Botë

Republikanët u kërkojnë kolegëve të tyre të shmangin sulmet raciste dhe seksiste ndaj Harrisit

Kamala Harris

Udhëheqësit republikanë po paralajmërojnë anëtarët e partisë që të mos përdorin sulme të hapura raciste dhe seksiste kundër zëvendëspresidentes, Kamala Harris.

Në një takim me dyer të mbyllura të republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve të martën, kryetari i Komitetit të Kongresit Kombëtar Republikan, Richard Hudson, u kërkoi ligjvënësve të qëndrojnë në kritikat ndaj Harrisit vetëm për rolin e saj në politikat e administratës Biden-Harris, raporton AP.

“Këto zgjedhje do të kenë të bëjnë me politikat dhe jo me personalitetet”, u ka thënë gazetarëve pas takimit kryetari i Dhomës, Mike Johnson.

"Kjo nuk është personale në lidhje me të dhe përkatësia e saj etnike apo gjinia e saj nuk kanë asnjë lidhje me këtë”, ka shtuar Johnson.

Paralajmërimet tregojnë për rreziqet e reja për republikanët në garën kundër një demokrateje, që ka mundësi të bëhet gruaja e parë dhe personi i parë me prejardhje nga Azisa Jugore që do të vihej në krye të Shtëpisë së Bardhë. 

Ish-presidenti Donald Trump, ka një histori sulmesh raciste dhe mizogjene që mund të pengojnë arritjen te grupet kryesore të votuesve të luhatshëm, duke përfshirë gratë nga vendet periferike si dhe votuesit me ngjyrë dhe të rinjtë.

Paralajmërimet erdhën pasi disa anëtarë dhe aleatë të Trumpit filluan ta vendosnin Harrisin, një ish-prokurore qarku, prokurore e përgjithshëm dhe senatore, si një të punësuar në "DEI" - një referencë për diversitetin, barazinë dhe iniciativat e përfshirjes.

Që kur presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi se po tërhiqej nga gara, republikanët kanë përpiluar një listë të gjatë linjash sulmi kundër Harrisit, duke përfshirë përpjekjen për ta lidhur atë me politikat më të papëlqyeshme të Bidenit dhe trajtimin e tij ndaj ekonomisë dhe kufirit jugor. 

Zyrtarë të fushatës së Trumpit dhe republikanë të tjerë e kanë akuzuar Harrisin si bashkëpunëtore në mbulimin e çështjeve shëndetësore të Bidenit dhe ata kanë minuar po ashtu të dhënat e saj si prokurore në Kaliforni, ndërsa përpiqen ta paraqesin atë si të butë ndaj krimit.