Botë

Rinisin fluturimet në dy aeroportet e Zvicrës pas bllokimit disa orësh

Fluturimet brenda dhe jashtë Zvicrës u pezulluan për orë të tëra dhe hapësira ajrore zvicerane u mbyll për shkak të një problemi kompjuterik në shërbimin e kontrollit të trafikut ajror Skyguide, shkruan BBC. Gjeneva dhe Cyrihu ndaluan fluturimet.

Por aeroporti i Gjenevës njoftoi se trafiku ajror po rifillonte gradualisht.

Skyguide ka thënë se mosfunksionimi teknik në orët e para të së mërkurës nënkuptoi se hapësira ajrore zvicerane duhej të mbyllej për linjat për "arsye sigurie".

Disa fluturime u devijuan për në Milano në veri të Italisë.

Zëdhënësi i Skyguide, Vladi Barrosa, ka thënë se problemi dukej të ishte një defekt harduer dhe ata nuk besonin se sistemi i tyre ishte hakuar. Kompania më vonë njoftoi se "mosfunksionimi teknik në Skyguide është zgjidhur" dhe gjithçka iu rikthye normalitetit.

Fluturimet kishin vazhduar normalisht në aeroportin Basel-Mulhouse. Edhe pse Basel është në Zvicër, vetë aeroporti është në territorin francez dhe mbulohet nga kontrolli francez i trafikut ajror.