Botë

Rebelët sirianë marrin nën kontroll pjesën më të madhe të rajonit kyç jugor

rebelet siriane

Foto: Associated Press

Forcat rebele të Sirisë kanë kapur pjesën më të madhe të rajonit Deraa – aty ku nisi kryengritja e vitit 2011 kundër presidentit Bashar al-Assad.

Një vëzhgues i luftës me bazë në Britani ka raportuar se “fraksionet lokale” kanë marrë kontrollin e shumë zonave ushtarake atje pas “betejave të dhunshme” me forcat qeveritare.

Burime i kanë thënë Reutersit se rebelët kanë arritur marrëveshje me ushtrinë që ajo të tërhiqej dhe që zyrtarëve ushtarakë t’u jepej kalim i sigurt për në kryeqytet.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut të premten ka raportuar se rebelët në jug kontrollonin mbi 90% të rajonit Deraa dhe se vetëm zona Sanamayn ishte ende në duart e qeverisë.

Qyteti Deraa ka rëndësi strategjike dhe simbolike. Është afër kalimeve kryesore me kufirin me Jordaninë, ndërsa po ashtu është vendi ku filluan protestat pro-demokracisë më 2011.

Jordania ka njoftuar se ka mbyllur kufijtë e saj për shkak të sigurisë.