Mjekë, infermierë dhe një shofer ambulance janë në mesin e 47 personave të akuzuar për shkaktimin e vdekjes së 10 foshnjave, si pjesë e një skeme të dyshuar për të mashtruar sistemin e sigurimeve sociale të Turqisë.
Të pandehurit akuzohen për transferimin e foshnjave në njësitë neonatale të 19 spitaleve private ku dyshohet se foshnjat mbaheshin për trajtime të zgjatura dhe ndonjëherë të panevojshme, raporton AP.
Të paktën 10 të porsalindur dyshohet se kanë vdekur vitin e kaluar për shkak të neglizhencës ose keqpërdorimit në objektet që ishin të papërgatitura për t'i trajtuar ata.
Prokurorët në rastin gjyqësor i cili nisi të hënën në Stamboll, thonë se të pandehurit gjithashtu falsifikuan raportet për ta bërë gjendjen e foshnjave më të rëndë me qëllim marrjen e pagesave nga institucioni i sigurimeve shoqërore.
Të pandehurit kryesorë kanë mohuar çdo keqbërje, duke këmbëngulur se kanë marrë vendimet më të mira të mundshme. Ata përballen me dënimin për rezultate të padëshiruara të pashmangshme.
Rasti, i cili u shfaq muajin e kaluar, ka ngjallur zemërim publik dhe bën thirrje për një mbikëqyrje më të madhe të sistemit të kujdesit shëndetësor.
Që atëherë, autoritetet kanë hequr licencat dhe kanë mbyllur nëntë nga 19 spitalet që u përfshinë në skandal.
Mjeku Firat Sari, i pandehuri kryesor që drejtonte repartet e terapisë intensive neonatale të disa spitaleve private në Stamboll, përballet me një dënim deri në 583 vjet burgim.
Ai akuzohet për krijimin e një organizate me qëllim krimin, mashtrimin e institucioneve publike, falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe vrasjen nga pakujdesia.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët, Sari mohoi akuzat se foshnjave nuk iu kushtua kujdesi i duhur, se njësitë neonatale ishin të pamjaftueshme ose se punonjësit e tij nuk ishin të kualifikuar siç duhet, sipas një aktakuze prej 1,400 faqesh.
Rasti ka çuar në thirrje për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, i cili ishte drejtor i shëndetësisë në provincën e Stambollit në kohën kur ndodhën disa nga vdekjet.
Mirëpo, pesidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se ata që janë përgjegjës për vdekjet do të dënohen rëndë, por paralajmëroi që të mos i hidhet i gjithë faji mbi sistemit të kujdesit shëndetësor të vendit.
“Ne nuk do të lejojmë që komuniteti ynë i kujdesit shëndetësor të goditet për shkak të disa mollëve të kalbura”, ka thënë Erdogan.
Mbi 350 familje kanë kërkuar prokurorë apo institucione të tjera shtetërore për hetimin e vdekjes së të dashurve të tyre.