Është regjistruar vdekja e parë nga gripi i shpezëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç ka bërë të ditur Departamenti i Shëndetësisë në Louisiana, personi që vdiq ishte mbi 65 vjeç dhe kishte edhe probleme të tjera shëndetësore.
Pacienti u infektua me gripin e shpezëve (zyrtarisht i njohur si lehtë i transmetueshëm apo si ‘Avian influenza’ HPAI ose H5N1) pas ekspozimit me kafshë dhe shpezë të egër.
Një analizë gjenetike ka sugjeruar se gripi i shpezëve ka pësuar mutacion brenda pacientit, që ka mundësi të ketë shkaktuar probleme më të mëdha.
Departamenti i shëndetësisë në Louisiana ka raportuar se nuk ka pasur fakte për përhapje të gripit në ndonjë preson tjetër. Ky person ka qenë i vetmi i infektuar me këtë virus në Louisiana.
Departamenti ka refuzuar të publikojë emrin e pacientit.
Po ashtu departamenti ka deklaruar se “edhe pse rreziku për shëndetin publik mbetet i ulët, njerëzit që punojnë me shpendë ose bagëti, apo kanë ekspozim ndaj tyre, janë më të rrezikuar”.
“Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është evitimi i ekspozimit direkt në burim. Kjo do të thotë evitimi i kontaktit direkt me kafshët që dyshohen ose veçse janë të infektuara me gripin e shpezëve”, thuhet në deklaratën e këtij departamenti.
Që nga marsi i vitit të kaluar, janë konfirmuar 66 raste të infektimeve me gripin e shpezëve në SHBA, por rastet e kaluara kanë qenë me simptoma më të lehta. Kryesisht kanë qenë raste të fermerëve të ekspozuar në pulari ose në ferma.