Botë

Ribashkimi i kilianëve me familjet biologjike pas shumë vitesh adoptimi ilegal

Romina Cortés nuk mund të shqiptonte mbiemrin e motrës së saj. Ajo nuk e dinte aromën e saj, cili është ushqimi i saj i preferuar, ose çfarë i pëlqente të bënte në kohë të lirë.

Cortés, 43-vjeçar, priste me padurim të dielën në aeroportin Santiago në Kili, ku do të takonte motrën e saj, María, për ekzistencën e së cilës mësoi vetëm një muaj më parë.

Kjo është sepse motra e Cortés, María Hastings, ishte një nga mijëra fëmijë kilianë që u trafikuan ose u vendosën për birësim të paligjshëm gjatë 60 vjetëve të fundit, shumica gjatë diktaturës së Augusto Pinochetit nga vitet 1973-1990.

“Jam e tronditur, shumë e lumtur për të takuar familjen time biologjike”, ka thënë Hastings në momentin që doli nga aeroplani nga Tampa të Floridas. “Do të rilidhem me ta. Do mësoj se kush janë dhe do ju tregoj kush jam”.

Birësimet e paligjshme – 20,000 prej të cilave janë duke u hetuar nga zyrtarët e drejtësisë kiliane dhe grupet tjera sociale – kanë filluar që nga vitet e ’60. Të gjendura në situatë të vështirë, gratë indigjene kryesisht të varfra dhe të reja ose janë detyruar të japin fëmijët e tyre ose ju kanë thënë se fëmijët kanë vdekur gjatë lindjes.

Tani, familjet si familja Cortés janë duke u ribashkuar pas disa dekadave.

Nëna e Cortés, një grua nga fshati, ka ardhur për të punuar në qytet “pa ditur të lexojë ose të shkruajë”. Pa asnjë mbështetje, nëna e saj përfundoi në rrugë dhe u detyrua të vendoste foshnjën e saj për adoptim në vitin 1987.

“Ata e detyruan atë të nënshkruante një dokument pa ditur se çfarë po nënshkruante, meqë ishte analfabete”, ka thënë Cortés. “Për ndonjë arsye, ndoshta për shkak të dhimbjes që ajo ndiente, nuk më ka treguar më parë”.

Por muajin e kaluar, për habinë e floktares, jetës së saj iu shtua një motër dhe një nip.

“Kur e pashë në Zoom thashë: ‘Ajo duket si unë. Ka sytë dhe hundën e njëjtë me mua’”, ka thënë Cortés.

Me sytë e ngulitur në dyert e terminalit, Cortés ndjeu një lëmi emocionesh. E lumtur për të përqafuar motrën, ajo po përpiqet të mësojë gjuhën angleze në mënyrë që të komunikojë me të, por e vetmja fjalë që di është fjala “yes” (po).

Hastingsit i kanë treguar si fëmijë që ishte e birësuar, por disa muaj më parë zbuloi se ishte pjesë e një rrjeti të rrëmbimeve të fëmijëve me degë në mbarë botën, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Holandën dhe Suedinë.

Të dielën ajo përqafoi pesë anëtarë të familjes së saj, mes tyre edhe nënën e saj të përlotur, e cila preferonte të mbeste anonim, por që ka thënë se e ka ditur që kjo ditë do të vijë.

Hastings ka thënë se po mëson spanjisht për t’u lidhur me një pjesë të vetes që deri më tash ishte e heshtur.

Hastings ka thënë se fillimisht ajo nuk donte të kërkonte familjen e saj, derisa lexoi një artikull për fëmijët e trafikuar, e cila bëri që ajo të lidhej me “Connecting Roots”, organizatë jofitimprurëse, qëllimi i së cilës është të ribashkojë fëmijët e adoptuar me familjet e tyre biologjike kiliane, sidomos ata në SHBA.

“Rrjeti i trafikimit ishte i gjerë, duke përfshirë shtëpi kujdesi, spitale, hotele, punonjës socialë, infermierë, doktorë, avokatë, gjyqtarë dhe diplomatë që kanë marrë pjesë në këtë sipërmarrje kriminale nën mbrojtjen e shtetit”, ka thënë Juan Luis Insulza, nënkryetar i “Connecting Roots”.

Të huajt morën ose tregtuan foshnjat e trafikuara, ka thënë organizata. Në shumicën e rasteve familjet adoptuese nuk e kanë ditur origjinën ilegale të foshnjave.

Ben Frutcher ishte një nga shtatë njerëzit në fluturimin për në Kili të dielën, i gëzuar që do rilidhej me shtatë motrat dhe vëllezërit e tij dhe 14 nipat dhe mbesat. Ai udhëtoi me babanë adoptues, i cili e ka inkurajuar të gjente familjen e tij biologjike.

“Do më duhet shumë më shumë kujtesë për tërë këta emra të rinj”, ka bërë shaka ai teksa përqafonte familjen, i mbuluar me flamurin kilian.

Image
Ben Fruchter, përqafon për herë të parë motrën e tij biologjike aeroportin Santiago, Kili (Foto: AP)

Që nga momenti që ai ka parë foton e familjes, Frutcheri arriti të shihte veçoritë e njëjta, duke vënë në dukje që të gjithë thonë se ai duket si babai i tij biologjik. Nëna e tij ka vdekur para 23 vjetëve, e rrënuar nga pikëllimi që nuk e njohu kurrë djalin e saj.

Ai ka thënë se ka plane për të udhëtuar në qytetin e familjes, Chillán.

“Familja e ka kërkuar vazhdimisht Frutcherin për më shumë se 33 vjet që nga hyrja në përdorim e rrjeteve sociale”, ka thënë Vladimir Figueroa, 39-vjeçar, vëlla i Frutcherit. Por nuk gjetën kurrë gjurmë të tij, për shkak se e kanë kërkuar nën emrin kilian. Mungesa e vëllait të tyre e mbyste shtëpinë e tyre.

“Connecting Roots” u krijua kur zjarrfikësi Tyler Graf takoi mikun e tij kilian Insulza gjatë trajnimit në Houston. Grafi e ka ditur se ishte i adoptuar dhe se familja e tij ishte nga Kili, por filloi të hetonte me ndihmën e Insulzës, i cili filloi të kërkonte familjen e Grafit në Kili.

Vite më vonë, ata mësuan që nënës biologjike të Grafit i kishin thënë se ai kishte lindur i vdekur në spital.

“E vërteta është shumë më e ligë se sa na kishin thënë”, ka thënë Grafi. “Versioni zyrtar ishte se familja ime ishte shumë e varfër për të më rritur”.

Së shpejti, u shfaqën raste të reja dhe zjarrfikësit dhe njerëzit tjerë ndihmuan në gjetjen e testeve të ADN-së dhe informacioneve tjera. Organizata ka mbledhur fonde për të ndihmuar në gjetjen e 36 familjeve deri më tash.

Grafi ka thënë se ndërsa organizata përpiqet të japë mbështetje emocionale, “asgjë nuk mund të të përgatisë” për një çast aq të fuqishëm sa ecja nëpër derën e terminalit dhe përqafimi me familjen tënde.

Përgatiti: Latra Gashi