Kërkuesit thonë se kanë hequr dorë nga shpresa për të gjetur të mbijetuar pas katastrofës më të rëndë ajrore të Nepalit në dekada, raportoi të hënën BBC-ja.
Zyrtari lokal, Tek Bahadur, tha se shanset për të gjetur dikë të gjallë ishin "zero".
Në bordin e fluturimit të Yeti Airlined nga Katmandu në Pokhara, ishin 72 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit, i cili u rrëzua të dielën.
Ende nuk dihen rrethanat se si u shkaktua përplasja.
"Ne kemi mbledhur 68 trupa deri më tani. Jemi duke kërkuar për katër trupa të tjerë", tha Bahadur.
Të hënën rreth 300 pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit filluan kërkimin e tyre.
Kryeministri i Nepalit e ka shpallur të hënën ditë zie kombëtare dhe qeveria ngriti një panel për të hetuar shkakun e katastrofës.
Aksidentet e aviacionit nuk janë të rralla në Nepal, shpesh për shkak të pistave të largëta dhe ndryshimeve të papritura të motit që mund të shkaktojnë kushte të rrezikshme.