Rreth 40% e kontratave federale që administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se janë anuluar si pjesë e programit për t’i zvogëluar kostot, nuk pritet se do t’i kursejnë qeverisë para, sipas të dhënave të vetë administratës, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Departamenti për Efiçiencë të Qeverisë (DOGE), i udhëhequr nga Elon Musk, të hënën ka publikuar listën e përditësuar të më shumë se 2,300 kontratave që agjencitë kanë ndaluar në javët e fundit në qeverinë federale. Të dhënat e publikuara në “murin e faktuarave” të DOGE-s, shihet se më shumë se një e treta e kontratave të anuluara, më shumë se 790, pritet të mos kursejnë asnjë centë nga shpenzimet qeveritare.
Kjo ndodh sepse vlera totale e kontratave vetëm se janë paguar, që do të thotë se qeveria ka detyrime ligjore për të shpenzuar fondet për produkte apo shërbime që i ka blerë dhe në shumë raste veçse e ka bërë.
“Është sikur të konfiskosh municion pasi është gjuajtur kur nuk ka më asgjë të mbetur, nuk arrin asnjë objektivë të politikës, ndalimi i shumë kontratave pa asnjë qëllim, dihet se nuk do të arrijë kursimin e parave”, ka deklaruar Charles Tiefer, profesor i drejtësisë në Universitetin e Baltimores dhe ekspert në kontraktimet qeveritare.
Një zyrtar i administratës ka deklaruar se ka kuptim të anulosh kontrata që duken si gabim, edhe nëse ndalimi nuk arrin të kursejë para. Zyrtari foli në mënyrë anonime pasi nuk ishte i autorizuar të komunikojë për këtë çështje.
Kontratat e tjera të anuluara ishin për blerjen e shumë llojeve të produkteve dhe shërbimeve.
Departamenti i Strehimit dhe Zhvillimit Urban ka dhënë një kontratë në shtator të viti të kaluar për të blerë dhe instaluar orendi të zyrave në disa degë. Derisa kontrata nuk skadon deri vonë gjatë këtij viti, regjistrimet federale deklarojnë se agjencia veçse ishte pajtuar të shpenzojë maksimumin 567,809 dollarë me një kompani të orendive.
Agjencia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka negociuar një kontratë 145,549 dollarësh vitin e kaluar për të pastruar tepihun në zyrat qendrore në Washington. Por shuma e plotë veçse ishte paguar ndaj një kompanie me pronar nga një fis nativ amerikan i bazuar në Michigan.
Një kontratë tjetër 249,600 dollarësh ishte për një kompani nga Washington D.C, për të ndihmuar përgatitjet e Departamentit të Transportit për tranzicionin e fundit nga administrata e Joe Biden në administratën e Donald Trumpit.
“Është vonë për qeverinë të ndryshoj mendjen në shumë prej këtyre kontratave dhe të largohet nga obligimi i pagesave”, ka deklaruar Tiefer.
Tiefer ka shtuar se DOGE siç po shihet ka filluar një qasje “preje dhe djege” për të anuluar kontratat, e cila sipas tij mund të dëmtojë punën e agjencive të qeverisë. Ai ka deklaruar se kursimet mund të bëhen përmes punës me oficerët e kontraktimit të agjencive dhe inspektorët e përgjithshëm për të gjetur efikasitetet, qasje që administrata nuk e ka marrë.
DOGE ka deklaruar se anulimi i kontratave pritet të kursejë 9.6 miliardë dollarë, një shifër që është vënë në dyshim si e fryrë nga ekspertët e pavarur.
Disa nga kontratat e anuluara, janë anuluar me qëllimin për të modernizuar dhe përmirësuar mënyrën se si qeveria punon dhe do të ishte në një linjë me misionin e DOGE-s për kursim.
Ndërkohë 21 punëtorë federalë kanë dhënë dorëheqje të martën në atë që po shihet si protestë masive kundër përpjekjeve të DOGE-s së udhëhequr nga Elon Musku, sipas burimeve. Punëtorët ishin pjesë e stafit teknologjik për Shërbimin Digjital të SHBA-së, agjencia që më vonë u bë DOGE.