Rënia e Bashar al-Assad ishte pothuajse e paimagjinueshme vetëm një javë më parë, kur rebelët filluan ofensivën e tyre të habitshme kundër regjimit nga baza e tyre në Idlib, në veriperëndim të Sirisë.
Kjo është një pikë kthese për Sirinë. Assadi ka ardhur në pushtet në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij Hafez, i cili sundoi vendin për 29 vjet.
Assadi i ri trashëgoi një strukturë politike të kontrolluar fort dhe represive, ku opozita nuk tolerohej.
Në fillim, kishte shpresa se ai mund të ishte ndryshe, më i hapur, më pak brutal. Por ato ishin jetëshkurtër.
Assadi do të mbahet mend përgjithmonë si njeriu që shtypi me dhunë protestat paqësore kundër regjimit të tij në vitin 2011, të cilat çuan në një luftë civile. Më shumë se gjysmë milioni njerëz u vranë, gjashtë milionë të tjerë u bënë refugjatë.
Me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, ai shtypi rebelët dhe mbijetoi. Rusia përdori fuqinë e saj të frikshme ajrore ndërsa Irani dërgoi këshilltarë ushtarakë në Siri, teksa Hezbollahu, milicia që ajo mbështet në Libanin fqinj, vendosi luftëtarët e saj të trajnuar mirë.
Kjo nuk ndodhi këtë herë. Aleatët e tij, të preokupuar me punët e tyre, në thelb e braktisën atë. Pa ndihmën e tyre, trupat e tij nuk ishin në gjendje, dhe, në disa vende, me sa duket nuk dëshironin, të ndalonin rebelët, të udhëhequr nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Së pari, ata pushtuan Aleppon, qytetin e dytë më të madh të vendit, javën e kaluar, pothuajse pa rezistencë. Pastaj Hamanin, dhe ditë më vonë, qendrën kryesore të Homsit. Teksa kryengritësit po përparonin nga lindja dhe jugu, ofensiva e izoloi Damaskun. Në pak orë, luftëtarët hynë në kryeqytet, që është selia e pushtetit të Assadit.
Fundi i sundimit pesë dekadash të familjes Assad do të riformësojë ekuilibrin e pushtetit në rajon.
Irani, përsëri po sheh që ndikimi i tij po pëson një goditje të rëndësishme. Siria nën Assadin ishte pjesë e lidhjes midis iranianëve dhe Hezbollahut, dhe ishte kyçe për transferimin e armëve dhe municioneve të grupit.
Vetë Hezbollahu është dobësuar rëndë pas luftës së tij njëvjeçare me Izraelin dhe e ardhmja e tij është e pasigurt.
Një tjetër fraksion i mbështetur nga Irani, Houthis në Jemen, janë shënjestruar vazhdimisht në sulme ajrore. Të gjitha këto fraksione, plus milicitë në Irak dhe Hamasi në Gaza, formojnë atë që Teherani e përshkruan si Boshti i Rezistencës, i cili tani është dëmtuar rëndë.
Shumë besojnë se kjo ofensivë nuk mund të kishte ndodhur pa bekimin e Turqisë. Por Turqia, e cila mbështet disa nga rebelët në Siri, ka mohuar mbështetjen e HTS-së.
Prej disa kohësh, presidenti Rexhep Tajip Erdogan i kishte bërë presion Assadit që të angazhohej në negociata për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin që mund të lejonte kthimin e refugjatëve sirianë.
Të paktën tre milionë prej tyre janë në Turqi, dhe kjo është një çështje e ndjeshme në vend.
Por Assadi kishte refuzuar ta bënte këtë. Shumë njerëz janë të lumtur që po shohin largimin e Assadit.
Por çfarë ndodh më pas? HTS-ja i ka rrënjët në Al-Kaedan dhe në një të kaluar të dhunshme.
Ata i kanë kaluar vitet e fundit duke u përpjekur të riemëronin veten si një forcë nacionaliste dhe mesazhet e tyre të fundit kanë një ton diplomatik dhe pajtues.
Por shumë nuk janë të bindur, dhe janë të shqetësuar rreth asaj se çfarë mund të planifikojnë të bëjnë pas rrëzimit të regjimit.
Në të njëjtën kohë, ndryshimet dramatike mund të çojnë në një vakum të rrezikshëm pushteti dhe përfundimisht të rezultojnë në kaos me akoma më shumë dhunë.
LEXO EDHE: