Botë

Roli i Evropës në prodhimin e dronëve vrasës të Rusisë

Dronët kamikazë iranianë, të përdorur nga Rusia në sulmet e fundit në Ukrainë, kanë pjesë përbërëse, të prodhuara në Evropë, sipas një dokumenti sekret të dërguar nga Kievi për aleatët e tij perëndimorë. Në dokument bëhet edhe thirrje për furnizim të Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi, me qëllim të sulmimit të bazave të prodhimit në Rusi, Iran dhe Siri

(The Guardian) - Në një dokument prej 47 faqesh, të dorëzuar nga Qeveria e Ukrainës, tek qeveritë e vendeve anëtare të G7-s, në muajin gusht, pretendohet se ka pasur më shumë se 600 sulme në qytetet ukrainase, ku janë përdorur mjete ajrore pa pilot (UAV), pjesët përbërëse të të cilëve kanë origjinë perëndimore.

Sipas dokumentit, të siguruar nga gazeta e njohur britanike “The Guardian”, 52 pjesë elektrike të prodhuara nga kompanitë perëndimore u gjetën në dronin Shahed-131 dhe 57 pjesë të tjera në modelin Shahed-136, i cili ka rreze fluturimi prej 2 mijë kilometrash dhe shpejtësinë e fluturimit prej 180 kilometrash në orë.

Pesë kompani evropiane, duke përfshirë edhe një filial polak, të një kompanie shumëkombëshe britanike, janë cilësuar si prodhuesit origjinalë të pjesëve të identifikuara.

“Midis prodhuesve janë të përfshira kompani me seli në vendet që kanë vendosur sanksione kundër Rusisë: Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Holanda, Gjermania, Kanadaja, Japonia dhe Polonia”, pretendohet në dokument.

Sipas dokumentit, Irani tashmë ka shtuar variante të shumta në prodhimin e tij përmes një fabrike siriane që i transporton ato në portin rus të Novorossiyskut, por prodhimi i dronëve po zhvendoset në Rusi, në rajonin qendror Tartar të Alabugas, megjithëse Teherani po vazhdon ende furnizimin me pjesët përbërëse të dronëve.

Bazuar në dokument, qeveria iraniane po përpiqet të “shkëputet nga sigurimi i armëve për Rusinë” dhe “nuk mund ta përballojë kërkesën ruse dhe intensitetin e përdorimit të tyre në Ukrainë”.

Ndër sugjerimet ukrainase për veprim nga aleatët perëndimorë përfshihen “goditjet me raketa në fabrikat e prodhimit të këtyre dronëve në Iran, Siri, si dhe në një vend të mundshëm prodhimi në Federatën Ruse”.

Në dokument theksohet: “Ky veprim i sugjeruar mund të kryhet nga forcat e mbrojtjes ukrainase nëse partnerët ofrojnë mjetet e nevojshme të shkatërrimit”.

Nuk ka asnjë sugjerim për keqbërje të kompanive perëndimore, pjesët e të cilave janë identifikuar. “Prodhimi i dronëve iranianë përdor kryesisht pjesë përbërëse komerciale, të gatshme, furnizimi i të cilave është i dobët ose i pakontrolluar”, thuhet në dokument.

Sipas raportit ukrainas, informacioni doganor tregon se “pothuajse të gjitha importet në Iran kanë origjinën nga Turqia, India, Kazakistani, Uzbekistani, Vietnami dhe Kosta Rika”.

Një gamë e gjerë pjesësh përbërëse të prodhuara nga kompanitë perëndimore janë gjetur në modelet e dronëve të rrëzuar, sipas dokumentit të paraqitur për vendet e G7-s, e cila përfshin Francën, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Japoninë, Italinë dhe Kanadanë, plus BE-në.

Një pompë e lëndëve djegëse, e prodhuar në Poloni nga kompania gjermane “Ti Automotive GmbH”, kompania mëmë e së cilës është ajo britanike “TI Fluid Systems”, u zbulua në një dron Shahed-136. U zbulua edhe një mikrokontrollues me memorie flash të integruar dhe një rregullator i rënies së tensionit me frenues, i prodhuar nga firma zvicerane “STMicroelectronics”, sipas dokumentit.

Përktheu: Forca Jashari