Do të rikthehet në fron Donald Trumpi. Ish-presidenti siguroi 292 vota elektorale, duke lënë pas zëvendëspresidenten aktuale Kamala Harris. Pas triumfit, Trumpi u zotua t’i jetësojë zotimet e dhëna në fushatë, të cilat kryesisht lidhen me çështje ekonomike dhe luftimin e migracionit. Ai është uruar nga kundërkandidatja Harris dhe të dy kanë rënë dakord për rëndësinë e unifikimit të Amerikës
Donald Trumpi do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Kandidati republikan ka fituar garën presidenciale për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kundrejt demokrates Kamala Harris, pasi i ka siguruar më shumë se 270 votat e nevojshme të Kolegjit Elektoral. Ish-presidenti ka marrë 292 vota elektorale deri tash, duke lënë pas zëvendëspresidenten aktuale me 224 sosh.
Herët të mërkurën, njeriu që do të bëhet presidenti i 47-të amerikan iu drejtua një turme mbështetësish në Palm Beach të Floridës.
“Dua t’ju falënderoj shumë të gjithëve. Kjo është e mrekullueshme. Këta janë miqtë tanë. Ne kemi mijëra miq në këtë lëvizje të jashtëzakonshme. Kjo është lëvizje që askush nuk e ka parë më parë. Dhe, sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave. Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë në këtë vend dhe ndoshta më gjerë”, ka thënë Trumpi, që bëhet vetëm presidenti i dytë i cili fiton dy mandate jo të njëpasnjëshme.
78-vjeçari Trump është po ashtu presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar presidentit aktual Joe Biden, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti Trumpin katër vjet më parë.
Karriera politike e Trumpit dukej se kishte mbaruar pasi pretendimet për mashtrim zgjedhor katër vjet më parë çuan një turmë mbështetësish të sulmonin Capitolin dhe kjo u pa si përpjekje e dështuar për ta përmbysur humbjen në 2020-n.
Me fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit, ai ka arritur t’i tejkalojë ndasitë brenda Partisë Republikane, sfidat ligjore nga mandati i parë në vitet 2017-2021 dhe një atentat ndaj tij.
Trumpi pasi siguroi fitoren, është zotuar se do t’i jetësojë zotimet e dhëna në fushatë.
“Ne do ta ndihmojmë vendin tonë të rimëkëmbet. Ne kemi një vend që ka nevojë për ndihmë. Ne do t’i rregullojmë kufijtë tanë. Do të rregullojmë gjithçka për vendin tonë”, ka deklaruar i zgjedhuri.
Trumpi e ka siguruar fitoren pasi i ruajti bastionet e Partisë Republikane dhe u zgjodh si udhëheqës nga popullata e shtatë shteteve që konsideroheshin të papërcaktuara. Fitorja u vulos me triumfin në Pensilvani, Karolinën e Veriut, Georgia e Wisconsin, që ishin ndër shtetet e papërcaktuara.
Kandidatja demokrate, Kamala Harris, e cila mblodhi 224 vota elektorale, e ka uruar Trumpin përmes telefonit, siç ka raportuar “Associated Press”. Në telefonatë është diskutuar rëndësia e transferimit paqësor të pushtetit. Ndërsa siç ka bërë të ditur ekipi i Trumpit, presidenti i zgjedhur e ka vlerësuar Harrisin për “forcën, profesionalizmin dhe këmbënguljen gjatë fushatës”. Në njoftim është thënë se dy liderët kanë rënë dakord për rëndësinë e unifikimit të Amerikës.
Bazuar në rezultatin e deritashëm, demokratët nuk do ta kenë shumicën as në Senat dhe as në Kongres, rrethanë kjo që do t’ia bëjë Trumpit më të lehtë shtyrjen përpara të politikave të tij.
Presidenti i ri merr detyrën më 20 janar 2025.
Rreth 150 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, në ose para ditës së zgjedhjeve.
Premtimet
Gjatë fushatës, Trumpi ka dhënë premtime që kryesisht lidheshin me çështjet ekonomike dhe emigracionin.
Në ekonomi, ai ka premtuar t’i japë fund inflacionit dhe ta bëjë Amerikën “përsëri të përballueshme”.
Ai është zotuar se këtë do ta bëjë duke zgjeruar prodhimin e energjisë në SHBA dhe duke hapur zona si shkretëtira e Arktikut për shpimet e naftës për t’i ulur kostot e energjisë.
Trumpi ka propozuar gjatë fushatës edhe një numër shkurtimesh taksash me vlerë trilionë dollarë, duke përfshirë zgjatje të atyre që i kishte miratuar më 2017, e që u ndihmuan më së shumti të pasurve. Trumpi ka thënë se do t’i paguajë shkurtimet përmes tarifave nga importet, për të cilat ka përmendur përqindje të larta për gjithçka që vjen nga shtetet që “nuk respektojnë marrëveshjet”. Ai ka përmendur kryesisht tarifat për shtetet si Kina.
Imigracioni ka qenë një prej pikave me të cilat është marrë më së shumti gjatë fushatës. Trumpi është zotuar se do ta mbyllë kufirin e SHBA-së, duke përfunduar murin në kufi me Meksikën, e që e pati premtuar gjatë presidencës së para katër vjetëve. Ai ka thënë gjithashtu se do të bëjë dëbimin më masiv të emigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA-së. Kjo në vazhdimësi ka qenë kryefjalë e fushatës së kandidatit për zëvendëspresident, JD Vance, që madje u ka dhënë imigrantëve “gjashtë muaj afat”.
Sa u përket çështjeve të klimës, në të kaluarën Trumpi kishte hequr qindra mbrojtje mjedisore, duke përfshirë kufizimet në emetimet e dyoksidit të karbonit nga termocentralet dhe automjetet, dhe mbrojtjen për rrugët ujore federale. Ai përsëri është zotuar të shkurtojë rregulloret dhe ka sulmuar automjetet elektrike, duke premtuar se do të përmbysë qëllimin e administratës Biden për të kaluar në vetura më të pastra.
Pika më e ashpër në të cilën ai ka pasur përballje me kundërkandidaten Harris ka qenë ajo e abortit. Gjatë fushatës, Trumpi ka premtuar se shtetet duhet të vendosin vetë lidhur me ligjshmërinë e abortit. Tre gjyqtarë të cilët i kishte caktuar ai në Gjykatën e Lartë, ishin vendimtarë në përmbysjen e njërit prej vendimeve më të përfolura e që u garantonte grave në të gjithë SHBA-në, të drejtën për abort.
Trumpi e ka pozicionuar veten si mbrojtës të së drejtës kushtetuese për të mbajtur armë. Në një rast, duke iu drejtuar Shoqatës Kombëtare për Pushkë në maj, Trumpi ishte shprehur se është miku i tyre më i mirë. Presidenti i sapozgjedhur gjatë fushatës ishte përballur me atentat. Plumbi e kishte goditur në vesh gjatë kohës sa po mbante fjalim para turmës. Atentatori ishte vrarë nga autoritetet.
Presidenti Trump po ashtu ka zbutur qasjen ndaj marihuanës. Gjatë fushatës ai ka thënë se është koha që t’u jepet fund “arrestimeve dhe burgosjeve të panevojshme” të të rriturve për sasi të vogla të marihuanës për përdorim personal.
Përballja me ligjin
Donald Trump është rizgjedhur president i SHBA-së, si i dënuar në pritje të shkallës së dënimit për rastin e pagesave për heshtje në New York dhe ende punon për të shmangur ndjekjen penale në raste të tjera.
Asnjëherë më parë një i pandehur nuk është zgjedhur në postin më të lartë të SHBA-së, ashtu si një ish-president asnjëherë nuk është akuzuar deri vitin e kaluar.
Trumpi ka thënë disa herë se planifikon ta shkarkojë prokurorin e posaçëm, Jack Smith, dhe t’u japë fund çështjeve federale kundër tij për tentimin për përmbysjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 si dhe keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara.
Një gjykatës në New York do ta shpallë dënimin për ish-presidentin në fund të këtij muaji, pasi e kishte shtyrë për të shmangur çfarëdo lloj ndikimi në rezultatin e garës presidenciale. Megjithatë, avokatët e Trumpit pritet që t’i kërkojnë gjykatësit ta shtyjë sërish dhënien e dënimit.
Trumpi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Është planifikuar që Trumpi të paraqitet në gjykatën në New York më 26 nëntor për të marrë dënimin për 34 akuzat për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila pati thënë se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.
Nuk dihet deri tani nëse gjyqi për dënim do të mbahet. Gjykatësi Juan Merchan i ka dhënë vetes afat deri më 12 nëntor që të vendosë nëse do ta fshijë dënimin për shkak të vendimit të Gjykatës Supreme që i jep presidentit imunitet.
Nëse ecet përpara me dënimin, Trumpi mund të urdhërohet të kryejë deri në katër vjet burgim, por gjykatësit nuk i kërkohet të dënojë me burgim presidentin e zgjedhur, kështu që mund t’i shqiptojë dënim më të vogël, si dënim me kusht, shërbim në komunitet apo gjobë.
Secili vendim do të ishte i komplikuar nga fakti se Trumpi do ta marrë detyrën më 20 janar. Avokatët e Trumpit ka gjasa të apelojnë vendimet e gjykatës në atë mënyrë sa rasti të mbetet nëpër gjykata me vjet.
Fitorja e Trumpit pritet të ketë ndikimin më të madh në dy çështjet penale federale të ngritura kundër tij nga Smithi në Washington dhe Floridë. Pasi rastet u paraqitën më 2023, strategjia kryesore e avokatëve të Trumpit ka qenë të shtyhen gjyqet deri pas zgjedhjeve, ashtu që nëse zgjidhej ai do ta shkarkonte Smithin, që çon më pas në përfundimin edhe të dy çështjeve.
Në çështjen e ngritur në Washington, Smithi e ka akuzuar Trumpin për përpjekjet e tij për përmbysjen e rezultateve zgjedhore të 2020-s. Ndërsa, akuzat e ngritura në Floridë thonë se Trumpi ilegalisht mori dokumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë dhe u rezistoi përpjekjeve të qeverisë për t’i rimarrë ato dokumente.
Presidenti i zgjedhur po ashtu po e mbron veten në një seri padish civile, duke përfshirë ato në lidhje me rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol, dy padi për shpifje të E. Jean Carroll dhe një padi civile për mashtrim, e ngritur nga prokurori i përgjithshëm i New Yorkut, ku Trumpi u urdhërua të paguante gati 454 milionë dollarë dëmshpërblim.
Është e mundur që të gjitha këto raste të vazhdojnë të zhvillohen edhe pasi që Trumpi fillon mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Në një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 1997 që rrodhi nga një padi civile ku i përfshirë ishte presidenti i atëhershëm, Bill Clinton, gjyqtarët vendosën njëzëri që presidentët në detyrë nuk mund të thirreshin në imunitet presidencial për të shmangur proceset gjyqësore civile gjatë kohës sa janë në detyrë.
Kush është Donald Trump?
Donald Trump, u lind më 1946 në Queens të New Yorkut.
Babai i Trumpit, Fred Trump, ishte djali i imigrantëve gjermanë dhe nëna e tij, Mary Anne MacLeod Trump u lind në Skoci. Ata e regjistruan në Akademinë Ushtarake të New Yorkut në moshën 13-vjeçare.
Trump ka thënë se pesë vjetët në akademi, të cilat i nisi më 1959, i dhanë atij trajnim ushtarak dhe e ndihmuan në formimin e aftësive drejtuese. Ai nuk iu bashkua Luftës së Vietnamit për shkak të çështjeve akademike dhe të plagëve në këmbë.
Pasi u diplomua në Universitetin e Pensilvanisë, Trump u favorizua për të pasuar të atin në krye të biznesit familjar. Në vitet 1970-80, Trump zgjeroi biznesin duke blerë prona jashtë qytetit të New Yorkut dhe duke ndërtuar kompleksin e apartamenteve 36-katëshe të quajtur “Trump Plaza”.
Përveç profilit afarist, Trumpi u sfidua gjatë jetës edhe në të tjera fusha. Ai njihet edhe si autor i disa librave e po ashtu ishte edhe pjesë e ekranit televiziv. Prej vitit 1996 deri më 2015 ishte drejtor i konkurseve të bukurisë “Miss USA”, “Miss Teen USA” dhe “Miss Universe”. E derisa organizonte gara të bukurisë, Trumpi i hyri një gare edhe më sfiduese – asaj të politikës.
Më 16 qershor 2015, ai shpalli kandidaturën e tij për president të SHBA-së, derisa pranoi nominimin republikan në korrik të 2016-s, pavarësisht se 35 vjet më parë ishte shprehur se njerëzit e aftë zgjedhin biznesin në vend të politikës. Më 8 nëntor të vitit 2016, Trumpi u zgjodh presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke fituar garën ndaj kandidates demokrate, Hillary Clinton.
Mandati 4-vjeçar nuk i mjaftoi Trumpit, ambiciet e të cilit u shtuan në politikë duke synuar edhe një mandat tjetër. Pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar si president, në verën e 2020-ës, Trumpi rishpalli kandidaturën dhe vendosi ta sfidonte Joe Bidenin, kandidatin e demokratëve që arriti ta fitonte garën në fund.
Por rezultati i zgjedhjeve nuk ishte kapërdirë lehtë nga republikani, që insistonte se zgjedhjet janë vjedhur dhe e kontestonte rezultatin. Trumpi kështu bëri thirrje për protesta në mënyrë që të pengohej certifikimi i Bidenit gjatë seancës së Kongresit. Si pasojë e tyre më 6 janar 2021, Capitoli u sulmua nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump. Katër persona mbetën të vdekur, ndërsa mbi 50 persona ishin arrestuar.
Trumpi e nisi garën me Bidenin, por pasi e mposhti në debat u tërhoq dhe në garë u përball me zëvendëspresidenten aktuale, Kamala Harris.
Anëtarë të ndryshëm të familjes së Donald Trumpit kanë luajtur role në karrierën e tij politike, megjithëse paraqitjet në fushatën e 2024-s nga gruaja e tij, ish-zonja e Parë Melania Trump, kanë qenë të kufizuara.
Me gruan e tij të parë, Ivana, Trump ka tre fëmijë: Donald Jr, Ivanka dhe Eric. Ai ka një vajzë, Tiffany, me gruan e tij të dytë, Marla Maples. Ai u martua me gruan e tij të tretë Melania në vitin 2005, me të cilën ka një djalë, Barron.