Botë

Robotët vërshojnë rrugët pas shtimit të porosive ushqimore

Dërgesat ushqimore nga robotët nuk janë më vetëm fantazi. Së shpejti mund t’i shihni edhe në lagjen tuaj.

Qindra robotë të vegjël, të gjatë deri te gjuri, në gjendje të mbajnë rreth katër pica të mëdha, tashmë po lëvizin nëpër disa kampuse të universiteteve, madje edhe në disa pjesë të qyteteve në SHBA, Britani e gjetkë.

Derisa robotët po testoheshin para se pandemia të fillonte, kompanitë ndërtuese kishin thënë se mungesa e fuqisë punëtore, shkaku i pandemisë, rriti dëshirën për dërgesa pa pasur nevojë për kontakt, gjë e cila e përshpejtoi vendosjen e tyre në terren.

Kompania “Starship” ka më shumë se 1.000 robotë në flotën e vet, nga 250 që i kishte në vitin 2019.

Qindra robotë të tjerë do t’i lëshojnë së shpejti. Ata po shpërndajnë dërgesa ushqimore në 20 kampuse në SHBA.

Patrick Sheck, student në Universitetin Shtetëror të Bowling Green, pranon porosi nga roboti i “Starship”-it tri apo katër herë në javë.

“Studentëve po u pëlqejnë. Tashmë janë pjesë e familjes Bowling Green. Të gjithë në kampus i njohin dhe janë integruar me studentët”.

Dizajni i robotëve dallon. Disa kanë katër këmbë, disa gjashtë.

Mirëpo, në përgjithësi i përdorin kamerat, censorët, GPS-in e nganjëherë edhe skanerët me laser për t’i gjetur rrugët, madje edhe për t’i kaluar vetë.

Robotët lëvizin me shpejtësi rreth 8 kilometra në orë.

Profesori nga Universiteti i Michiganit, Erik Gordon, ka treguar se numri i tyre mund të rritet çdo ditë e më shumë.

“Ka gjasa se do të jemi dëshmitarë të shtimit të tyre. Dhe kjo po ndodh së pari, falë pandemisë së COVID-19 dhe së dyti, falë mungesës së punëtorëve”.

Kontrolluesit e pajisjes përcjellin punën e disa robotëve në të njëjtën kohë dhe rrallëherë u duhet të intervenojnë te frenat ose te manovrimi me rrotullim.

Kur roboti arrin në destinacionin e caktuar, klientët e shtypin kodin në telefon që të hapet kapaku dhe ta marrin ushqimin.

Robotët kanë një të metë, e cila e kufizon përdorimin e tyre.

Janë elektrikë, kështu që duhet të rimbushen rregullisht.

Robotët kanë ndikuar që të shtohen kërkesat për dërgesa.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këto kërkesa janë rritur për 66 për qind, në fund të qershorit.