Botë

Refugjatët rusë rrezikojnë shtetet që i mirëpritën

Rusët, nga vendi i tyre dhe lufta atje, kanë krijuar shpejt shoqëri në vendet si Gjeorgjia dhe Armenia.

Yerevan, Armeni – Do të ishte e lehtë të ngatërrohej Tuf-i me një klub të modës diku në Rusi. Një grup meditiv indie që luante, një familje muskovitësh shisnin kozmetikë të bërë vetë dhe një artist tatuazhesh nga Shën Petersburgu vizatoi një vulë në krahun e dikujt.

Por Tuf-i tash është në kryeqytetin e Armenisë. Lindi nga pushtimi rus i Ukrainës dhe eksodi pasues i rusëve, shumë prej të cilëve janë ende në tronditje.

“Këtu e kuptoni se nuk jeni vetëm”, ka thënë Tatiana Raspopova, një 26-vjeçare ruse që ndihmoi në themelimin e klubit.

Armenia dhe Gjeorgjia ndajnë historinë me Rusinë, por në vetëm disa muaj, fluksi i njerëzve ka ndryshuar qytete si Yerevani, kryeqyteti armen, dhe Tbilisi, ai gjeorgjian.

“Yerevani është pothuajse i panjohur”, ka theksuar Raffi Elliott, 33 vjeç, profesionist armen i teknologjisë.

Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Rusët kanë nxitur ekonomitë lokale - Tbilisi tani krenohet me klasat e para të hidroterapisë për qentë - por ata gjithashtu kanë rritur koston e jetesës.

Dhe lufta duket mbi gjithçka, madje edhe një klub vallëzimi tekno në Tbilisi i quajtur Dust që e përshkruante muzikën e një grupi si një “forcë për fundin e një lufte të tmerrshme”.

Në Tuf, Raspopova ka shpjeguar se ideja nuk ishte të kopjonte atdheun e saj, por të krijonte lidhje me vendasit. “Qëllimi ynë”, ka thënë ajo, “është të bashkohemi”.

Ndonjëherë këto transplante rishpikin komunitetet e tyre të reja. Ndonjëherë ata rishpikin veten.

Pavel Sokolov ofron hidroterapi për të ndihmuar qentë të kapërcejnë traumat, por në vendlindjen e tij në Moskë, ai ishte specialist marketingu. Përshtatja me një jetë të re ishte e vështirë, tha ai, por në fund kjo është pikërisht diçka që i dha besim.

“E kemi kuptuar që jemi njerëz të përgjegjshëm dhe se nuk do të vdesim nga uria”, ka thënë Sokolov.

Të tjerët erdhën më pas me veglat e punës.

Dy kolegë erdhën në Tbilisi nga Shën Petersburgu duke mbajtur valixhe të mbushura me rekuizita teatrale dhe vendosën të hapnin një teatër të vogël kukullash për fëmijë. Ata e quajtën atë Moose and Firefly.

“E vetmja gjë që mund të bëjmë në këtë pikë të jetës është teatri”, ka thënë Dasha Nikitina, 31 vjeçe.

Dmitri Chernikov, rrobaqepës 32-vjeçar nga Moska, hapi një sallon në Tbilisi ku prodhon kostume me porosi.

“Kam filluar nga e para në Moskë”, ka treguar ai. “Mendova se mund të bëja të njëjtën gjë këtu”.

Gjurma e zgjeruar ruse ka irrituar disa vendas, veçanërisht në Gjeorgji, e cila luftoi vetë luftën me Rusinë në vitin 2008. Në Tbilisi, disa dalin nga fabrika e qeramikës Otkhi kur zbulojnë se ukrainasit punojnë krah për krah me rusët.

“Ne besojmë se është misioni ynë për ta zgjeruar botëkuptimin e njerëzve”, ka theksuar Vlada Orlova, 37 vjeçe, njëra nga bashkëthemeluesit.

Shumë rusë, të vetëdijshëm se situata e tyre është e ndjeshme, përpiqen të ecin me kujdes. Ata mbajnë një profil të ulët dhe kontribuojnë në komunitetet lokale duke sjellë shërbime të reja dhe vullnetarizëm.

Në Jerevan, Natalia Yermachenko, 36 vjeçe, hapi një shkollë të osteopatisë, duke mësuar kryesisht njerëzit që ikën nga Rusia dhe kishin nevojë për një profesion të ri.

Disa po përpiqen të korrigjojnë agresionin e atdheut të tyre kundër Ukrainës.

Pasi Mikhail Kondratyev mbërriti në Tbilisi nga Moska me vëllain e tij Aleksei, ata vizituan një kopsht fëmijësh për fëmijët ukrainas dhe u befasuan nga mungesa e lodrave.

Vëllezërit vendosën të gdhendnin fshatra të vegjël nga druri: pemë të vogla, gardhe, shtëpi, për t'i ndihmuar fëmijët të ndiheshin si në shtëpi. Zhvendosja, në fund të fundit, është një ndjenjë që ata e njohin mirë.

“Është sikur ka filluar një jetë e re, sikur të jemi fëmijë”, ka thënë Kondratyev, 34 vjeç.

Të tjerët po merren me aktivizmin mjedisor dhe kauza të tjera lokale.

Disa rusë kanë punuar për t’ua bërë të qartë fqinjëve të tyre të rinj se lufta e vendit të tyre nuk është e tyre.

Të ndaluar ta kundërshtojnë pushtimin në atdheun e tyre, ndoënjeherë ata mbajnë pankarta anti-luftë në vendet e tyre të adaptuara.

Në Yerevan, restorantet e Moskës kanë mbledhur para për refugjatët ukrainas përmes një pallati të rinovuar që ata e quajnë Ambasada Estetike Gëzimi. Vendi elegant ofron kokteje me temë emigrantësh, dyqan veshjesh të cilësisë së mirë dhe një oborr.

Megjithatë, nuk është e pazakontë të dëgjosh ankesa për të ardhurit. Sipas një vlerësimi, një familje mesatare ruse në Tbilisi merr më shumë se gjashtë herë më shumë para se ajo mesatare në Gjeorgji. Grafitet atje dëshmojnë zemërimin.

Megjithatë, disa rusë mahniten me ngrohtësinë që kanë gjetur.

Dmitri Sorokin mbërriti në Tbilisi me pak burime, vetëm një ide për hapjen e një restoranti. Pronari i tij i dha një frigorifer dhe tri tavolina metalike dhe një fqinj i dha një blender profesional. Kaq mjaftoi për të hapur Aut Vera, një kafene të vogël në rrugë që shet humus dhe falafel.

“Kurrë nuk kam marrë aq shumë ndihmë sa këtu”, ka thënë Sorokin, 38 vjeç. “Nuk kam parë vend më mikpritës”.

Shumë nga emigrantët vinin nga shtresa më sipërmarrëse e shoqërisë ruse. Ata kanë injektuar miliona dollarë në qytetet e tyre të reja, duke mbushur kafene dhe bare, disa prej të cilave kanë serverë që nuk flasin më armenisht apo gjeorgjiane, por vetëm rusisht.

“Shumë nga këta njerëz u zhvendosën brenda natës dhe ata po përpiqen ta rikrijojnë atë që kishin humbur”, ka sqaruar Elliott, profesionisti armen i teknologjisë.

Por disa, si Pavel A. Yaskov, u larguan nga Rusia me pak më shumë se një dëshirë për t’u larguar. Ai mbërriti në Yerevan menjëherë pasi Presidenti Vladimir V. Putin shpalli një rekrutim të madh për ushtrinë ruse në Ukrainë.

I lindur në një qytet të vogël afër Moskës, Yaskov erdhi me një çantë shpine dhe një thes gjumi, gati për t’i kaluar netët e para në një park. Ai shpejt gjeti një punë në një kioskë fast-food dhe ndau një apartament me rusë të tjerë si ai.

Në atdhe, në Rusi, Vyacheslav Potapenko, 22 vjeç, punonte për një kompani prodhimi filmash si asistent regjisor. Tani, në Yerevan, ai po siguron jetesën duke bërë dërgesa ushqimore.