Ahmed Qamar, 34 vjeç, i cili u kthye për të jetuar në rrënojat e shtëpisë së tij në Jabaliya, ka theksuar se në zonën e tij janë sjellë vetëm disa dhjetëra kamionë me ndihma. “Qindra familje këtu po flenë në qiell të hapur dhe në të ftohtë”, ka thënë ai. “Ne kemi nevojë për energji elektrike dhe strehim, ndërkohë që tregjet janë të mbushura me çokollata dhe cigare”.
Dy javë pasi armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi, ndihmat po hynë në Rripin e Gazës, duke sjellë lehtësim në territorin që vuan nga uria, zhvendosjet masive dhe shkatërrimet pas 15 muajve të luftës.
Mirëpo palestinezët dhe punonjësit e ndihmës thonë se ende po përballen me një betejë të vështirë për të siguruar që ndihma të arrijë te të gjithë. E mundësia është e madhe që luftimet të rifillojnë nëse armëpushimi prishet pas fazës së parë gjashtë- javore.
Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli ka njoftuar se do të lejonte 600 kamionë ndihma në Gaza çdo ditë, një rritje goxha e madhe. Izraeli ka vlerësuar se të paktën 4.200 kamionë kanë hyrë çdo javë që nga arritja e armëpushimit.
Grupet humanitare thonë se shpërndarja e ndihmave është e ndërlikuar nga rrugët e shkatërruara ose të dëmtuara, inspektimet izraelite dhe kërcënimi nga bombat e pashpërthyera.
Samir Abu Holi, 68 vjeç, vëzhgoi një pikë të shpërndarjes së ushqimit në Jabaliya, zonë në Gazën veriore, e cila u shkatërrua nga ofensivat izraelite e fundit, e cila ndërpreu pothuajse të gjithë ndihmën për më shumë se një muaj.
“Kam më shumë se 10 fëmijë. Të gjithë kanë nevojë për qumësht dhe ushqim. Para armëpushimit ne siguronim ushqim me vështirësi”, tha ai. “Sot, sado pak kemi një lehtësim të vogël”.
Rritja e ndihmës
Agjencia kryesore e Ushqimit e OKB-së, Programi Botëror i Ushqimit, ka bërë të ditur se u ka shpërndarë më shumë ushqim palestinezëve në Gaza gjatë katër ditëve të para të armëpushimit sesa mesatarisht gjatë çdo muaji të luftës. Mbi 32 milionë kilogramë ndihma kanë hyrë në gaza që nga armëpushimi, njoftoi agjencia javën e kaluar.
Ndihma tani po hyn përmes dy vendkalimeve në veri dhe një në jug. Agjencitë e ndihmës thanë se po hapin furra buke dhe po shpërndajnë biskota përmbajtje të lartë të kalorive dhe policia e Hamasit është kthyer në rrugë për të ndihmuar në rivendosjen e rendit.
Përpara armëpushimit, organizatat e ndihmës kanë thënë se shpërndarja ishte e ndërlikuar nga bandat e armatosura që plaçkitnin kamionët, nga sulmet ndaj punonjësve të ndihmës, nga inspektimet izraelite dhe treguan se kishin vështirësi në koordinimin me COGAT, organi ushtarak izraelit i ngarkuar me lehtësimin e ndihmës. Izraeli fajësonte OKB-në dhe organizatat humanitare për dështimin e dërgimit të ndihmave në Gaza.
Tani ekziston “vullneti politik për të bërë gjithçka tjetër të funksionojë”, ka theksuar Tania Hary, drejtoreshë ekzekutive e Gishas, organizatë izraelite e përkushtuar për të mbrojtur të drejtën e palestinezëve për lirinë e lëvizjes.
“COGAT aktualisht është përgjigje e shpejtë ndaj kërkesave për koordinim. Po lejon dy vendkalime në vend të funksionojnë në veri. Armëpushimi po i lejon forcat e Hamasit të veprojnë lirshëm për të ndaluar plaçkitjen … dhe pushimi i armiqësive i lejon agjencitë e ndihmës të lëvizin lirshëm dhe të sigurt”, ka theksuar Hary.
Çmimet e larta, ende sfidë për palestinezët
Nadine Jomaa, një grua e re në Bureij në Gazën qendrore, ka treguar se ndihma nuk është gjithherë e disponueshme dhe ajo duhet të blejë mallra në treg, ku ato rishiten me çmime të fryra. Megjithëse çmimet po bien, mielli dhe gazi i gatimit ende kushtojnë afërsisht trefish më shtrenjtë se sa para luftës, sipas Programit Botëror të Ushqimit.
Familja e saj po ha vetëm ushqime të lira të konservuara. “Kemi nevojë për më shumë ushqim, ujë, sende shtëpiake për kuzhinë dhe banjë dhe sende të grave”, tha ajo.
Edhe pse zyrtarët humanitarë kanë thënë prej kohësh se mënyra më e mirë për të parandaluar zhvatjen është futja e ndihmave masive në Gaza, palestinezët thonë se deri më tani rritje të tillë ka pasur vetëm në zona të caktuara. Banorët ankohen se nuk ka thuajse mjaftueshëm tenda që hyjnë në Gaza, ndërkohë që sendet jo-elementare si çokollata, arrat dhe soda janë papritmas kudo.
Ahmed Qamar, 34 vjeç, i cili u kthye për të jetuar në rrënojat e shtëpisë së tij në Jabaliya, ka treguar se në zonën e tij janë sjellë vetëm disa dhjetëra kamionë me ndihma.
“Qindra familje këtu po flenë në qiell të hapur dhe në të ftohtë”, tha ai. “Ne kemi nevojë për energji elektrike dhe strehim, ndërkohë tregjet janë të mbushura me çokollata dhe cigare”.
Tess Ingram, zëdhënëse e UNICEF-it, ka theksuar se sipas punonjësve shëndetësorë ende po regjistrohen raste të kequshqyerjes te fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Megjithëse punonjësit e ndihmës thonë se procesi i inspektimit izraelit është përshpejtuar, dërgimi i llojeve të caktuara të ndihmave në Gaza është ende sfidues. Disa artikuj konsiderohen si “me përdorim të dyfishtë”, duke i ndaluar ata nga Gaza për shkak të shqetësimeve se mund të devijohen nga militantët për qëllime ushtarake.
Disa spitale kanë ende mungesë karburanti. Hamasi ka akuzuar gjithashtu zyrtarët izraelitë për pengim të shpërndarjes së furnizimeve mjekësore dhe makinerive të rindërtimit.
Sipas një liste të shpërndarë në grupet humanitare nga COGAT dhe të parë nga Associated Press, pajisjet grumbullimit të ujit, njësitë e magazinimit, veglat, kompletet e tendave, furrat, veshjet rezistuese ndaj ujit dhe pajisjet për ekipet e ndërtimit të strehimoreve, të gjitha kërkojnë “miratim paraprak” përpara se të hyjnë në Gaza.
“Teksa ndihma po rritet në sasi, ne gjithashtu e dimë se ato kufizime për gjërat elementare po vazhdojnë”, ka theksuar Sophie Driscoll, udhëheqësja e komunikimeve për Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit në territoret palestineze.
Ingram, zëdhënësja e UNICEF-it, ka deklaruar se lista e ka bërë të vështirë sjelljen e gjeneratorëve dhe materialeve të rënda të nevojshme për të riparuar rrjetin e dëmtuar të ujit të Gazës. Ndërsa kthehen në shtëpi, shumë palestinezë po jetojnë në zonat ku rrjeti i ujit është shkatërruar. Kjo e bën një kërcënim dehidratimin dhe përhapjen e sëmundjeve për shkak të kushteve të këqija sanitare dhe kujdesit të kufizuar mjekësor.
Ingram ka deklaruar se ajo ka udhëtuar në disa nga zonat më të goditura në veri - Jabaliya dhe Beit Lahiya - ditët e fundit, ku njerëzit janë të etur.
“Kudo që kam shkuar këtu në veri të Gazës, njerëzit kërkojnë ujë”, ka deklaruara ajo. “Unë mund të shihja fëmijë në anë të rrugës të etur për ujë”.
COGAT ka pranuar pezullimin e disa artikujve në listën e përdorimit të dyfishtë, por ka theksuar se ende po i lejon ato në Gaza pas ekzaminimit. Agjencia ka njoftuar se tendat nuk konsiderohen me përdorim të dyfishtë dhe Izraeli ka lejuar dhjetëra mijëra të hyjnë në Gaza në javët e fundit “pa kufizim”. Sipas organizatës, Izraeli ka zgjatur orët e hapura të kalimeve dhe ka lejuar riparimet e rrugëve brenda Gazës.
“Për sa i përket shpërndarjes së ndihmës brenda Gazës, Izraeli nuk e kontrollon situatën brenda”, ka njoftuar COGAT.
Udhë të shkatërruara, mjete të pashpërthyera
Rrugët janë dëmtuar rëndë nga lufta dhe mjetet e pashpërthyera janë të shpërndara gjithandej. OKB-ja vlerëson se 5 deri në 10% e të gjithë municioneve të hedhura në Gaza nuk kanë shpërthyer, duke e bërë territorin potencialisht të rrezikshëm për civilët dhe punonjësit e ndihmës.
UNMAS, agjencia e OKB-së për trajtimin e municioneve të pashpërthyera, ka bërë të ditur se që nga zbatimi i armëpushimit, autokolonat humanitare dhe civilët kanë raportuar se kanë gjetur bomba të mëdha avionësh, mortaja dhe granata.
Duke folur nga Gaza jugore, Jonathan Crickx, shefi i komunikimit në UNICEF, ka kujtuar se ishte në një rrugë ku “mijëra e mijëra fëmijë dhe familje po ecnin”.
“Unë i shihja pa asgjë”, tha ai, “vetëm me rrobat e trupit”.