“Mendoj se vendimi nuk duhet ndryshuar, ngase e paraqet finalizimin e të gjitha mizorive në vitet që i kemi lënë prapa vetes”, ka theksuar të hënën Zdravka Gvozdjar, i biri nëntëvjeçar i së cilës, Eldin, ishte vrarë në rrugë gjatë granatimit të forcave serbe. “Dikush duhet të paguajë për të gjithë ata fëmijë që janë vrarë këtu”, ka shtuar ajo, teksa qëndronte pranë një monumenti të ngritur në Sarajevë për 1.600 fëmijët viktima të rrethimit
Të mbijetuarit e rrethimit 43-muajsh të Sarajevës janë në makthin e pritjes për përmbylljen e një kaptine të martën, kur komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Ratko Mladiq, do ta dëgjojë verdiktin përfundimtar në procesin e apelit për dënimin me burgim të përjetshëm rreth akuzave për gjenocid dhe krime lufte gjatë viteve ‘90.
Më 2017, Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi kishte dënuar Mladiqin me burgim të përjetshëm për akuzat që përfshijnë terrorizimin e popullatës civile të kryeqytetit gjatë rrethimit dhe për gjenocidin e Srebrenicës, ku gjatë 1995-s ishin masakruar mbi 8.000 burra dhe djelmosha myslimanë. Vendimi final për rastin pritet që të shqiptohet të martën.
“Mendoj se vendimi nuk duhet ndryshuar, ngase e paraqet finalizimin e të gjitha mizorive në vitet që i kemi lënë prapa vetes”, ka theksuar të hënën Zdravka Gvozdjar, i biri nëntëvjeçar i së cilës, Eldin, ishte vrarë në rrugë gjatë granatimit të forcave serbe. “Dikush duhet të paguajë për të gjithë ata fëmijë që janë vrarë këtu”, ka shtuar ajo, teksa qëndronte pranë një monumenti të ngritur në Sarajevë për 1.600 fëmijët viktima të rrethimit.
Në luftimet midis viteve 1992 dhe 1995, forcat serbe të Bosnjës, të mbështetura nga armata jugosllave, kanë ndërprerë furnizimin me rrymë në Sarajevë dhe kanë vrarë më shumë se 11.000 persona në zjarrin artilerik, atë me tanke dhe me snajperë nga malet rrethuese.
Në qershorin e 1995-s, Mladiqi i ka prirë pushtimit të Srebrenicës, asokohe “zonë e sigurt” e Kombeve të Bashkuara, ku trupat e tij ekzekutuan më shumë se 8.000 burra myslimanë brenda një intervali kohor prej vetëm shtatë ditësh. Trupat e tyre janë hedhur nëpër varreza masive dhe më pas janë rivarrosur me qëllim të zhdukjes së çdo gjurme të krimit.

Një ditë para verdiktit të së martës, kryeprokurori i mekanizmit të gjykatave penale Ndërkombëtare në Hagë, Serge Brammertz, ka bërë të ditur se pret që dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Mladiqit do të konfirmohet.
“Jemi optimistë se kemi arritur që t’i bindim me fakte gjyqtarët e Këshillit të Apelit rreth konfirmimit të vendimit të shkallës së parë”, ka thënë Brammertz në deklarimin për shërbimin publik të Radio 1 në Bosnjë-Hercegovinë.
I të njëjtit mendim është edhe Fikret Grabovica, i cili e kishte humbur të bijën e tij 11-vjeçar, Irma, gjatë bombardimeve në Sarajevë. Ai ka thënë të hënën se Mladiqi duhet të mbahet mend si “krimineli më i përgjakshëm i historisë së rajonit”. Ka theksuar se është zhgënjyes fakti se Mladiqi është duke u promovuar si hero kombëtar, madje edhe nga të rinjtë e lindur pas luftës. Murale të ish-gjeneralit, që njihet gjithandej si “Kasapi i Ballkanit”, janë shfaqur kudo përgjatë rajonit të Bosnjës, të dominuar nga serbët.
Shumica e serbëve e shohin Mladiqin si mbrojtësin dhe heroin e tyre, ndërkaq Gjykatën e Krimeve të luftës e cilësojnë si të orientuar kundër serbëve.
Gjatë së dielës, lideri nacionalist i Republikës serbe, Milorad Dodik, i cili njëherësh është edhe kryesues i presidencës rotative trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, ka thënë se Mladiqi ishte luftëtar dhe jo kriminel.
Përkitazi me këto deklarime, kryeprokurori i Hagës ka thënë se “bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë në mënyrë më të sertë” karshi mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.
“Këtë gjë e konsideroj si absolutisht të papranueshme. Është fjala për falsifikimin e hapur të historisë”, ka theksuar Brammertz. Ndërkaq ka shtuar se revizionizmi historik nuk pakësohet me kalimin e viteve.
“Ngelet përherë e më i paturp, po qe se nuk kundërshtohet vendosmërisht”, ka shtuar ai.
Shumë familjarë të të vrarëve në luftën e Bosnjë-Hercegovinës, gazetarë të shumtë të vendit, si dhe zyrtarë shtetërorë kanë mbërritur të hënën në Hagë, në pritje të shpalljes së vendimit të shkallës së dytë. Si rrjedhojë e masave anti-COVID, verdikti do të shpallet në prani të fare pak zyrtarëve e të ftuarve në seancë. Megjithëkëtë, sipas gazetës “Oslobodjenje”, në Hagë kanë shkuar shumë qytetarë të këtij vendi, të prekur në mënyra të ndryshme nga gjenocidi i kryer me urdhër të ish-komandantit Mladiq.
“Gjykimi i tij nuk do të ndihmojë në ndryshimin e perceptimeve të kundërta të njerëzve lidhur me atë çfarë ka ndodhur në luftë”, ka thënë Mela Softiq (37), eksperte e marketingut që fëmijërinë e saj e ka kaluar në Sarajevën e rrethuar. “25 vjet më vonë ndiej ende sikur lufta nuk ka mbaruar ende”. \ AP-DW