Botë

Rreziku nga zgjerimi i konfliktit në Lindjen e Mesme

Në fillim të muajit dhjetor, kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë vizitës në kufi me Libanin, kishte deklaruar se Izraeli “ vetë do të mund ta kthente Bejrutin dhe Libanin Jugor, jo larg nga këtu, në Gazë dhe Khan Yunis” nëse Hezbollahu nis luftën totale. Hezbollahu, organizatë shiite, është e shpallur terroriste nga shtetet perëndimore, Izraeli, shtetet e Gjirit dhe Liga Arabe. E financuar nga Irani, është një prej forcave ushtarake jo shtetërore më të forta në botë.

Izraeli do të veprojë për të larguar Hezbollahun nga kufiri me Libanin nëse vazhdojnë sulmet e grupit militant, ka paralajmëruar ministri izraelit. Benny Gantz ka thënë se ushtria izraelite do të intervenojë nëse militantët nuk ndalen me sulmet në veri të Izraelit. Ai ka shtuar të enjten se zgjidhjet diplomatike janë duke u shpenzuar.

Ndërkohë, shefi i Forcave Izraelite të Mbrojtjes, ka deklaruar se ushtria është në gjendje të lartë gatishmërie për luftime në veri.

“Detyra jonë e parë është që të vendoset siguria dhe banorët në veri të jenë të sigurt dhe kjo kërkon kohë”, ka thënë gjenerali Herzi Halevi, duke shtuar se situata po vazhdon të vlerësohet.

Luftimet ndërkufitare janë ashpërsuar qëkur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor. Të mërkurën, Hezbollahu kreu njërin prej sulmeve më të mëdha që prej 8 tetorit. Këto sulme të herëpashershme kanë nxitur shqetësimet se konflikti në Gazë mund të zgjerohet në krejt rajonin.

“Situata në kufirin verior të Izraelit kërkon ndryshime”, ka thënë Gantz në konferencën për media.

“Ora për zgjidhje diplomatike po ecën. Nëse bota dhe qeveria libaneze nuk veprojnë për të parandaluar sulmet ndaj banorëve në veri të Izraelit dhe për ta distancuar Hezbollahun nga kufiri, atëherë do të reagojë IDF-ja”, ka shtuar ai.

Në fillim të muajit dhjetor, kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë vizitës në kufi me Libanin, kishte deklaruar se Izraeli “ vetë do të mund ta kthente Bejrutin dhe Libanin Jugor, jo larg nga këtu, në Gazë dhe Khan Yunis” nëse Hezbollahu nis luftën totale.

Ushtri e fuqishme

Hezbollahu, organizatë shiite, është e shpallur terroriste nga shtetet perëndimore, Izraeli, shtetet e Gjirit dhe Liga Arabe. E financuar nga Irani, është një prej forcave ushtarake joshtetërore më të forta në botë.

Në vitin 2006, lufta mes Hezbollahut dhe Izraelit kishte nisur kur militantët kryen sulme andej kufirit dhe ushtria izraelite pushtoi Libanin jugor.

Gjatë javës, Hezbollahu ka sulmuar me raketa dhe dronë teksa Izraeli është kundërpërgjigjur me aeroplanë luftarakë.

Të enjten, forcat izraelite kanë njoftuar për shkatërrimin e një droni që po hynte në Izrael nga Libani. Mediat shtetërore në Liban kanë raportuar se dy militantë të Hezbollahut janë vrarë nga bombardimet izraelite.

Më shumë se 100 person janë vrarë në Liban që prej muajit tetor – shumica prej tyre janë militantë të Hezbollahut, por ka edhe civilë, përfshirë tre gazetarë.

Në anën izraelite, së paku katër civilë dhe nëntë ushtarë janë konfirmuar të vrarë nga luftimet në kufi me Libanin. Mijëra civilë që jetojnë në kufi me Libanin janë evakuuar nga ushtria izraelite.

Ndërkohë, Unifil, forca paqeruajtëse e OKB-së që ka operuar në jug të Libanit që prej vitit 1978 – u ka bërë thirrje autoriteteve libaneze që të hetojnë plagosjen e një paqeruajtësi në jug të shtetit.

Unifil ka raportuar se një patrullë është sulmuar nga një grup të rinjsh në Taybeh dhe automjeti është dëmtuar.

Ndërkohë, Sheik Naim Kassem, zëvendëslideri i Hezbollahut ka paralajmëruar Izraelin se grupi militant është i gatshëm për luftë nëse Izraeli e nis atë. Grupi shiit i përkrahur nga Irani, ka sulmuar ushtrinë e Izraelit qëkur nisi lufta me Hamasin. Liderët izraelitë kanë kërcënuar me aksione ushtarake në Liban nëse Hezbollahu nuk ndalë sulmet. Mirëpo, Kassem ka thënë se nëse Izraeli e tepron, Hezbollahu do të hakmerret dyfish.

“Hezbollahu dhe rezistenca në Liban kanë bërë sakrifica të mëdha në përkrahje të Gazës dhe për të ardhmen e këtij shteti. Po bëjmë sakrifica ashtu siç kërkon lufta dhe po shmangim një rrezik të madh. Por jemi të gatshëm për luftë nëse është e nevojshme. Nuk frikësohemi nga kërcënimet”, ka thënë Kassem.

“Nëse Izraeli e tepron, ne do të përgjigjemi dyfish. Nuk frikësohemi nga Izraeli as nga amerikanët sepse e ardhmja e rajonit tani varet nga sakrifica jonë”, ka shtuar zëvendëslideri i Hezbollahut.

Udhëheqësit e Hezbollahut kanë lavdëruar sulmin e 7 tetorit nga Hamasi në jug të Izraelit gjatë të cilit u vranë të paktën 1 mijë e 200 persona – shumica civilë – dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.

Pas këtij sulmi edhe Ajetollahu Ali Khamenei kishte lavdëruar sulmet e militantëve të Hamsit ndaj Izraelit. Ai kishte deklaruar se do t’ua puthte dorën secilit militant për sulin që kryen në jug të Izraelit.

Financimi i Hamasit

Ushtria izraelite ka arrestuar 21 persona të dyshuar për ndihmë në financimin e grupit militant të Hamasit. Të dyshuarit janë arrestuar në disa pjesë të Bregut Perëndimor. Në një komunikatë, ushtria izraelite ka bërë të ditur se të dyshuarit ishin ofertues të shërbimeve financiare që financonin Hamasin nëpërmjet kriptomonedhave dhe parave të gatshme.

Të dyshuarit po punonin në Bregun Perëndimor si ndërmjetës ndërkombëtarë të këmbimeve valutore.

Ushtria ka konfiskuar dhjetëra milionë para izraelite, kasaforta, dokumente dhe telefona. Gjatë bastisjes, ushtria izraelite gjithashtu ka njoftuar për bombardimin e militantëve në Jenin.

Ndërkohë kanë vazhduar luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë vrarë 210 palestinezë. Qëkur ka nisur lufta janë vrarë më shumë se 21 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite ka njoftuar se ka hyrë në lagjet e qytetit të Gazës.

Të enjten, forcat izraelite kanë thënë se janë “penduar për dëmin e shkaktuar” ndaj civilëve në sulmin ajror në kampin e refugjatëve në Gazë më 24 dhjetor.

Ushtria izraelite ka pranuar se është përdorur armatimi i gabuar për sulmin dhe se për këtë shkak janë shkaktuar dëme të rënda anësore.

Të paktën 86 persona janë konfirmuar të vrarë nga bombardimi izraelit në kampin Maghazi në qendër të Rripit të Gazës. Numri i të vrarëve mund të ngrihet.