Rreth 400 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian do t’u drejtohen kutive të votimit këtë javë për të zgjedhur anëtarët e Parlamentit Evropian, në një prej ngjarjeve më të mëdha globale demokratike.
Partitë e së djathtës ekstreme po kërkojnë të marrin më shumë fuqi, në mes të rritjes së kostos së jetesës dhe pakënaqësisë së fermerëve, derisa luftërat në Gaza dhe Ukrainë janë në mendjet e votuesve.
Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë është çështja kryesore në mendjet e qytetarëve, me mbrojtjen dhe sigurinë që shihen si çështje kyçe të fushatës. Në nivel kombëtar, mbrojtja dhe siguria e BE-së u përmendën së pari në nëntë vende.
Ekonomia, vendet e punës, varfëria dhe përjashtimi social, shëndeti publik, ndryshimet klimatike dhe e ardhmja e Evropës, janë gjithashtu të rëndësishme si çështje. Mbështetësit duan ndër të tjera kufizime për imigracionin.
Një nga pyetjet më të mëdha është nëse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të mbetet në krye si fytyra më e dukshme e BE-së.
Me 176 vende nga 705 në fund të seancës së fundit plenare në prill, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë është grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian.
Grupi i dytë më i madh është S&D, grupi politik i Partisë së Socialistëve Evropianë të qendrës së majtë, e cila aktualisht mban 139 vende. Grupi liberal dhe pro-evropian Renew mban 102 vende përpara një aleance të përbërë nga partitë politike të gjelbra dhe rajonaliste që ka 72 vende.
Dy grupe me parti të ekstremit të djathtë, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) dhe Identiteti dhe Demokracia (ID), mund të bëhen grupet e treta dhe të katërta më të mëdha politike në Parlamentin Evropian.
Në Itali, Partia Demokratike shpreson të marrë më shumë vende se partia “Vëllezërit e Italisë” e Giorgia Melonit.
"Këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhjet evropiane, ato janë zgjedhjet e vendit. Partia Demokratike duhet të marrë një votë më shumë se Giorgia”, ka thënë Rocco Castelli, një mbështetës i Partisë Demokratike.
Në Portugali, partia “Chega” e ekstremit të djathtë të André Venturës arriti fitime të mëdha në zgjedhjet e majit. Ai shpreson të përfitojë nga kjo në zgjedhjet e BE-së.
Zgjedhjet e BE-së mbahen çdo pesë vjet në bllokun 27-anëtarësh. Ky vit shënon zgjedhjet e 10-ta parlamentare që nga zgjedhjet e para në vitin 1979, dhe të parat pas Brexitit.
Votimi zhvillohet nga data 6-9 qershor. Rezultatet e para mund të zbulohen vetëm në mbrëmjen e 9 qershorit, pasi qendrat e votimit të jenë mbyllur në të gjitha vendet anëtare.
Zgjedhjet fillojnë të enjten dhe përfundojnë të dielën, kur shumica e vendeve mbajnë zgjedhjet e tyre.
Votimi bëhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë, në një fletë votimi të vetme.
Numri i anëtarëve të zgjedhur në çdo vend varet nga madhësia e popullsisë. Ai varion nga gjashtë për Maltën, Luksemburgun dhe Qipron, në 96 për Gjermaninë.
Në vitin 2019, evropianët zgjodhën 751 ligjvënës.
Pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja në vitin 2020, numri i eurodeputetëve ra në 705. Disa nga 73 vendet e mbajtura më parë nga eurodeputetët britanikë ishin rishpërndarë tek shtetet e tjera anëtare.
Pas zgjedhjeve, Parlamenti Evropian do të ketë 15 anëtarë shtesë, duke e çuar totalin në 720.