Në zonat e okupuara nga Rusia në juglindje të Ukrainës, forcat guerile besnike ndaj Kievit po vrasin zyrtarët pro-Moskë, po hedhin në erë urat dhe trenat, dhe po ndihmojnë Ushtrinë e Ukrainës që të identifikojë shënjestrat kyçe.
Zgjerimi i kësaj rezistence po e shkatërron kontrollin e Kremlinit në këto zona dhe po kanos planet për të mbajtur referendume në disa qytete si lëvizje për aneksim nga Rusia.
“Synimi ynë është të bëjmë jetën të padurueshme për okupuesit rusë duke përdorur çdo metodë për të t’ia prishur planet”, ka thënë Andriy 32-vjeçar, një koordinator i lëvizjes guerile në rajonin jugor të Khersonit.
Anëtar i Zhovtka Strichka – apo “Fjongo e Verdhë” – grupit të rezistencës, Andriy ka folur për “AP” në kushte që të mos identifikohet plotësisht për të evituar që të gjurmohet nga rusët.
Grupi mban emrin nga njëra prej dy ngjyrave të flamurit të Ukrainës dhe anëtarët përdorin fjongo për të shënjuar shënjestrat për sulmet guerile.
Trupat ukrainase së fundi kanë përdorur lansuesit amerikan të raketave HIMARS për të goditur urat strategjike në lumin Dnieper në Kherson, që shërbente si lidhje kryesore për furnizimin rus.
Qyteti me afro 500 mijë banorë, është pushtuar nga trupat ruse herët gjatë luftës. Por, tash po vërshohet nga fletushkat të rezistencës, duke kërcënuar zyrtarët e mbështetur nga Moska.
Vetëm para se të ndodhte sulmi në urë, u paraqitën fletët me shkrime, “nëse HIMARSI s’mund ta bëjë, atëherë një partizan do të ndihmojë”.
“Ne po i japim Ushtrisë Ukrainase koordinata të sakta për disa shënjestra, dhe ndihma nga guerilët po i bënë armët me rreze të gjata veprimi, veçanërisht HIMARS, më të fuqishme. Ne jemi të padukshëm prapa linjave ruse, dhe kjo është forca jonë”, ka thënë Andriy.
Ndërsa forcat ukrainase kanë rritur sulmet në rajon dhe po rimarrim disa zona në perëndim të lumit Dnieper, aktiviteti i guerilëve po ashtu është rritur.
Ata koordinohen me Forcat e Operacioneve Speciale të Ushtrisë së Ukrainës, që i ndihmojnë të zhvillojnë strategji e taktika. Këto forca po ashtu zgjedhin shënjestra dhe hapin uebfaqe me këshilla se si të organizohet rezistenca.
Bomba janë vendosur në afërsi të ndërtesave komunale, nëpër shtëpitë e zyrtarëve pro-rusë apo edhe në rrugët që përshkojnë ata për të shkuar nëpër vende puna.
Një bombë ishte vendosur në afërsi të një druri ndërsa po kalonte vetura me të cilën po udhëtonte shefi i burgut të Khersonit, Yevgeny Sobolev.
Ai i mbijetoi sulmit. Një bombë me shrapnel goditi një veturë të policisë, duke lënduar dy zyrtarë policorë, njëri prej tyre vdiq. Zëvendëskryetari i administratës lokale në Nova Kakohovka vdiq pasi u plagos me armë gjatë fundjavës.
Guerilët tentuan vazhdimisht ta vrisnin edhe Vladimir Saldon, kreun e administratës së përkohshme pro-ruse të Khersonit. Madje për kokën e tij është ofruar një premi prej 1 milion hryvnia (25 mijë dollarë).
Ndihmësi i tij Pavel Slobodchikov, është qëlluar dhe vrarë në veturën e tij dhe një zyrtar tjetër Dmytry Savluchenko, vdiq si pasojë e një bombe në veturë.
Sulmet kanë shtyrë Moskën që të dërgojë njësite anti-guerile në Kherson, ka thënë Saldo.
“Çdo ditë, njësitet speciale nga Rusia zbulojnë dy apo tri pako të armëve për aktivitete terroriste. Konfiskimi i armëve ndihmon të zvogëlohet rreziku për sabotazh”, ka thënë Saldo.
Në ditët e para të okupimit, mijëra qytetarë mbajtën protesta paqësore. Por, Ushtria e Rusisë shpejt shpërndau ato protesta dhe arrestoi aktivistët.
Fotografi i dasmave Oleksandr Kharchikov 41-vjeçar, një aktivist, ka thënë se është rrahur e torturuar pasi u arrestua nga forcat ruse. Ai kaloi 155 ditë nën okupimin rus, derisa iku.
Vëzhguesit po thonë se lëvizjet e guerileve variojnë nga rajonet.
“Është e vështirë të besohen storie si ukrainasit që ushqejnë ushtarët rusë me torte me helm, por nganjëherë mitet funksionojnë më mirë se faktet”, ka thënë Vadim Karasev, kreu i Institutit për Strategji Globale me seli në Kiev.