Teksa po vazhdon lufta mes milicive dhe ushtrisë, viktimat civile po rriten ndjeshëm në Birmani. Sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, 4.962 civilë janë vrarë që nga marrja e pushtetit nga ushtria tre vjet më parë, e shumë njerëz janë duke u zhvendosur në zonat rurale ose në vendet fqinje për t’i shmangur luftimet
Në gjashtë muaj ofensivë kundër qeverisë ushtarake të Birmanisë, forcat e opozitës kanë arritur përfitime të mëdha, por viktimat civile po rriten ndjeshëm, ndërsa trupat e regjimit po përdorin gjithnjë e më shumë taktikat e shkatërrimit të tokave në luftën e ashpër civile të Azisë Juglindore.
“Kur një masë e madhe e njerëzve ngrihen kundër tyre, mendoj se kjo i tmerron ata”, ka thënë Dave Eubank, ish-ushtar i Forcave Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ka themeluar “Free Burma Rangers”, organizatë humanitare që i ndihmon luftëtarët dhe civilët në Birmani që nga vitet e ’90-ta.
“Ata e dinë që spitalet, kishat, shkollat dhe manastiret janë vende të rëndësishme për kujdesin humanitar – dhe ata i shkatërrojnë ato”, ka shtuar Eubanku. “Kjo është gjë e re”.
Forcat ushtarake tani kontrollojnë më pak se gjysmën e vendit, por kanë nën kontroll shumicën e pjesës qendrore të Birmanisë, duke e përfshirë kryeqytetin, Naypyidaw – kohëve të fundit i shënjestruar nga sulmet me dronë – dhe qytetin më të madh, Yangon dhe deri më tash kanë qenë të armatosur më mirë sesa forcat e rezistencës, me mbështetje nga Rusia dhe Kina.
“Njerëzit janë duke thënë se regjimi është afër shkatërrimit që nga dy javët e para të grusht-shtetit”, ka thënë Morgan Michaels, analist në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve strategjike. “Në anën tjetër, regjimi është normalisht më i dobët se kurrë ... prandaj nuk ka dyshime se është në telashe shumë serioze”.
Thet Swe, zëdhënës i qeverisë ushtarake, ka mohuar se trupat janë duke i shënjestruar ndërtesat dhe zonat ku janë duke u strehuar civilët, duke i fajësuar forcat e opozitës për shkatërrimet, pa dhënë prova.
“Ushtria kurrë nuk i ka sulmuar spitalet, kishat dhe civilët në vendin tonë”, ka thënë ai në një email për “Associated Press”. “Ata nuk e kanë përdorur këtë strategji dhe janë duke luftuar kundër rebelëve për sovranitetin e vendit tonë”.
Teksa luftimet janë afruar te zonat më të populluara, rreth 1 milion njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i ofensivës në tetor, duke e rritur numrin e të zhvendosurve brenda vendit në 3 milionë në shtetin prej 56 milionëve, sipas agjencisë humanitare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Me rënien e sistemit të kujdesit shëndetësor dhe mungesën e furnizimeve ushqimore, 18.6 milionë njerëz janë të rrezikuar, 1 milion më shumë nga viti i kaluar, duke i përfshirë 6 milionë fëmijë, ka thënë agjencia.
Si ka filluar gjithçka
Opozita në Birmani, e njohur si Burma, është rritur që kur ushtria ka marrë pushtetin nga qeveria e zgjedhur e Aung San Suu Kyis në shkurt të vitit 2021, por ka fituar momentum të ri në tetor kur milicitë kryesore të njohura kolektivisht si “Aleanca e Tre Vëllazërive” e kanë nisur ofensivën e përbashkët.
Së bashku, Ushtria Arakan, Ushtria e Aleancës Kombëtare Demokratike e Birmanisë dhe Ushtria Kombëtare Çlirimtare Ta’ang – ndër milicitë më të fuqishme të formuara nga pakicat etnike të Birmanisë – kanë avancuar shpejt.
Ndërsa ata kanë pushtuar pjesë të mëdha të territorit në veri dhe në verilindje, duke i përfshirë edhe kalimet kufitare ekonomikisht të rëndësishme me Kinën dhe bazat kryesore ushtarake, grupet e tjera etnike të armatosura e kanë kapur momentumin dhe i janë bashkuar luftimeve.
Në të njëjtën kohë, Forcat e Mbrojtjes së Popullit – grupe të armatosura të rezistencës që e mbështesin Qeverinë e Unitetit Kombëtar, që e sheh veten si administratë legjitime e Birmanisë – janë duke u rritur në numër dhe duke i nisur sulmet e veta, shpesh të mbështetur dhe të trajnuar nga milicitë etnike të armatosura.
Të dyja anët pretendojnë se kanë shkaktuar humbje të mëdha. Dhe qeveria ushtarake e udhëhequr nga Min Aung Hlaingu, që ka rënë dakord se është nën presion, kohëve të fundit e ka rinisur rekrutimin për t’i rritur gradat e veta.
Kjo i ka nxitur disa të rinj t’i bashkohen rezistencës. Shumë njerëz janë zhvendosur në zonat rurale ose në vendet fqinje për t’i shmangur luftimet.
Me dhunën në rritje në anën tjetër të kufirit, Kina ka ndihmuar në ndërmjetësimin e një armëpushimi në veri të Birmanisë në janar me Aleancën e Tri Vëllazërive. Por Ushtria Arakan e aleancës është duke i vazhduar luftimet në shtetin e saj Rakhine në perëndim dhe ka arritur përfitime të rëndësishme, ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Popullit dhe grupet e tjera të armatosura etnike vazhdojnë sulmet e tyre në vende të tjera.
Luftimet e fundit
Luftimet më të ashpra gjatë javëve të fundit kanë ndodhur në jugperëndim, ku forca kryesore luftarake etnike e Karenëve, Ushtria Çlirimtare Kombëtare Karen, ka pretenduar në fillim të prillit se i ka pushtuar të gjitha baza ushtarake në Myawaddy, qyteti kryesor në kufi me Tailandën.
Njëri batalion i ushtrisë është pozicionuar afër njërës prej dy urave të Myawaddyt, i ndihmuar nga Forcat e Gardës Kufitare, grup rival Karen që ka qenë në krye të sigurisë së zonës kufitare për vite të tëra dhe ka kryer biznese fitimprurëse duke ofruar mbrojtje për resortet e kazinove të zonës të lidhura me krimin e organizuar.
Forca, e cila e ka deklaruar veten neutrale në janar, tani kontrollon qytetin me administratorët e qeverisë ushtarake akoma në zonë, duke treguar se si disa grupe të milicisë akoma kanë në prioritet interesat e veta.
“Kjo nuk është situatë bardh e zi. Ky nuk është regjimi që ripushton dhe rikonsolidon kontrollin”, ka thënë Michaelsi, për luftimet në këtë zonë. “Ky është regjimi që përpiqet të qëndrojë aty”.
Në ndërkohë, ushtria i ka shtyrë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare Karen dhe Forcat e Mbrojtjes së Popullit jashtë Kawkareikut, qyteti strategjikisht i rëndësishëm në rrugën që lidh Myawaddyn me pjesën tjetër të vendit.
Mijëra civilë janë zhvendosur nga Myawaddy dhe Kawkareiku. Por shumë civilë të tjerë nuk kanë arritur të largoheshin.
Të paktën 1.015 viktima civile janë dokumentuar që nga 1 nëntori deri më 1 maj, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, grup që i gjurmon arrestimet politike, sulmet dhe vdekjet. Sipas shoqatës 4.962 civilë janë vrarë që nga marrja e pushtetit nga ushtria tre vjet më parë.
“Ushtria është duke humbur gjithnjë më shumë kontrollin mbi zonat e veta gjatë muajve të fundit, çka e ka rritur përdorimin e strategjisë së tillë, duke u kundërpërgjigjur me sulme ajrore, predha dhe të tjera në zonat me civilë”, ka thënë shoqata në një email.
Grupi ka shtuar se numri i viktimave civile gjatë muajve të fundit të luftimeve, me gjasë është dyfish më i lartë nga ajo që është raportuar, nëse jo më shumë, por nuk mund t’i dokumentojë numrat e saktë për shkak të intensifikimit të konfliktit.
Kyaw Zawi, zëdhënës i Qeverisë së Unitetit Kombëtar, ka thënë se ushtria i ka shkatërruar 342 spitale dhe klinika që nga marrja e pushtetit dhe se këto sulme janë rritur gjatë muajve të fundit, por nuk ka pasur detaje specifike.
Eubanku, me “Free Burma Rangers”, ka thënë se ai dhe ekipet e tij që janë duke operuar në vijat e frontit kanë dëshmuar se ushtria, e njohur si Tatmadaw, është duke luftuar me “shpejtësi, fuqi dhe ligësi që nuk janë parë deri më tash”.
Por në luftimet kundër armikut të përbashkët, rezistenca është duke treguar unitet në rritje, ka thënë ai.
“Ushtria Burma është akoma më e fuqishme se këto grupe të rezistencës dhe nëse duan ta sjellin një divizion ose dy, ata do ta fitojnë luftën, por nuk janë më të fuqishëm se të gjithë të tjerët”, ka shtuar ai.
Çfarë vjen më pas
Nëse uniteti vazhdon pas rënies së regjimit dhe nëse forcat e ndryshme të rezistencës mund të bien dakord për një rrugëzgjidhje të përbashkët për Birmaninë, kjo është pyetje e hapur, ka thënë Michaelsi.
“Në njërën anë, Birmania nuk është Siri – ka shkak të përbashkët në luftën kundër regjimit”, ka thënë Michaelsi. “Por në të njëjtën kohë, ndërsa regjimi është tërhequr nga disa zona, ka indikatorë potencialë për konflikte mes grupeve në të ardhmen”.
Ai ka treguar një shembull të një incidenti të tillë në shtetin verior Shan muajin e kaluar, kur trupat e dy anëtarëve të Aleancës së Tri Vëllazërive - Ushtria e Aleancës Kombëtare Demokratike e Birmanisë dhe Ushtria Kombëtare Çlirimtare Ta’ang – kanë shkëmbyer zjarr për shkak të një mosmarrëveshjeje territoriale. Një person ishte plagosur.
Grupi shpejt ka pranuar ta ndalojë shkëmbimin e zjarrit, por incidenti ilustron se tensioni territorial është i vërtetë, ka thënë Michaelsi.
Një politikan i opozitës brenda vendit, duke folur në mënyrë anonime për shkaqe të sigurisë së vet, ka thënë se njerëzit e Birmanisë e kanë dëshirën e njëjtë për paqe dhe stabilitet, por fraksionet e ndryshme ende i ndjekin interesat e tyre.
“Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë dhe ata akoma nuk kanë ndonjë drejtim politik ose qëllim. Mendoj se ky është goxha problem në një situatë të tillë”, ka thënë ai. “Birmania tani është në udhëkryq”.