Botë

Rusët tani janë në pozicione mbrojtëse jashtë Kievit

22:54 - Bideni arrin në Bruksel

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka arritur në Bruksel për një seri samitesh urgjente ku do të trajtohet lufta në Ukrainë e nisur nga Rusia, raporton CNN-i të mërkurën.

Bideni arriti pas shtatë orësh fluturim nga Washingtoni.

Ai pritet të nisë bisedimet intensive me NATO-n, G7 dhe Bashkimin Evropian gjatë qëndrimit të tij në Evropë.


22:26 - Rusët tani janë në pozicione mbrojtëse jashtë Kievit

Pentagoni ka thënë se trupat ruse po adoptojnë pozicione mbrojtëse në veri të Kievit, në vend që të avancojnë, ndërsa përpjekjet ruse gjetkë kanë ngecur.

Korrespondentët e sigurisë amerikane kanë postuar në Twitter detaje nga konferenca e së mërkurës.

Jack Detsch, një reporter në Foreign Policy, postoi në Twitter se kundërofensiva e Ukrainës pranë Kievit i ka shtyrë forcat ruse më larg nga kryeqyteti. Ushtarët rusë janë larguar 15 milje mbrapa në ditët e fundit, raportoi Detsch.

Pentagoni shtoi se Rusia tani ka lëshuar më shumë se 1200 raketa, ka shkruar korrespodenti i VOA-s, Jeff Seldin. Pentagoni tha edhe se trupat ruse në veri të Kievit tani po mbajnë pozicione mbrojtëse, në vend se të vazhdojnë sulmin.

Carla Babb, po ashtu korrespodent i VOA-s, ka thënë se trupat ruse kanë ngecur jashtë Chernihivit, rreth kufirit me Bjellorusinë.


20:54 - Vritet një gazetare ruse nga bombardimet në Kiev

Një gazetare ruse raportohet se është vrarë pas një sulmi me raketë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, të mërkurën.

Sipas organizatës Reporterët Pa Kufij, Oksana Baulina, po raportonte për faqen ruse "The Insider".

Javën e kaluar, kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski dhe një gazetare ukrainase u vranë po ashtu nga bombardimet e ushtrisë ruse në fshatin Gorenka afër Kievit.


20:17 - Blinken: Pjesëtarë të forcave ruse kanë kryer krime lufte

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka vlerësuar se pjesëtarë të forcave të Rusisë kanë kryer krime lufte gjatë pushtimit të Ukrainës, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 23 mars.

“Sot, mund të njoftoj se bazuar në informacionet që janë të qasshme aktualisht, Qeveria amerikane vlerëson se pjesëtarë të forcave të Rusisë kanë kryer krime lufte në Ukrainë”, tha Blinken përmes një njoftimi. “Vlerësimi ynë është i bazuar me rishikimin e kujdesshëm të informacioneve që janë të qasshme nga burimet publike dhe ato të inteligjencës”, tha Blinken.

Sipas tij, sikurse me çdo krim të supozuar, një gjykatë që ka juridiksion mbi krimin është përgjegjëse për përcaktimin e fajit për rastet specifike.

Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë zakonisht ndjek penalisht krimet e supozuara të luftës. /Rel


19:08 - Çifti britanik shkon në Poloni për të mbledhur ukrainaset shtatzëna

Një çift në Mbretërinë e Bashkuar po përgatitet të udhëtojë drejt Polonisë për të marrë refugjatet ukrainase shtatzëna dhe për t’iu ofruar strehë.

Peter O'Keefe dhe Belinda Harvey, të cilët jetojnë pranë Winchesterit në Angli, i kanë ofruar ndihmë Ksenias nga Kharkivi, e cila është në muajin e shtatë të shtatzënisë, raportoi BBC-ja të mërkurën. 

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


18:37 - Vritet një tjetër komandant rus nga forcat ukrainase

Lajmet për vdekjet e ushtarakëve të lartë rusë janë bërë trend i papritur që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, raporton SkyNews.

Historikisht, figura të tilla nuk janë pozicionuar afër fronteve të konfliktit, por larg lokacioneve të rrezikshme.

Megjithatë, koloneli Aleksey Sharov, komandant i brigadës detare 810 të Detit të Zi, raportohet se është ndër komandantët e fundit që është vrarë brenda forcave të Vladimir Putinit.

Vdekja e tij është konfirmuar nga zyrtarë për mediat ruse.


17:29 - Suedia ia siguron Ukrainës edhe 5.000 armë antitank

Suedia do t’ia sigurojë Ukrainës 5.000 armë shtesë antitank, i ka thënë Ministria suedeze e Mbrojtjes agjencisë së lajmeve TT të mërkurën.

Suedia veçse i ka dërguar Ukrainës 5.000 armë antitank bashkë me materiale të tjera ushtarake.


17:19 - NATO: 7.000 deri në 15.000 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë

NATO-ja vlerësoi të mërkurën se 7.000 deri në 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në katër javët e para që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, e ku ukrainasit kanë bërë rezistencë më të ashpër se sa pritej dhe i kanë mohuar Moskës fitoren e rrufeshme që e shpresonte, raportoi AP-ja.

Lajmin e plotë lexojeni KËTU


16:27 - Ukraina njofton për humbjet nga lufta: 121 fëmijë të vdekur – 9 milionë refugjatë

Ambasada e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka publikuar njoftimin e rregullt për luftën, të mërkurën.

Në përmbledhjen e ngjarjeve që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, thuhet se 121 fëmijë kanë vdekur dhe 9 milionë ukrainas janë detyruar t'i lënë shtëpitë e tyre.

Përmbledhja e plotë:

-Nga regjistri i hetimeve paraprake dhe burime të pakonfirmuara që nga fillimi i konfliktit kanë vdekur 121 fëmijë dhe janë plagosur 167 fëmijë.

-Humbjet luftarake ruse të regjistruara nga Ukraina midis 23 dhe 24 shkurtit përfshijnë 15,600 personel, 517 tanke dhe 101 avionë.

-9 milionë ukrainas janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky.

-Ukraina po vazhdon të kryejë një operacion mbrojtës në lindje, jug dhe verilindje, duke përfshirë ruajtjen e mbrojtjes në qytetet e rrethuara të Mariupolit dhe Chernivit, dhe frenimin e avancimit të Rusisë drejt Kievit.


15:16 - NATO paralajmëron Rusinë: Përdorimi i armëve kimike do ta ndryshojë tërësisht natyrën e konfliktit

Çdo përdorim i armëve kimike nga Rusia do të ishte absolutisht i papranueshëm dhe do të ndryshonte tërësisht natyrën e konfliktit në Ukrainë, ka thënë të mërkurën sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkruan CNN.

Lajmin e plotë e gjeni KËTU.


15:04 - “Shtetet jomiqësore” do të paguajnë me rubla gazin rus, konfirmon Putini

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se do të këmbëngulë që pagesa për gazin rus nga “shtetet jomiqësore” të bëhet me monedhën ruse, rubla, shkruan BBC.

Lajmin e plotë e gjeni KËTU. 


14:43 -  Nestle pezullon produktet e saj në Rusi

Gjiganti i ushqimeve Nestle i ka pezulluar bendet KitKat dhe Nesquik në Rusi pas kritikave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton CNN.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


13:56 - Presidenti i Këshillit Evropian: Putini duhet të mposhtet

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë dhënë CNN-it të mërkurën, ka thënë se synimi i përbashkët i të gjithëve duhet të jetë që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të mposhtet.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të enjten do t’i adresohet Këshillit Evropian.

“Duhet të sigurohemi që Putini të mposhtet. Ky duhet të jetë qëllimi ynë i përbashkët. Është çështje e sigurisë, bëhet fjalë për të ardhmen e Evropës dhe botës”, tha Michel.

Image

13:37 - Ukraina thotë se ka nën kontroll 80% të territorit të Irpinit

Oleksandr Markushyn, kryetar i Irpinit që gjendet në periferi të Kievit, tha se forcat e armatosura të Ukrainës, mbrojtja territoriale dhe Policia kanë 80 për qind të qytetit nën kontroll, raporton CNN.

Duke folur në televizionin ukrainas, Markushyn tha: “Qyteti ynë po granatohet vazhdimisht nga sistemet GRAD. Shumë masivisht. Ata po godasin zonën e banimit, ndërtesat shumëkatëshe”.

Pavarësisht evakuimeve masive në javët e fundit, Markushyn, i cili tha se shtëpia e tij ishte shkatërruar të mërkurën, tregoi se deri në 6000 njerëz janë ende në Irpin dhe se grupe të vogla po evakuohen çdo ditë.

“Rreth 4000 njerëz nuk duan të largohen fare nga qyteti. Ne po i ndihmojmë ata me ushqime dhe furnizime mjekësore”, shtoi ai.

Policia kombëtare e Ukrainës tha të mërkurën se po rifillojnë punën në Irpin, pjesa më e madhe e së cilit ishte  pushtuar nga forcat ruse. Është një tjetër shenjë e mundshme që forcat ukrainase të sigurisë po rifitojnë territorin rreth kryeqytetit të Kievit.

Irpin, që gjendet në veriperëndim të Kievit, ka pasur javë të tëra luftimesh të ashpra dhe granatime të rënda që kur pushtimi rus filloi.


13:22 - Këshilltari i Putinit jep dorëheqje për shkak të luftës në Ukrainë, largohet nga Rusia

Anatoli Chubais, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin për klimën, ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga vendi, duke përmendur kundërshtimin e tij ndaj luftës në Ukrainë, sipas dy personave të afërt me ngjarjen. Ai është bërë zyrtari i nivelit më të lartë që ka shkëputur kontaktet me Kremlinin për shkak të pushtimit, raporton Bloomberg.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


11:46 - Pentagoni: Ukraina po mbrohet mençur

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, John Kirby, u tha gazetarëve në konferencën e fundit se Ukraina ka mbrojtur pjesë të vendit “me shumë zgjuarsi, shumë shkathtësi, shumë kreativitet”, raporton BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU. 


11:13 - Kancelari gjerman: Pushtimi i Rusisë është bllokuar

Forcat ruse po dështojnë të përparojnë në Ukrainë pavarësisht bombardimeve të rënda të vazhdueshme të qyteteve dhe qytezave, thotë kancelari gjerman Olaf Scholz, shkruan BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


11:04 - Zelenskyy: Kombet e Bashkuara nuk po e ndihmojnë Ukrainën

Duke folur në parlamentin e Japonisë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk po e ndihmon mjaftueshëm, sidomos Kombet e Bashkuara, raporton Sky News.

Ai gjithashtu ka thënë se forcat ruse në Chernobyl janë duke e shfrytëzuar hapësirën për sulm të ri, duke shtuar se luftimet në disa zona janë shumë të këqija dhe se njerëzit e kanë të pamundur t’i varrosin familjarët e tyre të vdekur.

Zelenskyy i është adresuar një numri të politikanëve ndërkombëtarë javët e kaluara dhe do të flas para parlamentit francez sot më vonë.


10:04 - Lavrov: Një mision paqeruajtës në Ukrainë mund të çojë në konflikt me NATO-n

Ministri i Jashtëm rus, Sergeri Lavrov, ka thënë në një fjalim këtë mëngjes se nëse trupat paqeruajtëse dërgohen në Ukrainë, kjo mund të nisë një konflikt me NATO-n, raporton Sky News.

Polonia ka sugjeruar që paqeruajtësit ndërkombëtarë duhet të dërgohen në Ukrainë, për ta ndihmuar atë të mbrohet.

Lavrov po mbante fjalimin e tij tradicional para studentëve dhe stafit në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë këtë mëngjes, ku ai gjithashtu dyfishoi gjëra të tjera që ai ka thënë më parë, duke përfshirë deklarimet rreth neo-nazizmit që është i përhapur në Ukrainë dhe se Perëndimi po anulon Rusinë.


9:56 - Fëmijë të vrarë nga bombardimi i disa ndërtesave në Ukrainë

Tre persona, dy prej tyre fëmijë, janë vrarë në një sulm në një bllok banesash në qytetin lindor të Rubizhnes, ka thënë kreu i autoritetit ushtarak të Luhanskut, raporton BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


9:39 - Kremlini nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore

Pasi ka dështuar të pushtojë kryeqytetin e Kievit ose ndonjë qytet tjetër të madh me një ofensivë të shpejtë, Rusia po zhvillon një luftë shkatërrimi në Ukrainë që ka bërë disa zona urbane - gërmadha dhe ka shkaktuar shqetësim në Perëndim se konflikti mund të përshkallëzohet, madje edhe në një luftë bërthamore, raporton Sky News.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


9:27 - Rusia thotë se ka goditur depon e armëve të Ukrainës

Një depo e armëve në perëndim të Ukrainës, përkatësisht në qytetin e Rivnes është goditur, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, transmeton Sky News.

Rusia ka thënë se ka përdorur armë me precizion të lartë dhe ka qëlluar nga deti.

Janë goditur gjithashtu raketahedhës në periferi të Kievit.


09:23 - Nëntë korridore humanitare hapen sot në Ukrainë

Korridoret humanitare do të hapen në nëntë arena sot, ka thënë zëvendëskryeministrja e Ukrainës.

Iryna Vereshchuk ka thënë se nuk është arritur një marrëveshje me Rusinë për të hapur edhe një korridor humanitar në zemër të Mariupolit, transmeton BBC.

Gjithsesi njerëzve në Mariupol po u thuhet se duhet të ikin nga qyteti fqinj, Berdyansk, ku transporti do të pres për ta.


08:55 - Arrihet armëpushimi në një rajon të Ukrainës

Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Gaidai, në Ukrainën lindore tha se ishte arritur marrëveshje për një armëpushim lokal për evakuimin e civilëve të bllokuar nga luftimet, shkruan Reuters.

Guvernatori shkroi në aplikacionin e mesazheve Telegram se armëpushimi do të hynte në fuqi në orën 9 të mëngjesit dhe do të jetë i përkohshëm. 


08:49 - Inteligjenca britanike: Rusia pretendon të rrethojë trupat e Ukrainës në lindje

Përditësimi i fundit i inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se trupat ruse po lëvizin nga veriu dhe jugu për të “rrethuar forcat ukrainase në lindje të vendit”. Trupat po përparojnë në Kharkiv dhe Mariupol, transmeton BBC.

Ndërkohë, luftimet në veri që synojnë kapjen e kryeqytetit Kiev, mbetën kryesisht “statike” ka thënë ministria.

“Forcat ruse ka të ngjarë të riorganizohen para se të rifillojnë operacionet sulmuese në shkallë të gjerë”.

Rusia gjithashtu dukej se po përpiqej të anashkalonte Mykolaivin në drejtimin e saj drejt perëndimit në Odessa, qyteti port në jug-perëndim.


08:27 - Rreth 100.000 njerëz të bllokuar në Mariupol

Mariupoli ka qenë objektiv i sulmeve të vazhdueshme nga forcat ruse për shkak të pozicionit të tij strategjik përgjatë kufirit jugor të Ukrainës, raporton BBC.

Prej javësh qyteti është granatuar pothuajse pa dallim. Një raport i Human Rights Watch e përshkoi qytetin si një “peizazh ferri i ngrirë i mbushur me trupa të vdekur dhe ndërtesa të shkatërruara”.

Udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se rreth një e katërta e popullsisë, ose 100.000 njerëz janë ende të bllokuar në kushte çnjerëzore.

Ai përshkoi tmerrin e duruar nga banorët në fjalimin e tij të mesnatës. “Pa ushqim, pa ujë, pa ilaçe, nën granatimet e vazhdueshme, nën bombardimet e vazhdueshme”.

Pamjet e reja satelitore nga Maxar Technologies tregojnë shkallën e dëmtimit të ditës së kaluar.

Zelenskyy ka thënë se zyrtarët ukrainas dhe aleatët janë duke bërë të pamundur për të dërguar ndihma dhe për t’i hequr civilët. Të martën rreth 7000 njerëz kanë dalë nga qyteti.

Porse bombardimet kanë shkatërruar edhe korridoret humanitare.