Botë

Rrëfimi i libanezes që humbi familjen nga bombardimet izraelite

Rihab Faour Foto: BBC

Një libaneze ka rrëfyer historinë e saj të ikjes nga bombardimet izraelite, të cilat në fund ia kanë marrë gjënë e vetme të shtrenjtë që i kishte mbetur: familjen. Rihab Faour me familjen, janë zhvendosur katër herë nga sulmet izraelite në Bejrut. Por, sapo ka menduar se ishin të sigurt më në fund, bomba ka goditur, duke ia lënë të dashurit vetëm në kujtime

Rihab Faour është larguar nga shtëpia. Pastaj është larguar përsëri. Edhe herën e tretë. Pastaj të katërtën. Dhe në herën e katërt, një vit pas të parës, ajo u është larguar aq gjatë bombave izraelite, saqë asnjë vend në Liban nuk dukej i sigurt.

Udhëtimi i saj ka filluar në tetor të vitit 2023, kur Hamasi ka sulmuar Izraelin. Kjo e ka shtyrë Hezbollahun, grupi politik dhe militant libanez, të hedhë raketa drejt Izraelit dhe Izraeli t’i përgjigjet duke bombarduar Libanin jugor.

Bombat izraelite kanë rënë aq afër fshatit të Rihabit, duke detyruar 33-vjeçaren dhe burrin e saj, Saeed, punonjës në një kompani komunale të ujit, t’i marrin vajzat Tia, tetë dhe Naya, gjashtë vjeçe, dhe të largohen për në shtëpinë e prindërve të Rihabit në Dahieh, periferi të Bejrutit.

Në Dahieh, për një kohë, jeta ka vazhduar gati normalisht, me përjashtim të faktit që Nayas dhe Tias u mungonin miqtë, krevati, lodrat dhe të gjitha rrobat që iu desh t’i linin mbrapa.

Mbi të gjitha u ka munguar të shkonin në shkollë, e cila ishte zëvendësuar nga mësimi online. Ato ishin të emocionuara kur, në gusht, Rihabi i ka regjistruar në një shkollë të re në Bejrut dhe i ka marrë për të blerë uniforma të reja shkollore.

Fotografitë e Saeedit, Tias dhe Nayas Foto: BBC

Por para se të niste dita e parë e shkollës, Izraeli e ka zgjeruar rrezen e bombardimeve në Liban për t’i përfshirë pjesët e Bejrutit, kryesisht periferinë Dahieh, të cilën familja tani e quante shtëpi.

Izraeli po vriste figura të larta të Hezbollahut në periferi, por po përdorte bomba të mëdha që shkatërrojnë bunkerë, secila e aftë të shkatërrojë një ndërtesë banimi. Në disa sulme, izraelitët kanë lëshuar dhjetëra bomba të tilla në të njëjtën kohë dhe ka rrafshuar rrugica të tëra të qytetit.

Kështu që familja Faour ka mbledhur gjërat dhe është larguar përsëri, kësaj radhe në një shtëpi të marrë me qira në një lagje tjetër të Bejrutit, Jnah. Pas një sulmi të fuqishëm ajror në Jnah, ata janë zhvendosur në shtëpinë e prindërve të Saeedit në lagjen Barbour. Atje, ata kanë jetuar me 17 persona të tjerë – në një hapësirë të vogël.

Sidoqoftë, për Tian dhe Nayan, tani nëntë dhe shtatë, ishte lumturi e rrallë të ishin të rrethuara nga kushërinjtë ditë e natë. Aq shumë, saqë kur babai i Rihabit, rreshter i pensionuar i ushtrisë libaneze, ka gjetur një apartament me qira në lagjen Basta për familjen, vajzat nuk kanë dashur të shkonin.

“Naya na u lut të rrinim aty me të gjithë familjen”, ka thënë Rihabi. “Ne i thamë se do të na duhet të shkonim vetëm për të fjetur në këtë shtëpi, e pastaj do të riktheheshim te fëmijët”.

Pastaj ajo u ka ofruar vajzave një ujdi – ejani në apartamentin e ri dhe mund ta zgjidhni darkën. Kështu, gjatë rrugës për në shtëpi ata kanë ndaluar për të blerë pulë dhe ushqime të tjera në dyqan dhe në orën 19:30, me rrugët e mbushura me njerëz, familja është futur brenda një ndërtese të vjetër në Basta të Bejrutit qendror.

Sulmi që goditi ndërtesën e familjes Faour Foto: BBC

Në 2006-n, gjatë një lufte të kaluar mes Izraelit dhe Hezbollahut, bombardimet ishin të kufizuara në zona të caktuara të Libanit – në jug, Dahieh, dhe në disa shënjestra infrastrukturore. Kësaj radhe, teksa anëtarët e lartë të Hezbollahut janë shpërndarë përgjatë vendit, Izraeli i ka bombarduar kudo që kanë shkuar.

Kjo ka çuar bombardimet në zona që dikur mendoheshin si të sigurta, duke përfshirë pjesë të Bejrutit qendror.

Asgjë nga këto nuk e ka rënduar Tian dhe Nayan, teksa familja ka shkarkuar gjërat në apartamentin e ri. Tani për tani, vajzat ishin më të shqetësuara për t’u rikthyer te kushërinjtë e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndryshe prej shtëpisë së prindërve të Saeedit, apartamenti i ri në Basta ka pasur ujë të pijshëm dhe gjenerator për energji. Vajzat ishin të lumtura kur kanë parë se familja më në fund kishte hapësirën e vet. Rihabi dhe Saeedi kanë pushuar pak. Me siguri, ka pasur ndonjë dron izraelit që bënte zhurmë jashtë, por tingulli ishte bërë aq i zakonshëm në Bejrut, saqë ishte e mundur ta injoroje.

Rihabi ka vendosur ushqim dhe gjëra të tjera në tavolinë. “Jemi ulur të hamë dhe po bisedonim e qeshnim”, ka thënë ajo. “Dhe kjo ishte e gjitha, kujtimi im i fundit për ta”.

Bomba ishte një Jdam amerikan. Ajo ka goditur ndërtesën më 10 tetor në orën 20:00, gjysmë ore pas ardhjes së familjes. Bomba ka rrafshuar tri katet dhe ka shkatërruar pjesë të ndërtesave pranë dhe makinave. Sulmi ka vrarë 22 burra, gra dhe fëmijë, duke e bërë sulmin më vdekjeprurës në Bejrutin qendror që nga fillimi i luftimeve një vit më herët.

Ushtria izraelite nuk ka lëshuar paralajmërim para sulmit, prandaj ndërtesa ishte plot njerëz. Sipas raportimeve, Izraeli po shënjestronte Wafiq Safan, kreun e njësisë së koordinimit dhe ndërlidhjes së Hezbollahut, por Safa nuk është raportuar kurrë në mesin e viktimave. Ai ose i ka mbijetuar, ose nuk ishte në ndërtesë fare. IDF-ja nuk e ka komentuar sulmin ose mungesën e paralajmërimit.

Ribai është zgjuar në spitalin e Bejrutit “Zahraa”, pa mundur të lëvizte. Shpina dhe krahu i saj ishin lënduar keq dhe kishte nevojë për të paktën dy operacione. Asaj i ka humbur dhe rikthyer vetëdija. Kujtimet në mendjen e saj që nga të qeshurat me vajzat e deri te zgjimi në spital ishin të turbullta.

Teksa ka ndenjur atje atë natë, familja e saj kanë kërkuar nëpër spitalet e Bejrutit. Deri në mesnatë, ata e dinin se Saeedi dhe Tia kishin vdekur. Testet e ADN-së ishin të nevojshme për ta konfirmuar se Naya ishte vrarë dhe për ta krahasuar me një vajzë tjetër të moshës së saj, meqë lëndimet e tyre e kanë penguar verifikimin e drejtpërdrejt.

Varri i përkohshëm i Saeedit, Tias dhe Nayas Foto: BBC

Doktorët e Rihabit e kanë këshilluar familjen të mos i tregojnë asaj asgjë. Ata ishin të shqetësuar se, meqë po përballej me operacione, lajmet do të ishin të rënda për Rihabin. Prandaj për dy javë, teksa ajo ka kryer dhe është shëruar nga operacionet, nëna e saj Basima e ka siguruar se Saeedi dhe vajzat po trajtoheshin në spitale të ndryshme.

“Asaj ia ndiente zemra”

Por Rihabi e ka kuptuar se diçka nuk shkonte dhe ka filluar të kërkonte të shihte fotografi dhe video të vajzave. “Asaj ia ndiente zemra”, ka thënë Basima.

11 ditë pas sulmit, ADN-ja ka konfirmuar se Naya kishte vdekur dhe në ditën e 15-të në spital psikiatrik i ka treguar Rihabit, se Saeedi dhe vajzat kishin vdekur.

Gjashtë javë më vonë, Rihabi po rrinte e ulur në një karrige plastike në një apartament të Bejrutit, sytë e saj të errët dhe me fytyrë pa emocione. Ajo akoma është duke u shëruar nga operacionet – ku i janë instaluar tetë vida në shtyllën kurrizore dhe tri të tjera në krah. Ajo ka qëndruar e shtrirë për një kohë të gjatë dhe tani po përpiqet të rrijë ulur më shumë dhe të ecë pak, edhe pse secila lëvizje i shkakton dhimbje.

Ditëlindja e Nayas ka kaluar para ca ditëve. Rihabi ka kaluar kohën “ose duke qarë ose duke fjetur”, ka thënë ajo. Por, ajo ka dashur të fliste për familjen e saj.

“Naya ishte shumë e lidhur me mua, më ndiqte kudo që shkoja. Tia i donte gjyshërit e saj dhe ishte e lumtur kur e lija me ta. Të dyja vajzave u pëlqente të vizatonin, u pëlqente të luanin me lodra, u mungonte të shkonin në shkollë. Ato luanin lojën mësues dhe student së bashku për orë të tëra”, ka thënë Rihabi.

Mbi të gjitha, atyre u ka pëlqyer të shikon video së bashku në TikTok. Rihabi dhe Saeedi kanë menduar se vajzat ishin akoma të vogla për t’i postuar videot e tyre, prandaj Rihabi i ka incizuar duke kërcyer dhe duke luajtur, në mënyrë që t’u thoshte vajzave se po i postonte në platformë, çka dukej se i gëzonte.

Saeed kishte hyrë në jetën e Rihabit në vitin 2013. Rihabu është rritur në Bejrut, por familja e saj e ka vizituar fshatin Mays El Jabal gjatë verës, sepse ajri ishte më i freskët dhe fshati ishte i rrethuar nga periferia. Dhe atë verë ajo është takuar me Saeedin përmes miqve të përbashkët.

Rihab ka përfunduar bachelorin për drejtësi dhe i ka filluar edhe studimet e masterit, por çifti është fejuar dhe më pas është martuar. Së shpejti ka lindur Tia, kështu që Rihabi e ka lënë në pritje karrierën e saj në drejtësi.

“Do të më duhet diçka për t’i kaluar ditët e mia”

Tani, në mes të humbjes së saj, ajo ka filluar paraprakisht të mendojë t’i rinisë studimet përsëri. “Do të më duhet diçka për t’i kaluar ditët e mia”, ka thënë Rihabi.

Një ditë pasi kanë vdekur, Saeedi dhe Tia janë varrosur nga babai dhe xhaxhallarët e Rihabit, në arkivole të përkohshme prej druri, në një varr të pashenjuar në Dahieh. Dy javë më vonë, burrat e familjes kanë gërmuar përsëri në të njëjtin vend dhe e kanë varrosur Nayan. Xhaxhai i Rihabit ka vendosur dy degë me lule artificiale qershie sipër varrit, për dy vajzat. Më vonë, dikush tjetër ka vendosur një kurorë me lule për një të huaj të varrosur pranë tyre.

Më pas, një sulm ajror izraelit e ka goditur ndërtesën që ndodhej pranë varrezave. Vala e shpërthimit dhe mbeturinat nga shpërthimi kanë thyer gurët e varreve dhe kanë shkatërruar tokën rreth tyre. Pothuajse në të njëjtën kohë, një tjetër sulm ajror izraelit ka goditur shtëpinë e familjes në Dahieh, duke i shkatërruar disa sende që Rihabi ka dashur t’i ruante, duke përfshirë dy uniformat e reja shkollore të paveshura.

Jo shumë kohë pas kësaj, gjithçka kishte marrë fund. Armëpushimi i shpallur i ka lejuar mijëra njerëz të zhvendosur të kthehen në fshatrat e tyre në jug të Libanit. Fshati i Rihabit dhe Saeedit është bombarduar rëndë nga izraelitët dhe shtëpia e familjes së tyre atje është shkatërruar, ka thënë xhaxhai i saj. Por Rihabi nuk mund të kthehet në shtëpi gjithsesi, sepse nuk mund të udhëtojë për disa muaj si shkak i shpinës.

Ndërsa gëzimi është shpërndarë në Liban për lajmin e armëpushimit, janë shfaqur fotografi të reja të Wafiq Safas, objektivit të raportuar të bombës që ka vrarë Saeedin, Tian, Nayan dhe 19 të tjerë. Safa nuk ishte parë në publik që nga sulmi, por dukej se ishte gjallë dhe mirë.