Botë

Rregullat e pazakonta në bisedimet për qeverinë e re në Gjermani, u ndalohet të bëjnë selfie

Merz

Merz

Në Gjermani sot (e enjte) nisin negociatat për formimin e qeverisë që do të zëvendësojë kabinetin aktual të udhëhequr nga kancelari në largim, Olaf Scholz.

Negociatat po drejtohen nga partitë CDU, CSU dhe SPD, dhe sipas një dokumenti të brendshëm të publikuar nga gazeta gjermane Bild, pritet që deri më 23 prill të formohet një qeveri e re nën udhëheqjen e Friedrich Merz.

Dokumenti i brendshëm përmban disa rregulla të pazakonta për procesin e negociatave, ku do të marrin pjesë plot 256 përfaqësues nga këto tri parti. Sipas Bild, pjesëmarrësve u ndalohet të publikojnë selfie gjatë negociatave, ndërsa të gjitha dokumentet e miratuara duhet të ndjekin rregulla specifike akademike, duke përdorur font, ngjyrë dhe madhësi të caktuar shkronjash.

Gjithashtu, grupet negociuese kanë orare strikte pune dhe afate për dorëzimin e dokumenteve, ndërsa për ushqimin që porosisin duhet të bashkëngjisin faturat, pasi shpenzimet do të mbulohen nga partitë pjesëmarrëse.

CDU, CSU dhe SPD kanë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e re në Bundestag, dhe negociatat pritet të ecin më shpejt se sa ishte parashikuar, për shkak të rritjes të së djathtës ekstreme AfD, e cila renditet si forca e dytë më e madhe në parlament.