënueshme me vdekje mospërdorimin e gjuhës amtare koreane. 

Gjithsej 1153 ekzekutime janë kryer vitin e kaluar, sipas raportit të ri të Amnesty “Dënimet me vdekje dhe Ekzekutimet”. 

Shifra nuk përfshin mijëra ekzekutime që dyshohet se janë bërë në Kinë – një rritje prej mbi 30 për qind nga viti 2022. 

Dhe kishte rritje prej 20 për qind në numrin e dënimeve me vdekje të ndara nëpër botë, duke çuar në total 2428. 

Amnesty thotë se Kina ishte sërish lidere sa i përket ekzekutimeve, por nuk ka qenë në gjendje të tregojë shifra të sakta për të – apo për Korenë e Veriut e Vietnamit – për shkak të “sekreteve shtetërore”. 

Raportet zyrtare nga vende të tilla treguan se dënimi me vdekje po përdorej si mjet për të mbajtur kontrollin dhe për të shtypur mospajtimin. 

Kina, Irani, Arabia Saudite, Somalia dhe SHBA-ja, vitin e kaluar kanë kryer numrin më të madh të ekzekutimeve nëpër botë. 

Irani, sipas Amestyt, ka kryer 74 për qind të gjitha ekzekutimeve të regjistruar, ndërsa Arabia Saudite 15 për qind. 

Ekzekutime janë regjistruar në 16 vende nëpër botë. 

Nuk janë regjistruar ekzekutime në Bjellorusi, Japoni, Birmani apo Sudan Jugor, ndonëse në secilin nga këto vende kishte ekzekutime në vitin 2022. 

Sekretari i përgjithshëm i Amnesty International, Agnes Callamard tha: “Kjo rritje e madhe në numrin e ekzekutimeve të regjistruara është kryesisht për shkak të Iranit. Autoritetet e Iranit treguan shpërfillije të plotë për jetën e njeriut dhe shtuan ekzekutimet për vepra të lidhura me drogën, duke theksuar më tej ndikimin diskriminues të dënimit me vdekje në komunitetet më të margjinalizuara dhe të varfëra të Iranit”. 

Të paktën 853 persona u ekzekutuan në Iran në vitin 2023 – një rritje prej 48 për qind nga 576 ekzekutime të regjistruara në vitin 2022 – përfshirë këtu të paktën 24 gra e fëmijë. 
Disa nga ekzekutimet në Iran , rreth 545 u kryen për vepra si shkelje të lidhura me drogën, për plaçkitje apo spiunazh – krime që nuk dënohen me vdekje sipas të drejtës ndërkombëtare. 
56 pr qind të ekzekutimeve të Iranit u kryen për dënime të lidhura me drogën. 

Numri i ekzekutimeve në SHBA u rrit nga 18 në vitin 2022 në 24 vitin e kaluar, pasi ligjet për të kryer ekzekutime nga skuadra e pushkatimit u prezantuan në Idaho dhe Tennessee. 

Një ligj tjetër i ri u nënshkrua në Karolinë Jugore për të fshehur identitetet e atyre të përfshirë në kryerjen e ekzekutimeve.