Botë

Rreziku që i kanoset popullit të Bangladeshit nga uji i kontaminuar me arsenik

Bangladesh

Njollat që i shkakton uji i kontaminuar me arsenik

Ekspertët e shëndetit e kanë quajtur këtë “helmimin më të keq masiv” në histori – me miliona të prekur. Edhe pse qeveria, UNICEF-i dhe agjencitë e tjera të ndihmës janë përpjekur ta trajtojnë kontaminimin, ndikimet e tij helmuese janë ende të përhapura. Rreth 43 mijë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet e lidhura me arsenikun në Bangladesh, sipas një studimi.

Filloi me njolla nëpër gjokset dhe shpinat e njerëzve. Njolla të forta dhe të pazakonta në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve. Disa kishin edhe nxirje të gishtërinjve.

Mjekët dhe studiuesit kishin filluar t’i vërenin pacientët e Bangladeshit që shkonin në spital me këto simptoma në vitet ’80. Shpejt e kishin kuptuar se ajo çfarë po shihnin ishin simptoma klasike të helmimit me arsenik.

Në vitet ’70, një numër i madh i fëmijëve në Bangladesh kishte duke vdekur nga sëmundje të tilla si dizenteria (infeksion i traktatit të zorrëve) dhe kolera pasi kishin pirë ujë të ndotur nga lumenjtë, liqenet dhe përrenjtë. Kështu, qeveria e Bangladeshit së bashku me agjencitë e ndihmave të udhëhequra nga UNICEF-i ka nisur një përpjekje të madhe për të gjetur ujë më të pastër nëntokësor.

Gjatë dy dekadave pas viteve ’70 miliona tuba të ujit u vendosen nëntokë. “Brenda një brezi ata ndryshuan mënyrën e pirjes së ujit për një popullatë të tërë”, ka thënë Seth Frisbie, kimist dhe profesor në Universitetin e Norwichit, i cili ka kaluar dekada duke studiuar kontaminimin me arsenik.
Numri i fëmijëve që vdisnin kishte rënë në mënyrë të konsiderueshme. Sidoqoftë në vitet ’90 ishte bërë e qartë se projekti kishte dështuar të llogariste një problem të madh: Shumica e ujërave nëntokësore sërish përmbante nivele shumë të larta të arsenikut, një kancerogjen i njohur i lidhur me një mori efektesh negative në shëndet. 

Ekspertët e shëndetit e kanë quajtur këtë “helmimin më të keq masiv” në histori – me miliona të prekur. Edhe pse qeveria, UNICEF-i dhe agjencitë e tjera të ndihmës janë përpjekur ta trajtojnë kontaminimin, ndikimet e tij helmuese janë ende të përhapura. Rreth 43 mijë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet e lidhura me arsenikun në Bangladesh, sipas një studimi.

Tash situata mund të përkeqësohet. Dëshmitë e reja sugjerojnë se ndikimi i ndryshimit të klimës, e shkaktuar nga njeriu – duke përfshirë përmbytjet dhe rritjen e nivelit të detit – janë duke ndryshuar përbërjen kimike të ujit nëntokësor dhe po i rrisin nivelet e arsenikut edhe më tej.
Problemi shtrihet përtej Bangladeshit.

Një numër në rritje i studimeve në vendet e tjera, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sugjerojnë se ngrohja globale mund të jetë duke rritur problemin e ujit të kontaminuar me arsenik në tërë botën.

“Ai prek çdo organ të trupit”

Arseniku është i bollshëm në gurët dhe dheun e Tokës. Është shumë toksik në formën e tij inorganike, i cili është gjetur në nivele të larta në ujërat nëntokësorë, jo vetëm në Bangladesh, por edhe në vende të tjera si India, Kina, Tajvani, Argjentina, Kili, Meksika, pjesë të Evropës, Australi dhe SHBA.

Derisa uji i ndotur sipërfaqësor i sëmur njerëzit shpejt, arseniku është vrarës i fshehtë.

Është i pangjyrë, pa shije dhe pa erë. Nuk ka mënyrë për ta zbuluar pa testime dhe ndikimet e tij priren të shfaqen pas shumë vjetësh.

Ekspozimet kronike mund të shfaqen përmes lëkurës së forcuar të duarve dhe këmbëve e quajtur keratozë, shfaqjes së njollave të pigmentuara në lëkurë dhe madje edhe sëmundjen e “blackfoot”, gjendje vaskulare që mund të shkaktojë gangrenë.

Efektet e tij shkatërruese vazhdojnë brenda trupit të njerëzve, ku rrit nivelin e rrezikut për kancer të lëkurës, mëlçisë, mushkërive dhe fshikëzës, si dhe sëmundje të zemrës dhe diabetit. Arseniku ka pasur lidhje edhe me dështime të shtatzënive, vonesa në zhvillimin e foshnjave dhe sëmundjet e frymëmarrjes.

“Ai prek çdo organ të trupit”, ka thënë Rubhana Raqibi, shkencëtare në “International Centre for Diarrheal Disease Research in Bangladesh” (ICDDR,B).

Disa ekspertë kanë sugjeruar se shkalla e helmimit në Bangladesh është shumë më e lartë sesa katastrofat e tjera të shkaktuara nga njeriu, siç është katastrofa bërthamore e Çernobilit. Por numri i saktë i vdekjeve është i pamundur për t’u matur, për shkak të vështirësisë për t’i zbuluar shkaqet e kancerit.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka vlerësuar se rreth 140 milionë njerëz në të paktën 70 vende kanë qenë duke pirë ujë të kontaminuar me arsenik në nivele që e tejkalojnë kufirin e rekomanduar prej 10 mikrogramëve në litër.

Në Bangladesh, ku udhëzimet e qeverisë janë të përcaktuara në 50 mikrogramë, besohet se janë prekur miliona njerëz.

Një studim nga Shërbimi Gjeologjik i Britanisë, i cili ka filluar në vitin 1998 dhe ka mbuluar pjesën më të madhe të Bangladeshit, ka gjetur se 27% e bunarëve të cektë me tuba të ujit kishin kaluar udhëzimet e vendit, duke prekur gati 35 milionë njerëz. Rreth 57 milionë njerëz apo gati 45 për qind e popullsisë ka qenë e ekspozuar ndaj niveleve që kalojnë ato të OBSH-së prej 10 mikrogramëve, ka gjetur studimi.

Frisbie, i cili ka kaluar kohë në Bangladesh duke krijuar harta të ujit të pijshëm të prekur nga arseniku, ka thënë se numri ishte i qartë. “Kam ecur nëpër fshatra ku askush nuk është mbi 30 vjeç”, ka thënë ai.

“Edhe standardi më i rreptë i rekomanduar nga OBSH-ja dhe i miratuar nga vendet si SHBA-ja nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme”, ka thënë ai. “Arseniku është shumë toksik. Vetëm për shkak se është në një nivel që qeveria thotë se është i sigurt, nuk do të thotë se është i sigurt dhe nuk do të thotë se njerëzit nuk do të vdesin”.

Ngrohja globale mund të rrisë rrezikun

Rreziku është duke u rritur, teksa njerëzit vazhdojnë të djegin lëndë djegëse fosile që ngrohin planetin.

Ndikimet gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike mund të ndryshojnë përbërjen kimike të ujërave nëntokësore, sipas një studimi i cili bashkautor ka Frisbien.

Kjo do të thotë se Bangladeshi do të ballafaqohet me më shumë telashe, meqë është në vijën e parë të frontit të krizës klimatike. Shtresë e ulët, me popullsi të dendur dhe me një vijë të gjatë bregdetare, ky vend është duke u ballafaquar me një mori kërcënimesh, që nga rritja e nivelit të detit e deri te përmbytja – pasi çdo vit, rreth 20% e vendit zhytet në ujë.

Përmbytjet mund ta parandalojnë futjen e oksigjenit nga atmosfera në ujërat nëntokësorë, sipas studimit, gjë që mund ta rrisë nivelin e lirimit të arsenikut nga forma e ngurtë dhe sedimentet në ujë – proces i quajtur “reduktim”.

Rritja e nivelit të detit është sfidë tjetër, që është duke e shkaktuar ujin e kripur të kalojë në burimet nëntokësore të ujit. Jo vetëm që e bën ujin të ketë shije më të kripur, por prezenca e kripës mund ta rrisë përqendrimin e arsenikut, duke e shkaktuar shkrirjen e tij përmes një fenomeni të quajtur “efekti i kripës”.

“Këto ndikime nuk ndodhin vetëm në Bangladesh”, ka thënë Frisbie. “Kjo ndodh kudo në botë”. Kjo përfshin edhe SHBA-në.

Nivelet e larta të arsenikut janë identifikuar në ujërat nëntokësorë në SHBA, ku të paktën 43 milionë njerëz pinë ujë nga sistemet private të ujit. Ndryshe nga sistemet publike të ujit të pijshëm, këto puse nuk janë të kontrolluar nga Agjencia e Mbrojtjes së Ambientit. 

Shkencëtarët kanë gjetur se nivelet e arsenikut në sistemet private të ujit mund të ndikohen nga ndryshimi klimatik, më shumë përmes përmbytjes dhe rritjes së nivelit të detit, por gjithashtu edhe nga thatësia.

Një studim kombëtar nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së në vitin 2021 ka gjetur se gjatë kohës së thatësisë, numri i njerëzve të ekspozuar ndaj niveleve të larta të arsnikut ishte rritur gati 54%. Ohio, Michigani, Indiana, Kalifornia dhe Maine ishin vendet më të prekura, sipas gjetjeve të USGS-it.
“Sa më e gjatë koha që kalon një vend në thatësi, aq më i madh do të jetë probabiliteti i niveleve të larta të arsenikut”, ka thënë Melissa Lombard, studiuese në USGS. 

Lombardi ka thënë se provat sugjerojnë se thatësia mund ta ndryshojë rrugën e rrjedhjes së ujit në sisteme të ujit dhe gjithashtu t’i ndryshojë nivelet e oksigjenit dhe të pH-së, duke ndikuar në sasinë e arsenikut që shkrihet në ujë.

“Edhe pse ndryshimi i klimës ndikon në ngjarje më të shpeshta dhe më të rënda të motit ekstrem, ndikimi i saj në ujërat nëntokësorë mbetet pak i studiuar”, ka thënë Lombard. “Duhen më shumë studime për të qenë në gjendje ta kuptojmë se çfarë po ndodh dhe se sa i madh mund të jetë ky problem”. 

Një trashëgimi e gjatë

Për Bangladeshin, ndikimet e ndotjes me arsenik mund të vazhdojnë dhe të përkeqësohen. Mohammad Robed Amini nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Shëndetësore të Bangladeshit, ka thënë se prezenca e arsnikut është akoma “problem i madh” në vend dhe se kanë parë ringjallje të helmimit me arsenik në zonat ekzistuese dhe të reja.

Ekspertët thonë se vëmendja ndaj problemit dhe veprimet për zgjidhjen e tij janë zbehur ndjeshëm.
“Arseniku është si temë e vdekur”, ka thënë Raqib. “Njerëzit e dinë se ndodhet në ujë, por nuk ndërmerren mjaft hapa për ta zvogëluar praninë e tij”.

UNICEF-i ka thënë se në momentin që ishte gjetur ujë i kontaminuar me arsenik në fillim të viteve ’90, “menjëherë janë ndërmarrë masa”. Organizata ka punuar me qeverinë për më shumë se 30 vjet për ta testuar ujin dhe për të instaluar sisteme të ujit “të sigurt nga arseniku”, për të shtuar impiante trajtimi dhe për të drejtuar programe edukuese, ka thënë një zëdhënës.

Inxhinierët dhe shkencëtarët kanë provuar të gjejnë zgjidhje për Bangladeshin dhe vendet e tjera, që nga sistemet e filtrave e  deri te teknikat elektrokimike për ta larguar arsenikun nga uji. Por sa u përket këtyre teknologjive, në Bangladesh “nuk funksionon asgjë”, ka thënë Mohammad Yunusi, shkencëtar në ICDDR,B.

Filtrat mund ta largojnë një problem, por të sjellin një tjetër meqë janë të prira për ndotje bakteriale dhe zgjidhjet e teknologjisë së lartë mund të bëhet shumë të shtrenjta për komunitetet shpesh të varfra rurale të Bangladeshit.

“Zgjidhja është ndërtimi i puseve me tuba të ujit më të thellë”, ka thënë Yunusi. “Sa më i thellë të jetë pusi i ujit, përqendrimi i arsenikut priret të jetë më i ulët”.

Qeveria e Bangladeshit nuk është duke instaluar më puse të cekëta me tuba të ujit, ka thënë Yunusi, por shumë njerëz janë duke e bërë këtë gjë, meqë shpimi i thellë i tokës është më i shtrenjtë dhe merr më shumë kohë.

Maria Argos, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Illinoisit në Chikago, ishte pjesë e një projekti testues që filloi në vitin 2000, ku janë testuar mijëra puse uji në Bangladesh dhe janë vendosur pankarta afër secilit për të treguar nëse nivelet e arsenikut janë të sigurta.

“Ne kemi parë ulje të ekspozimit ndaj arsenikut”, ka thënë Argos. “Por cikli vazhdon tani sepse janë duke u instaluar puse të reja”. Kur ekipi ka rivizituar vendin pas 15 vjetëve, atje kishte rreth 14 mijë puse shtesë të patestuar në rajonin e njëjtë.

Teksa ndryshimi klimatik vazhdon të ushqejë motin ekstrem, do të ketë “rrugë të shumta që kanë potencialin të ndryshojnë përbërjen kimike të ujërave nëntokësore”, ka thënë Argos.

Dhe arseniku lë trashëgimi të gjatë.

Në Kili më shumë se 250 mijë njerëz ishin të ekspozuar ndaj ujit të kontaminuar me arsnik për 12 vjet derisa një impiant për trajtimin e ujit ishte instaluar. Edhe pas 40 vjetëve shkencëtarët kanë gjetur se rreziku ndaj kancerit të mushkërive dhe fshikëzës ka mbetur i lartë në komunitet. 

Ndërsa njerëzit vazhdojnë të djegin lëndët djegëse fosile dhe të ngrohin botën, kjo mund të ndryshojë parametrat e këtij eksperimenti me efekt katastrofik.